Vetingu nis me ritme të shpejta, kreu i Gjykatës së Sarandës probleme me pasurinë dhe zvarritje të gjyqeve, 3 seanca dëgjimore javën e ardhshme

0
400

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit iu rikthye seancave dëgjimore ditën e djeshme. Pas pushimeve dimërore, dje kaloi në sitë gjyqtari i parë për vitin 2019, Alltun Çela. Çela është kryetar i Gjykatës së Sarandës, ndërsa tani rrezikon të shkarkohet për shkak të problemeve në të 3 kriteret e rivlerësimit. Trupa gjykuese në fillim i renditi të gjitha problemet me pasuritë. Sipas KPK, kryegjyqtari i Sarandës zotëron një ullishte në Delvinë, por ka probleme me përfitimin e pronësisë. Në emër të tij rezulton po ashtu një truall 600 m2, ku është ndërtuar edhe një banesë, një apartament në Sarandë si edhe një dyqan. Por edhe për këto pasuri trupa gjykuese kishte konstatuar probleme. “Toka pemishte me sipërfaqe 17540 m2 në fshatin Tetzat në Delvinë është përfituar nëpërmjet ligjit 7501, me bashkëpronësi 6 vetë në emër të subjektit, ndërkohë që kryefamiljari në kohën e shpërndarjes së Aktit të Marrjes së Tokës në Pronësi, AMTP, ishte babai i tij Kajtas Çela. AMTP-ja përfshin gjithashtu një truall që në vitin 1994 deklarohet se ka një sipërfaqe 500 m2, ndërkohë që në vitin 2016 subjekti për këtë truall ka deklaruar se ka një sipërfaqe 600 m2.

Ndërkohë për shtëpinë në fshatin Tetzat të përfituar me kontratë dhurimi nga babai i subjektit Kajtas Çela në vitin 1996, është e paqartë pronësia mbi truallin 600 m2. Kjo banesë është rikonstruktuar, por për këtë rikonstruksion nuk janë deklaruar shpenzime”, u shprehën komisionerët e vetingut. Më pas, ata nxorën në pah probleme edhe me një shtëpi banimi të përfituar pranë ish-fabrikës së biskotave në Sarandë. “Në deklaratën periodike të vitit 2004, sipërfaqe e banimit është deklaruar 65 m2, me një leje ndërtimi për shtesë kati të vitit 2002 e në vazhdim. Kjo leje është regjistruar në vitin 2013 me një vendim të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë me parashtrim. Leja e ndërtimit e vitit 2002 ka qenë për rikonstruksion kati dhe jo për shtesë kati, ndërkohë që deklaratat e subjektit për këtë pronë kanë qenë kontradiktore. Gjithashtu, në deklaratën veting sipërfaqja e kësaj prone është deklaruar me 2 kate – një kat 48.9 m2 dhe një kat 110 m2, por ky objekt përbëhet nga 2 kate nga 110 m2 dhe një kat përdhes prej 48.9 m2, për të cilin është deklaruar një kontratë qiraje”, tha KPK. Të dhëna kontradiktore Alltun Çelës iu gjetën edhe për një magazinë me sipërfaqe 51 m2, një truall 400 m2, si dhe një njësi shërbimi me sipërfaqe 30 m2 në Sarandë.

Zvarritjet e gjyqeve

KPK i gjeti probleme kryegjyqtarit të Sarandës edhe me aftësitë profesionale. Sipas trupës gjykuese, Çela zvarriste gjyqet duke mos i zhvilluar ato në oraret e caktuara. “Për subjektin janë dorëzuar 11 denoncime nga qytetarët. Nga shqyrtimi i dosjeve u konstatua se nuk respekton oraret. Ai i vazhdonte seancat gjyqësore jashtë orarit të përcaktuar, me vonesa nga 4 minuta deri në 5 orë dhe përpara afatit nga 7 deri 20 minuta. Shtetasi F. K. e denoncon për pronat duke argumentuar se për të njëjtën pronë gjyqtari ka dhënë dy vendime të ndryshme. Shtetasi H. M. është dënuar nga Çela për shpërdorim detyre. Më pas ky shtetas është thirrur nga vetë gjyqtari si ekspert të paktën dy herë. Ka edhe një denoncim anonim ku janë sjell foto dhe të dhëna të pushimeve që gjyqtari Alltun Çela ka bërë në Kanada”, tha KPK. Vendimi për Alltun Çelën do të jepet në datën 8 janar. Fakti që KPK i nisi seancat dëgjimore për këtë vit në një kohë kur një pjesë e mirë e administratës vijon pushimet tregon se për vetingun ky vit do të jetë i ngjeshur me punë. Një gjë të tillë e faktojnë edhe 3 seancat e njëpasnjëshme të javës së ardhshme. Në datën 8 janar do të kalojnë në skaner kryegjyqtari i Shkodrës, Arben Zefi dhe këshilltari ligjor Gentjan Jahjolli, ndërsa në datën 9 janar do të japë llogari para trupës gjykuese kryegjyqtari i Kurbinit, Alfred Gjoni./ Mimoza IBRA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here