Viti 2019 sjell tërmet në politikë, brenda 45 ditëve ngrihet SPAK dhe zgjidhet kryeprokurori i ri, ja si do shkohet te arrestimet dhe sekuestrimi i pasurisë

0
513

Viti 2019 ka futur në panik pjesën më të madhe të politikanëve dhe njerëzit e drejtësisë në Shqipëri. Ky do të jetë viti i zbatimit të reformës në drejtësi dhe deri më tani janë dhënë sinjalet se do të ketë luftë të ashpër ndaj korrupsionit në të gjitha nivelet, sidomos në politikë. Ndonëse reforma në drejtësi vijon të sulmohet dhe anatemohet, tani nuk ka më asnjë kthim pas. Por çfarë do të ndodhë gjatë këtij viti? Së pari do të ngrihet Struktura e Posaçme Antikorrupsion. Sipas Kushtetutës ajo duhet të ngrihet brenda 19 shkurtit dhe kjo do të thotë se brenda 45 ditëve do të kemi prokurorë e gjyqtarë që do të godasin korrupsionin në nivele të larta. KLGJ ka hapur garën për gjyqtarë dhe pritet që në ditët në vijim të bëhet shpallja zyrtare, ndërsa javën që vjen të njëjtën gjë do të bëjë KLP për prokurorët e posaçëm.

Pas ngritjes së SPAK, vjen radha e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Ky organ do jetë i ngjashëm me policinë gjyqësore, por fokusi i anëtarëve të BKH do të jetë vetëm korrupsioni në nivele të larta. Pra ata do të hetojnë nga Presidenti i e kryeministrit, deri te njerëzit e drejtësisë. Sipas planeve, brenda pranverës pritet që SPAK dhe BKH të jenë gati, bashkë me infrastrukturën dhe stafin e nevojshëm. Pas kësaj pritet të nisin goditjet në nivele të larta. Por si do shkohet te arrestimet? Së pari, SPAK do të marrë në dorë të gjitha dosjet e korrupsionit që janë në hetim. Po ashtu ka të drejtë që të kërkojë rihapje të të gjitha dosjeve gjatë periudhës së demokracisë. Pra, të parët që rrezikojnë janë personat që janë nën hetim. Po ashtu në Tiranë do të vijnë ekspertë nga FBI dhe Bashkimi Europian, të cilët do të japin asistencë në goditjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Një ndihmë të madhe do të japë dhe procesi i përgjimeve. Përmes ligjit të ri, BKH ka akses shumë të gjerë përgjimi. 

Madje mund të inskenojë situata për të futur në kurth politikanët. Pra, një oficer mund të ofrojë ryshfet dhe nëse zyrtari e pranon, ai e arreston. Por ndryshe nga sa ka ndodhur deri më tani, ku ata pak individë që janë dënuar për korrupsion ja kanë hedhur me disa muaj burgim, SPAK do të bëjë dhe sekuestrime pasurie. Kjo do të bëhet përmes ligjit antimafia. Një vit më parë u fut në këtë ligj dhe korrupsioni. Pra kushdo që dënohet për korrupsion, nëse ka pasuri të pajustifikuar ajo i sekuestrohet.

Zgjidhet kryeprokurori

Një tjetër zhvillim i muajit janar do të jetë dhe zgjedhja e kryeprokurorit të ri. Arta Marku ka një vit si kryeprokurore e përkohshme dhe javën që vjen KLP pritet të hapë garën për të zgjedhur një kryeprokuror me mandat të plotë 7 vjeçar. Në Kushtetutë dhe ligjin për prokurorinë janë përcaktuar qartë kriteret që duhet të ketë kryeprokurori. Elementët bazë janë: Të ketë mbaruar Shkollën e Magjistraturës, të ketë mbi 15 vite përvojë dhe të ketë kaluar vetingun. Gazeta ka bërë një verifikim të të gjithë prokurorëve që kanë kaluar procesin e vetingu dhe rezulton se vetëm 5 prej tyre plotësojnë kushtet për të qenë kryeprokuror. Ata janë: Arben Dollapaj, Adnan Xholi, Bensik Muçi, Sokol Stojani dhe Arta Marku. Pra, nga rreth 400 prokurorë që janë në vend, vetëm këta të pestë kanë të drejtë të garojnë për postin e Prokurorit të Përgjithshëm. Për 4 të parët nuk dihet nëse do shfaqin interes, por Arta Marku pritet që të rikandidojë. Avantazhi i saj është se është kryeprokurore e përkohshme dhe e njeh mirë drejtësinë. Megjithatë në ligj janë përcaktuar të gjitha mënyrat se si duhet të veprojë KLP deri në zgjedhjen e emrit të duhur. / Kliti TOPALLI

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here