Zbulohen detaje të reja për mega-skandalin e “Unazës së Re” dhe letër-porosia që pritet nga SHBA

    0
    604

    Avdjol Dobi, përfaqësuesi i vetëm i kompanisë “DH Albania”, e cila me dokumente të falsifikuara të publikuara në emisionin “Të Paekspozuarit”, fitoi dy tendera me vlerë 30 milionë Euro, është thirrur tri herë nga Prokuroria, por nuk është paraqitur.

    Dëshmia e 26-vjeçarit që fitoi 18 milionë Euro për ndërtimin e lotit të parë të Unazës së Madhe dhe 12 milionë të tjera për ndërtimin e linjës së interkonjeksionit Burrel-Peshkopi, konsiderohet thelbësore për hetimet.

    Por organi i akuzës nuk po bie në gjurmët e tij. Në bazë të sistemit Tims, ai rezulton të jetë në Shqipëri. Fletë-thirrjet i janë dërguar në adresën e biznesit në godinën “ABA Business Center”, shkruan TV Klan.

    Prokuroria është edhe në pritje të letër-porosive të dërguara në shtetin e Delawerit ku është themeluar kompania mëmë e “DH Albania”, Danwell Huberman.

    Katër dokumente dyshohet se janë falsifikuar nga kompania, mes tyre firma e Sekretarit të Shtetit të Delawerit, bilancet e kompanisë, data e themelimit dhe të dhënat e një noteri atje.

    Përveç falsifikimit, prokuroria është duke hetuar edhe për shkeljen e barazisë në tendera dhe shpërdorim detyre. Hetuesit dyshojnë se falsifikimi i këtyre dokumenteve të jetë bërë në Shqipëri, por pritet që letër-porosia ta konfirmojë zyrtarisht.

    Javën e ardhshme pritet që Prokuroria të kryejë disa veprime të tjera hetimore që do sjellin zhvillime në këtë çështje.

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here