Fatos Klosi: Sulmet ndaj reformës tregojnë frikën e politikanëve, shumica kujtuan se do të ishin të paprekshëm, do të ndëshkohen zyrtarë dhe ish-zyrtarë

0
523

Reforma në drejtësi po thellohet çdo ditë e më shumë, por nga ana tjetër janë shtuar edhe sulmet nga politikanët. Me ngritjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor, opozita u hodh edhe një herë në sulm, duke i cilësuar si organe të kapura nga qeveria. Por ish-kryetari i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi e cilëson këtë dozë të shtuar sulmesh si tregues frike nga reforma në drejtësi. Gjatë një prononcimi për gazetën “SOT”, Klosi deklaroi se për politikanët e korruptuar ishte e papritur që reforma në drejtësi të ishte kaq e thellë dhe të mbërrinte deri këtu. Sipas tij, me zhvillimet e reformës në drejtësi, ujërat e pushtetarëve të përfshirë në zullume kanë filluar të trazohen. “Politikanët nuk e besonin që kjo reformë do të bëhej dhe do të arrinte deri këtu. Ata ishin pak më të qetë, ndërsa tani që kanë filluar të ecin gjërat, kanë filluar të tremben. Në mos janë trazuar ujërat, unë them se do të trazohen sepse tek e fundit ky është edhe një nga qëllimet kryesore të reformës”, tha ish-kreu i SHISH. Fatos Klosi lëshoi edhe një paralajmërim për të gjithë zyrtarët e korruptuar. Ai u shpreh se të gjithë ata që janë të përfshirë në vepra antiligjore do të preken dhe ndëshkohen nga reforma në drejtësi. Sipas tij, spastrimit nga kjo reformë nuk do t’i shpëtojë asnjë zyrtar a ish-zyrtar. “Nuk do të kalojë fare pa gjë dhe pa u ndierë. E pamë edhe në sistemin gjyqësor sesi njerëz që dukeshin të konsoliduar prej shumë e shumë vitesh në krye të organeve më të rëndësishme të drejtësisë, dolën që më pas nuk i justifikonin dot pasuritë e tyre. Unë pres që e njëjta valë të jetë edhe në politikë. Mirë është të kalojë edhe këtej, të ndëshkohen politikanë, zyrtarë e ish-zyrtarë”, deklaroi ish-kryetari i SHISH.

Spastrimi i politikës

Fatos Klosi nxori në pah edhe nevojën për të spastruar politikën përmes reformës në drejtësi. Sipas tij, u bë shumë mirë që kjo reformë nisi nga sistemi gjyqësor, por duhet që e njëjta valë të kalojë edhe nga politika. Ai nënvizoi se politikës i duhen njerëz të ndershëm sepse gjërat janë zinxhirë dhe më pas prishet i gjithë ekuilibri. “Sistemi i drejtësisë vërtet ishte i korruptuar dhe e meritonte të ishte i pari që spastrohej. E meritonte edhe për një arsye tjetër sepse për dreq në këtë sistem që po ndërtojmë është drejtësia që po vendos. Kështu që para të tjerëve, duhet të jenë gjyqtarët të ndershëm dhe të paanshëm. Kështu që mirë u bë që filloi me drejtësinë, por duhet të bëhet edhe në fushat e tjera, edhe në politikë sepse është shumë e rëndësishme. Politika është ajo që i komandon të gjithë punët në këtë vend. Nëse njerëzit e saj do të ishin të ndershëm, më e mirë do të kishte qenë politika”, tha Klosi. Për të ekziston edhe një arsye tjetër pse opozita sulmon vazhdimisht reformën në drejtësi dhe zhvillimet e saj. Fatos Klosi deklaroi se diçka e tillë ndodh edhe sepse politikanët tanë e kanë bërë si metodë pune që të sulmojnë çdo gjë të mirë që bëhet nga pala tjetër pa dhënë asnjë argument apo kontribut. “Ka edhe një parim të përgjithshëm në politikën shqiptare që tani u bë më shumë se 20 vjet dhe po e kuptojmë: Çdo gjë që bëhet nga njëra palë, kundërshtohet nga pala tjetër. Mirë apo keq, pa asnjë lloj logjike thjesht kundërshtojnë. E kanë bërë praktikë pune. Madje kanë filluar të bëjnë edhe shaka me këtë punë sepse është bërë shumë bajate. Nuk diskutohet konkretisht asgjë që si mund të bëhej më mirë, por thuhet vetëm që kjo është e mbrapshtë, me qëllime të mbrapshta, për ta politizuar, etj. Ky është një faktor tjetër”, u shpreh ish-kreu i SHISH, Fatos Klosi.

Mimoza Ibra

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here