Pësoi dëmtim horror e përfundoi pa ndjenja në spital, Rei Manaj ia “hedh” me hundë të thyer

0
422

Rrallë ka ndodhur me futbollistët shqiptarë që të kenë përplasje të tillë si ajo e Rei Manajt dy ditë më parë në ndeshjen e Ligës së dytë spanjolle (Segunda Divizion) midis Granadës dhe Albasetes (mbyllur në barazim 1-1) të përfundojnë direkt e në spital. Ishte një veprim i lojtarit të Granadës, German, i cili duke tentuar të largojë një top në lartësi, goditi me këmbën e tij të djathtë të ngritur në lartësi, me shumë fuqi, kokën e sulmuesit kuqezi Rei Manaj. Djaloshi shqiptar bie pa ndjenja në fushë dhe kërkohet me urgjencë ndërhyrja e stafit mjekësor. Pas disa minutash agoni, lojtari përfundon me ambulancë në spital, duke krijuar një gjendje ankthi e pasigurie për jetën e tij. por fatmirësisht pa probleme, pasi pa kaluar 24 orë nga goditja horror, lushnjari ngrihet në këmbë. Edhe pse i fashuar dhe me fytyrë të ënjtur, ai jep sinjale rikthimi të shpejtë. Dëmtimi vjen në një moment mjaft të mirë për Manajn, i cili ka realizuar gola me peshë për skuadrën e tij, ndërkohë që ende mjekët e skuadrës nuk kanë dhënë ndonjë datë fikse se kur lojtari do të kthehet në fushë. raportohet se Manaj ka dëmtime të forta në fytyrë dhe që ka thyer hundën.

Qëndrimi i Albasetes

Sulmuesi shqiptar i skuadrës së Albasetes në Segunda Divizion, në kampionatin spanjoll, Rei Manaj, pësoi një dëmtim të rëndë në pjesën e parë të sfidës mes Granadas dhe Albasetes, ku mbeti me frakturë në kokë dhe me hundë të thyer. Sulmuesi me origjinë nga Lushnja ka qenë gjatë mbrëmjes dhe tërë natës nën kontrollin e mjekëve, aty ku i kanë shkuar për vizitë, stafi dhe shokët e skuadrës, por edhe shumë dashamirës. Por, dje paradite gjendja e tij është përmirësuar dukshëm dhe sulmuesi Manaj, ndonëse në gjendje shoku, ka reaguar dhe u ka shprehur mirënjohje e falënderime të gjithë atyre që i kanë qëndruar pranë e në veçanti tifozëve të skuadrës së Albasetes. Madje, me një mesazh u jep kurajë se është mirë dhe bashkë me ta duhet që të mendojnë për ndeshjen e radhës në stadiumin e tyre me Sportingun e Gijonit. Ja postimi i Manajt në profilin e tij në Instagram: “Faleminderit për të gjithë tifozët e Albasetes dhe të gjithë shokëve të mi, me shumë dashuri… Shihemi të shtunën në shtëpinë tonë.”

Qëndrimi i mediave spanjolle dhe ngritja në këmbë e sulmuesit

“Rei Manaj ka lënë dje paradite spitalin në Granada, ku ka qenë i shtruar pas goditjes së rëndë që mori në fytyrë dhe që e la pa ndjenja në ndeshjen e të premtes. Sulmuesi ka marrë me qindra mesazhe nga tifozët e ndjekësit e tij në rrjetet sociale dhe përtej atyre fjalëve që ka shkruar vetë në profilin e tij, ka zgjedhur edhe rrjetet sociale të klubit të Albacetes për të shpërndarë një mesazh”, shkruajnë mediumet sportive. Natyrisht, vëmendja që mori pas ndërhyrjes horror në ndeshjen Granada-Albasete ishte maksimal. Ndonëse me fytyrën e ënjtur paksa nga goditja e rëndë që kishte pësuar 24 orë më parë, gjë që duket dhe nga fotot që publikoi vetë në rrjetet sociale apo klubi në faqen e tij, Manaj ka dashur të falënderojë nëpërmjet një videoje të gjithë ata që e kishin mbështetur në këto orë. “Shumë faleminderit të gjithë tifozëve për mbështetjen dhe dua t’u them se do të kthehem shumë shpejt në fushë”, shprehet futbollisti shqiptar. Manaj do të kryejë kontrolle të tjera për të mësuar nëse i nevojitet ndonjë ndërhyrje e kirurgjikale “korrigjuese” pas thyerjes së kockave të hundës, ndërsa parashikohet që të luajë me maskë në javët e para kur të kthehet në fushën e lojës. Por a do të mungojë shumë javë sulmuesi shqiptar? Kjo mbetet të shihet nga mjekët e skuadrës. Por dëmtimi i hundës dhe traumat në fytyrë vështirë që ta lejojnë atë të kthehet shpejt në fushën e gjelbër. Ndoshta Manaj mund të kthehet të luajë titullar vetëm pas një muaji. Për Kombëtaren ka rëndësi që ai të jetë gati në muajin mars, kur të nisin ndeshjet eliminatore të Europianit.

Adriatik BALLA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here