Zbardhen dokumentet, Rama shkrin Organizatat Socialiste, reformim të thellë në të gjitha degët, ja detajet

0
516

Partia Socialiste pritet t’i nënshtrohet një reforme të thellë gjatë dy muajve në vijim. Në mbledhjen e fundit të Asamblesë Socialiste në 28 dhjetor u ndanë një sërë porosish për bazën socialiste, ndërkohë që gazeta ka siguruar këto dokumente. Por ajo që bie në sy në të gjitha udhëzimet, ka të bëjë me faktin se PS jo vetëm që do të riformatohet, por pritet që të shkrijë Organizatat Socialiste në kuadër të zgjedhjeve vendore të 30 qershorit 2019. Kështu në dokument thuhet se riformatimi i Organizatave Socialiste do të nisë sot dhe do të zgjasë 2 muaj, ndërsa kjo lëvizje ka për qëllim forcimin organizativ të OS si struktura bazë të partisë dhe për të rritur veprimin elektoral të tyre. Më tej, në dokument vihet në dukje fakti se në periudhën 5 janar-5 mars 2019 në Asambletë e bashkive në të gjithë vendin do të kryhet dhe do të përfundojë procesi i riformatimit të Organizatave Socialiste, sipas kërkesave të statutit dhe objektivave të përcaktuara në Asamblenë Kombëtare sa i takon nivelit arsimor, moshor dhe të raportit anëtar partie/zgjedhës. Po ashtu, në dokumente thuhet se deri në 5 mars të këtij viti, të gjitha organizatat socialiste do riformatohen ku për çdo Qendër Votimi të ketë 1 organizatë. Vetë organizata nuk duhet të ketë më pak se 10 anëtarë ku të paktën 3 prej tyre të jenë nën moshën 30 vjeç dhe me arsim të lartë. Ndërsa objektivi i socialistëve është që në çdo zonë ku ka një organizatë, të ketë një anëtar partie për 26 banorë, duke respektuar në një farë mënyre edhe shmangien e konfliktit të interesit dhe shfaqjeve të nepotizmit. Po ashtu, në dokument thuhet se Asambletë Socialiste të bashkive, mbi bazën e gjendjes së anëtarësisë do të përcaktojnë për çdo OS në përbërje detyra konkrete për plotësimin sipas kërkesave të përcaktuara në Asamblenë Kombëtare.

Reformimi i OS, ja kush e mbikëqyr procesin

Por për të ndjekur reformimin e Organizatave Socialiste, kryeministri Edi Rama ka vendosur që të vërë në rresht koordinatorët dhe deputetët, duke i dërguar në bazë dhe të monitorojnë procesin. Sipas dokumenteve të siguruara nga gazeta, i gjithë procesi i riformatimit do të jetë detyrë kryesore e drejtuesve politikë të qarqeve që janë ministrat e shkarkuar, por disa prej tyre edhe ministra të mbetur në detyrë. Ndërkohë që pjesë e këtij procesi do të jenë edhe deputetët, teksa në pikën 6 të dokumentit thuhet se këta të fundit janë përgjegjësit kryesorë për ecurinë dhe realizimin e procesit të riformatimit të OS në zonat e tyre elektorale. Mirëpo, përgjegjësi për reformimin e OS, do të kenë edhe kryetarët e partisë së bashkive, sekretariati i AS të bashkive, anëtarët e AK dhe delegatët e Kongresit në bashki. Sipas asaj që thuhet në dokument, të gjithë këtë funksionarë të Partisë Socialiste do të jenë përgjegjës për organizmin, ecurinë dhe realizimin e procesit të riformatimit të Organizatave Socialiste në bashkitë përkatëse. Ndërsa më tej në dokument bëhet e ditur se drejtuesit e partisë në bashki të tërheqin në vijimësi informacionin për punën që bëhet për riformatimin në OS dhe të raportojnë për angazhimin e të deleguarve në çdo Organizatë Socialiste. Madje, për drejtuesit kërkohet që të zhvillojnë analiza javore për ecurinë e procesit dhe të dërgojnë informacione javore në Sekretariatin Ekzekutiv të Partisë për këto probleme. Po ashtu, në pikën 9 thuhet se ecuria e rezultatet në procesin e riformatimit të Organizative Socialiste do të jetë objekt i analizave në Asamblenë Kombëtare, në Kryesinë e Partisë dhe në Sekretariatin Ekzekutiv të Partisë./ Rigels SELIMAN

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here