Vepra “Mbretëresha e bukur”, premierë në janar në Eksperimental

0
819

Vepra “Mbretëresha e bukur” e autorit Martin McDonagh pritet të jetë premierë vitin, që vjen në skenën e teatrit. Me regji nga Kiço Kondo kjo vepër është menduar dhe si një nga premierat e para në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” vitin që vjen. Rolet në vepër regjisori Londo ia ka besuar aktorëve të njohur si Ermira Gjata, Genci Fuga, Laura Nezha, etj. Kjo komedi dramatike është një rivënie në skenë e regjisorit Kiço Londo. Disa vite më parë regjisori Londo e ka vënë në skenë me aktorët Drita Pelinku, Yllka Mujo dhe Ndriçim Xhepa. Protagonist në vepër aktori Genci Fuga tregon se pjesa teatrore që pritet të jetë premierë përcjell mesazhe të forta për shoqërinë. “Është një vepër shumë e bukur dhe në muajin janar është menduar që do të jetë në skenë. Tani ne po punojmë dhe po zhvillojmë provat. Në vepër bëhet fjalë për një jetë provinciale. Tregohet jeta e vështirë, që na ofron varfëria duke vënë theksin që varfëria më e madhe nuk është ajo financiare, por shpirtërore”, tregon aktori Fuga. Në këtë vepër që është një komedi dramatike ne kemi në qendër të saj një nënë dhe një vajzë që persekutojnë njëra- tjetrën. Nëna për të mos ngelur vetëm dhe vajza për të gjetur rrugën e saj. Aktori Genci Fuga tregon se në vepër tregohet dhe emigracioni, që të gjithë duan të ikin, por dhe dashuria e pamundur prej vitesh. “Në vepër kemi dhe ballafaqimin me dashurinë rrethe njëzet vjeçare të personazhit që interpretohet nga unë me personazhin, që luhet nga Laura Nezha, por që kjo është penguar nga shumë gjëra. Njëkohësisht dhe nga emigracioni që duhet të bëjnë të gjitha palët për të ikur nga kjo jetë dhe më pas dhe kthimi në këtë jetë, por që tashmë i gjymtuar. Unë jam në rolin e të dashurit të personazhit që luhet nga Laura Nezha dhe interpretoj Pato Dulei”, vijon aktori. Ngjarjet në vepër zhvillohen në një fshat të Irlandës dhe aktori Genci Fuga shprehet se është një vepër jashtëzakonisht e fortë për ato që përcjell. “Është komedi në moskuptimin e fakteve, veprimeve gati -gati të pamendueshme të personazheve se si çështje e ditës është që të pengohet dikush që të ecë përpara. Ngjarjet zhvillohen në një fshat të humbur Irlandës dhe e shikoj si një vepër që është jashtëzakonisht e fortë”, tregon mes të tjerave aktori Genci Fuga.

 Autori dhe veprat

Martin McDonagh, është një personazh i njohur i teatrit bashkëkohor. Ai ishte vetëm 16 vjeç kur vendosi të linte shkollën për t’iu futur rrugës së shkrimeve dhe skenarëve kryesisht radiofonikë dhe për 5 vjet me radhë mbledh vetëm letra refuzimi, derisa një ditë, dy prej skenarëve të tij pranohen në disa stacione australiane. Iu deshën vetëm 8 ditë për të shkruar pjesën e tij të parë teatrale, “Mbretëreshën e bukur të Lineinit” (1996), pjesë e cila u vu në skenë për herë të parë më 1997-n në Londër. McDonagh ishte 27 vjeç. Më pas shumë shpejt skenën londineze do ta shihnin edhe katër pjesët e tjera pasuese të krijimtarisë së tij. Në moshën 27-vjeçare ai është dramaturgu i parë që pas Shekspirit, të cilit i shfaqeshin të katër veprat në mënyrë simultane në Ëest-End Londër. McDonagh shihet si një prej çelësave progresivë të një zhanri të ri teatror, i cili po bëhet i njohur edhe si Teatri i Fytyrës, për shkak të përplasjes ballore të çdo elementi. Funksioni i tij është t’i parashtrojë publikut nëpërmjet skenës, materialin vulgar, shokues dhe konfliktual në mënyrën më të drejtpërdrejtë. McDonagh shkroi dhe drejtoi dy filma (skenari për filmin e tij “Në Bruzh” u nominua për “Oscar” në 2008-n, ndërsa ishte fitues i çmimit “Oscar” për filmin “6 Shooters”.

Nga Julia Vrapi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here