Panathinaikosi “dhuratë” Kaçes për fundviti, i ofron kontratë 4-vjeçare

0
476

Po bëhet gati një vit që kur Ergys Kaçe kaloi nga Paoku i Selanikut në radhët e Panathinaikosit të Athinës. Ishte një lëvizje me shumë peripeci në atë fund janari të vitit 2018. Në fillim lojtari tentoi t’i bashkohet Apoelit në Qipro, por atje e refuzuan në orën e fundit me një justifikim bastard, që gjoja lojtari ishte pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe inkurajonte bashkimin etnik të shqiptarëve. Edhe pse atdhetar, Ergys Kaçen në fakt po e dëmtonte një foto e tij me një futbollist kosovar të Kombëtares teksa kishte veshur një bluzë që mbante inicialet e UÇK-së. Mesfushori fantazist i Kombëtares kuqezi u kthye në Athinë dhe më në fund mori konfirmimin nga Panathinaikosi që të bëhej pjesë e klubit jeshil në kryeqytetin grek. Edhe një muaj dhe bëhet një vit që Kaçe mban veshur fanellën e klubit të shquar helen, tashmë si një titullar dhe një lojtar me peshë. Edhe pse Panathinaikosi nuk po kalon ditët e tij më të mira, është fakt që Kaçe e ka kaluar me sukses provën e tij dhe ka treguar se është lojtari i dëshiruar për ngjyrat e ekipit. Mesfushori me origjinë nga Korça shënon rregullisht, jep asiste dhe organizon lojën. Asnjë lojtar tjetër nuk mund të kryejë kaq shumë detyra në formacionin e një skuadre sa bën Kaçe dhe kjo është arsyeja që klubi grek po mendon t’i rinovojë kontratën që skadon në qershor, për ta mbajtur mesfushorin e Shqipërisë edhe katër vjet të tjera në kryeqytetin grek. Kështu, referuar mediave greke që e kanë ndjekur me vëmendje të gjithë këtë histori, janë vetë drejtuesit e Panathinaikosit, që pavarësisht vështirësive financiare, po përpiqen të krijojnë një bërthamë lojtarësh për vazhdimësinë dhe për ta ruajtur bërthamën e grupit po bëjnë rinovimin e kontratave. Kaçe është përfshirë në këtë grup dhe konsiderohet lojtar i domosdoshëm, një lojtar që mund të mbulojë disa role në fushë dhe kjo është arsyeja që Panathinaikosi nuk dëshiron ta largojë një futbollist teknik dhe organizator si shtatshkurtri i përfaqësueses kuqezi. Mbetet të diskutohen detajet financiare, por një kontratë katërvjeçare në Athinë me “jeshilët” e kryeqytetit grek mund t’i japë Kaçes dimensionin e duhur të lojtarit që do të ketë një karrierë të gjatë në kampionatin elitar helenik. Në ndeshjet e fundit korçari ka qenë përcaktues, madje ai dha një asist në javën që lamë pas në kampionatin grek të tipit “alla-Iniesta”, një pasim që u komentua gjatë dhe në rrjetet sociale. Por Kaçe ka shënuar edhe gola me vlerë për Panathinaikosin, sidomos ato nga goditjet standarde, apo nga jashtë zonës, duke dëshmuar se është i vlefshëm.

Llullaku merr sinjale nga Turqia, në janar mund të braktisë Astrën rumune

Një nga lojtarët që ka shënuar më shumë ndër lojtarët shqiptarë, deri tani në pjesën e parë të sezonit aktual, është Azdren Llullaku. Ai nuk u ftua nga trajneri Kristian Panuçi gjatë muajve të fundit, por me statistikat është futbollisti më efikas i përfaqësueses tonë sa i përket golave të shënuar. Ndërkohë, paraqitja e mirë që po bën në kampionatin rumun me skuadrën e Astras, ka bërë që për sulmuesin e Kombëtares, Azdren Llullaku të ketë interesim nga Turqia. Është një nga klubet që militon në ligën e dytë turke, ai që interesohet për shërbimet e sulmuesit tonë. Mediat turke raportojnë se Altai ka shfaqur interesim serioz për Llullakun dhe jo vetëm. Duke qenë se skuadra bardhezi nuk gjendet në pozita të mira dhe është disa pikë larg vendeve të para, madje duke rrezikuar edhe që të shkojë në fundin e tabelës, drejtuesit kanë menduar që të gjejnë “heronjtë” që mund të shpëtojnë skuadrën. Së bashku me Llullakun, pritet që në drejtim të Altait të shkojnë edhe dy futbollistë të tjerë dhe bëhet fjalë për mesfushorin Anton Putsila dhe Ugur Arslan Kurun. Ditët në vijim, pritet që të ketë zhvillime të reja në lidhje me të ardhmen e sulmuesit kuqezi, që në Rumani po kalon një moment mjaft të mirë.

Adriatik BALLA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here