UEFA paralajmëron Mançester Sitin për shkeljet financiare, brenda pak ditësh përjashtimi nga Champions

0
13

Klubet europiane që financohen nga nafta e Lindjes së Mesme janë tronditur nga themelet. Dy klubet e fuqishme të Mançester Sitit dhe Paris Saint Germain po vuajnë në këtë moment gabimet që kanë bërë sponsorizuesit e tyre, sheikët arabë. Tek francezët është Al Khelaifi, kurse tek klubi anglez Al Thani. Në të dy rastet flitet për veprime financiare të dyshimta dhe dokumentet që po dalin së fundmi flasin për veprime të jashtëligjshme dhe të dënueshme, prandaj ka nisur një valë e madhe hetimi nga UEFA, e cila edhe vetë paraprakisht ka njoftuar se informacionet e para flasin për shkelje të rregullave të “Fair Play”-it Financiar dhe për pasojë pritet përjashtimi i këtyre klubeve nga kompeticionet e saj. 

Në këtë kuadër, viti i ri ka nisur me një lajm tronditës për tifozët dhe mbështetësit e Mançester Sitit, sepse klubi anglez rrezikon seriozisht përjashtimin nga kompeticionet europiane e ajo që dhemb më shumë nga Liga e Kampioneve. Arsyeja është mosrespektimi i rregullave të “Fair-Play”-it Financiar. Ai që e konfirmon një gjë të tillë është presidenti i komitetit të kontrollit financiar në UEFA, Ives Leterme, i cili u shpreh se nëse dokumentet e publikuara nga “Football Leaks” vërtetohen atëherë masat ndëshkimore do të jenë të ashpra. Sipas asaj që raportojnë mediat britanike, Leterme bazohet tek disa dokumente të lëshuara nga një sajt belg “Sport and Strategy” në 2015-ën. Sipas dokumenteve në atë kohë rreth 60 milionë sterlina janë derdhur direkt në arkat e klubit nga shoqëria arabe “Abu Dabi United Group” dhe që në fakt kjo shumë duhet të kalonte si pagesë për një sponsorizim nga ana e Sitit dhe që në fakt nuk ka ndodhur kështu. “Nëse dokumentet e publikuara vërtetohen, atëherë ky është një problem shumë serioz dhe që mund të shoqërohet me masa shumë të ashpra ndëshkimore”, u shpreh Leterme, i cili shtoi gjithashtu se një ndër masat që mund të merret është përjashtimi nga të gjitha kompeticionet e UEFA-s. Mançester Siti duhet të dorëzojë shifrat për të bërë verifikimet e nevojshme. Nëse në bazë të hetimeve vërtetohen shkelje, atëherë “Qytetarët” do t’i japin lamtumirën kompeticioneve europiane. 

Dhe “parashikimi” i Leterme është i frikshëm, pasi kuptohet që klubin anglez e pret një penalizim i rëndë nëse dokumentet e gjetura janë origjinale dhe vërtetojnë dyshimet e ngritura. “Ne mund të marrim sanksionin më të vështirë, që është përjashtimi nga Kupat e Europës. Gjithçka i referohet shkeljes së pretenduar të rregullave për ‘FFP’ të vendosur nga UEFA dhe se klubi i Mançesterit duket se e ka shkelur”, shtoi më tej zyrtari i lartë i UEFA-s, i cili po e bën fakt të kryer penalizimin e Sitit, i cili ishte paralajmëruar që më parë të bënte kujdes me shpenzimet e pajustifikuara, pasi do të penalizohej rëndë. Dhe UEFA këtë herë është e “dënuar” të marrë vendime ekstreme, pasi situata ka rrezik të dalë jashtë kontrollit./ Adriatik BALLA

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj