Fshati sot..

0
972

Drita (Gjaci) Topjana, autore e dy librave për fëmijë me tituj; “Kur fjala është e ëmbël”, dhe “Për mësuesen”, sjell në treg së shpejti librin e tretë, po për fëmijë me skica dhe ese, me titull një prej fjalive befasuese të nxënësve gjatë praktikës shkollore;

“Mësuese, bëje ti, diçka të bukur ndryshe, që ta mbajmë mend ne”

Në këtë libër pasqyrohet jeta sa e bukur po aq e vështirë e fëmijve tanë nëpër shkolla, familje, qytete dhe fshatra.

Pjesë nga libri Mësuese, bëje ti, diçka të bukur ndryshe, që ta mbajmë mend ne” (Skica dhe ese, Drita Topjana)

“Dielli luan me retë

Hedh sytë nga malet e Skënderbeut. Oh, sa bukur! – duken rrezet e diellit. Fshehur mbi re. Dielli qëndron, majat më të larta të maleve nga vetja i ndriçon. Ndërsa U-ja që formohet mes maleve poshtë reve, lë rrezet e diellit, që të depërtojnë. Majat qiellgërvishtëse të maleve ndajnë si me thikë dhe në vija të drejta rrezet e arta të diellit, duke formuar një pamje tërheqëse si prizëm, që mbështjell gjithë qytetin. Rrezet e shndritshme zgjatojnë drejt hapësirës së pafundme dhe bien mbi qytetin e Krujës. Hijeshinë atij ja shtojnë, rrethuar si nga një gardh shigjetash dhe  madhështinë e qytetit tregojnë.  

Ishte mëngjes, lagështira akoma nuk ishte tharë.  Retë ngrihen lart një copë here. Dielli shihet komplet. Vijnë re të tjera, dielli fshihet prapë dhe retë fashiten, hallakaten, dridhen e përdridhen, me ngrohjen e ajrit. Dielli nxjerr përsëri rrezet e tij që përshkojnë hapësirën e pafund, duke ndriçuar gjithçka. Papritmas, dielli u thotë reve.

Ejani! – o re të luajmë symbyllazi, derisa t`ju largoj të gjithave nga sipërfaqja e Tokës. Dhe aty do të fitoj vetëm unë, pasi për mua ka nevojë çdo gjallesë, që ekziston përmbi Tokë. Dhe lulet që  po rriten i këshillon, – mos e mbani kokën shtrembër duke kërkuar nga çdo anë, por ngrini kokën lart dhe më shikoni drejt e në sy. Drejtohuni gjithmonë nga drita, që të merrni energjinë e duhur për jetesë. 

“Fshati sot”

Faleminderit, që mësova diçka të bukur për pyjet dhe mjedisin. 

Mami, mami çfarë janë ato lule në pemë? 

Në radhë të parë, ato nuk quhen pemë, por pyje, të cilat mbrojnë mjedisin, pastrojnë ajrin, thithin dioksidin e karbonit dhe çlirojnë oksigjenin, na e bëjnë jetën tonë më të shëndetshme. Vendi këtu ku jemi ne tani quhet mal ose pyll, pemët frutore ndryshojnë nga pyjet, pasi pyjet na japin freskinë dhe bukurinë, në çdo stinë të vitit, ndërsa pemët frutore na japin frutat, me aromën, shijen, dhe efektet e tyre shëndetësore, por u bien gjethet dhe duken të zhveshura, dimri është bosh për ato dhe vera është plot. 

Në radhë të dytë, ato pemë që siç i quan ti quhen pisha dhe pisha ka vlera të mëdha në shumë fusha të ndryshme të veprimtarisë së jetës së njeriut. Sythet e pishave  në pranverë, përdoren në mjekësi popullore. Kur je pranë pishave, ato kanë një aromë shumë të shëndetshme për mushkëritë. Rrëshira e pishës përdoret për asortimentet larëse, prodhohej sapun me të, dhe kushedi se sa shumë punëtorë ka pasur pyjorja në atë kohë, kur unë isha e vogël sa ti. Ne i ndihmonim prindërit që të ushqeheshim me bukë dhe të blenim rroba, dilnim dy-tre ditë në punë që të ndihmonim babain dhe babai ditët e tjera e bënte pushim punën e shtetit, por merrej me ndonjë punë tjetër në ndërtim apo zdrukthtari. Ne gëzoheshim, kur i ndihmonim prindërit në atë kohë, edhe ti Arbër po të kesh ndonjë punë për të bërë me prindërit, edhe pse je i vogël e di se do të përkushtohesh shumë dhe do të ndihesh i kënaqur. 

Në radhë të tretë ato nuk janë lule, por të duken si lule nga larg, ato quhen tenja, dhe janë shumë të rrezikshme për shëndetin e njeriut, dërsa nga afër janë si top sheqeri,  por i bardhë jo ngjyrë rozë ose blu siç i blen ti kur del nga shkolla apo kur del shëtitje. Po t`i hapësh dhe t`i shohësh në brendësi ato “lulet” janë shumë të këqija, janë krimbat, insektet, që dëmtojnë pyllin. Njëherë ia fillojnë pyllit dhe, nëse ne nuk e mbrojmë pyllin, ato lule do të fillojnë të hanë dhe pemët frutore tonat në fshat e më pas dhe shëndetin tonë. Ato lule siç i quan ti janë të mbushura me vezë krimbash, dhe vezët do të rriten avash – avash kanë dhe ato një afat kohor rritjeje derisa bëhen krimba. Pastaj krimbat do të dalin  nga ai topi i sheqerit do të fillojnë duke u shumuar, e duke lëvizur ngadalë drejt familjes së madhe të pyjeve derisa të arrijë pranë banesave apo shtëpive të fshatit. Njerëzit po t`i prekin ato lloj krimbash do t`ju shkaktojnë skuqje të menjëhershme të trupit, lëkurës ku e kanë prekur, kruarje dhe një alergji të madhe. Do të kemi enjtje në të gjithë trupin, madje edhe temperaturë. 

Pra, daja dhe shumë si daja kanë mbaruar shkollën për inxhinieri pyjore, por ai dhe disa prej tyre përfunduan në kurbet, sepse këtu shteti nuk funksionon si duhet për disa fusha. Këtu mund të punësohen dhe shumë njerëz, dhe mjedisi do të jetë perfekt pa ato lule, pasi ato lule mund t`i thajnë pyjet, lëre që duken dhe të shëmtuara. Një herë në disa vjet, kur Zoti e sheh se njerëzit nuk po dinë të kujdesen për veten, ka filluar ai të kujdeset për njerëzit, pasi po vëren se njerëzit nuk po dinë të kujdesen as për gjërat më të rëndësishme që janë po aq elementare për njëri-tjetrin, jo më për mjedisin.

E ç`janë ato gjëra elementare për njëri-tjetrin?

Po, ja, një mirësjellje ndaj të afërmit tënd, një buzëqeshje, një puthje, një përqafim, një dhuratë. 

Po mua m`i jepni ato.

Po duan dhe të rriturit nga këto mirësjellje, jo vetëm fëmijët.

Po dhe gjyshen e duam ne, e respektojmë, i shërbejmë, e gëzojmë, e mërzisim kur bëjmë zhurmë dhe mundje nganjëherë. Epo jo të gjitha gjyshet dhe gjyshërit i kanë njerëzit pranë siç i ka gjyshja jote, disa jetojnë vetëm fare, se i kanë fëmijët larg  me punë ose në kurbet. 

A të kujtohet në fshat kur po fliste një xhaxhi, të cilin e kishin pyetur sa fëmijë ke? Ai ishte përgjigjur asnjë. Atij që e kishte pyetur i kishte ardhur keq për të dhe kishte filluar ta ngushëllonte, sepse ai xhaxhi ishte rreth moshës gjashtëdhjetëvjeçare. Xhaxhi kishte filluar të qeshte me vete dhe me fjalët ngushëlluese të atij dhe i kishte thënë: “Unë prej Zotit kam tri fëmijë, kam dhe gjashtë nipa e mbesa, por ata jetojnë jashtë, kështu që jeta ime është bosh, ndihet bosh, s`kam pse të buzëqesh, s`kam motiv pse të ngrihem në mëngjes dhe as pse të bie të fle në darkë, kur fëmijët e mi s`i kam pranë, kur nipa e mbesa s`i gëzoj.

Kur nisem për në punë, përse po shkoj? Kur kthehem nga puna në shtëpi çfarë po kërkoj? Kush do të ma ngrohë shpirtin, një copë bukë e ha dhe “budallai” sot, por nga kjo largësia jeta duket kot.”    

E mirë, mirë, u rrita më shpejt se duhet siç duket, po për mjedisin si kujdeset Zoti?

Kur Zoti e sheh se ato “lulet” janë shtuar shumë në pemët që shikon ti, atij i  bie ndër mend se duhet ta pastroj mjedisin. Dhe fryn një erë e fortë dhe e ftohtë, saqë njerëzit nuk dalin dot jashtë për disa ditë, e ftoh kohën aq shumë saqë malit i dhuron borën, ndërsa fushës shiun. Borën që ka rënë në male e ngrin, e bën akull, i bën edhe  rrugët akull, kalldrëm, sidomos ku ka hije. Edhe në fushë bie shumë shi, madje dhe borë dhe ia zhduk të gjitha mikrobet mbartëse ndër vite. Kur isha e vogël, me moshatarët e mi kemi ecur mbi borën e ngrirë dhe na dukej sikur po ecnim mbi një liqen të bardhë. 

Mos ma kujto dëborën mami, mezi pres që të vijë dimri dhe të luaj me topa bore.  

Në këto momente ato lulet janë të buta si pambuk sheqeri, fillojnë të shtypen nga pesha e dëborës që i ka mbuluar më shumë se duhet, vezët fillojnë të ngrijnë dhe nga pesha e akullit ato lulet thyhen dhe fap bien në tokë, kështu vezët prishen nga i ftohti dhe nuk mund të shumohen. Lëre pastaj që ato kanë rënë në tokë dhe iu është prishur shtëpia e tyre e butë e ëndrrave. Akulli dhe dëbora rri për një javë apo dy, dhe ato lulet nuk duken fare prej borës që mbulon vendin. Por kur fillon të shkrihet dëbora, dhe kur del pranvera, pyjet, ato pemët duken krejt jeshil dhe ato “lulet” zhduken si me magji, ndërsa njerëzit as që i kujtojnë më ato lule, jo më të kujdesen për të falenderuar Zotin. 

Hë mami, për çdo ditë që kalon duhet ta falenderojmë Zotin?!…

Patjetër që po, shpirti i vogël. Faleminderit o Zot, për këtë rrugëtimin tim te të afërmit në fshat dhe që mësova diçka të bukur për pyjet e mjedisin.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here