Mavraj zbret në stërvitje në Bundesligën 2, bëhet menjëherë lider i Ingolshtadit

0
39

Drejtuesit e skuadrës së Ingolshtadit në ligën e dytë gjermane kanë reklamuar fort blerjen e tyre të merkatos dimërore, Mërgim Mavrajn, të cilin e shohin si liderin e ri të ekipit të tyre në garën e vështirë për mbijetesë në këtë kategori të futbollit gjerman. Në fakt, Mavraj ka qenë vazhdimisht një lojtar me peshë në ekipet ku është aktivizuar si në Bundesligën 1 ashtu dhe në Bundesligën 2. Por problemet që ai pati në rastin e fundit me Këlnin, bënë që të mbetej për shumë kohë pa luajtur dhe në fund mbeti si opsion kalimi në kampionatin grek, ku u aktivizua në fare pak ndeshje me Arisin e Selanikut. Por oferta më e parë që erdhi për të ai nuk e refuzoi, përkundrazi, zgjodhi që të kthehet në Gjermani, duke u bërë pjesë e Ingolshtadit, megjithëse kjo skuadër mban vendin e fundit në renditjen e ligës së dytë gjermane, me vetëm 10 pikë.

Situata e klubit dhe qëndrimi i Mavrajt

Mediat sportive shkruajnë se Mërgim Mavraj ka nisur aventurën e tij të re në Gjermani me Ingolshtadin në Bundesligën e Dytë dhe mund të konsiderohet që tani një lider i kësaj skuadre. Eksperienca që ka dhe roli bindës si qendërmbrojtës i japin atij dimensionin e një lojtari që mund t’i japë “oksigjen” skuadrës së vendit të fundit, për ta përmirësuar të paktën lojën e saj mbrojtëse dhe që të ketë mundësinë të konkurrojë si duhet në garën për mbijetesë. Si mbrojtës i Ingolshtadit, Mavraj ka folur për herë të parë për mediat gjermane, duke qenë i bindur se skuadra e tij mund t’ia dalë dhe se vetë ai është mësuar me të tilla situata. “Jam i bindur se do të luftojmë shumë për të dalë nga gjendja aktuale. Unë kam përjetuar momente të ngjashme në karrierën time dhe tani dua të sjell në përvojën dhe mentalitetin tim”, u shpreh Mavraj. Kapiteni i Kombëtares u largua pak ditë më parë nga kampionati grek, ku në merkaton e verës firmosi me Arisin, por pa arritur që të tregojë vlerat që të gjithë prisnin. Në fillim, u mendua se Aris do ta linte të lirë për shkak të paraqitjes së dobët, por më pas vendosi ta shiste në Gjermani. Ishte një lëvizje e dëshiruar nga të dy palët, pasi në kampionatin grek Mavraj nuk po përshtatej dhe nuk po luante rregullisht me skuadrën e Selanikut.

Kombëtarja

Kalimi në radhët e Ingolshtadit në Bundesligën 2 të Gjermanisë është një mundësi që Mavraj të rikuperojë energjitë dhe pozitat e tij. Ai tani është në terrenin e duhur dhe nëse ia del të aktivizohet titullar, atëherë do ta ketë të garantuar ftesën në Kombëtare. Trajneri Kristian Panuçi ka bërë eksperimente të shumta gjatë vitit 2018, por nuk besohet se do të eksperimentojë më tej me të rinjtë gjatë këtij viti, pasi luhen eliminatoret e Kampionatit Europian dhe të gjitha ndeshjet janë zyrtare dhe me peshë në fatet e kualifikimit. Pra kërkohet rezultat dhe rezultatin e sjellin lojtarët në formë, ata me eksperiencë dhe ndërthurja e duhur taktike. Mavraj është shtyllë e mbrojtjes, por aktivizimi i tij është në varësi të minutazhit që do të ketë me ekipin e Ingolshtadit. Sidoqoftë, fjalët e mira të vetë Mavrajt, pozicionimi i tij i menjëhershëm si lider, pse jo edhe si kapiten, tregojnë se situata po shkon në favor të Mavrajt. Edhe drejtuesit e klubit gjerman janë shprehur të kënaqur me këtë blerje, nisur nga CV-ja e pasur e mbrojtësit kuqezi, i cili ka luajtur me ekipe të njohura gjermane në karrierën e tij si Këlni, Hamburgu, Grojther Further etj. Panuçi nuk do të heqë dorë nga Mavraj edhe këtë edicion kualifikues dhe eksperienca e kosovarit është ajo që i kushtëzon këto raporte. Kalimi tek Ingolshtadi mund të “ringjallë” edhe një herë mbrojtësin kuqezi Mërgim Mavraj./ Adriatik BALLA

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj