Pas LSI, edhe PD në alarm nga organet e reja të drejtësisë, nis sulmet ndaj KLGJ dhe KLP

0
50

Organet e reja të drejtësisë kanë vënë në alarm opozitën shqiptare. Dy ditë më parë ishte kreu i grupit parlamentar LSI-së Petrit Vasili, ai i cili sulmoi KLP, ndërsa dje sulme të ngjashme kanë ardhur edhe nga PD. Këshilltari juridik i kësaj partie, Gazmend Bardhi u shpreh se ngritja e këtyre organeve i shërben qeverisë për të pasur nën kontroll drejtësinë. Ai tha se sipas ONM, individët që janë në krye të KLGJ dhe KLP nuk përmbushin kriteret. “Është tashmë fakt që të dy drejtuesit e KLGJ dhe KLP ishin dhe vendimet e para të këtyre organeve, janë dy njerëz të përzgjedhur personalisht nga Edi Rama. Ne kemi paralajmëruar emërimet përkatëse të këtyre dy individëve, të cilët sipas ONM nuk përmbushnin kriteret për të qenë anëtarë të KLGJ dhe KLP. Ky nuk është konstatimi i opozitës, por është konstatim i ONM. Në kohën kur qeveria, pavarësisht rekomandimit për përjashtim që dha ONM për dy drejtuesit e KLGJ dhe KLP, i përfshiu në procesin e shortimit. U bë e qartë nga PD dhe opozita që ata po përfshihen në proces sepse Edi Rama dhe qeveria kërkon që nëpërmjet individëve që nuk përmbushin kriteret për të drejtuar dhe për të qenë anëtar të Këshillit, të ketë kontroll mbi KLP dhe KLGJ”, tha Bardhi. Me të njëjtat tone ka sulmuar edhe kreu i grupit parlamentar i LSI Petrit Vasili, i cili dy ditë më parë u shpreh se KLP është një institucion me integritet të ulët dhe të kapur nga kryeministri, Edi Rama. Ai tha se KLP po vazhdon në rrugë jo të ligjshme pasi Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar nenet përkatëse. “Këshilli i Lartë i Prokurorisë me integritet shumë të ulët dhe në funksion të kapjes!!! KLP integriteti tepër të ulët i të cilit njihet publikisht sepse pjesa dërrmuese e anëtarëve të tij janë kontestuar nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit si pa integritet dhe jo vetëm nga ONM, megjithatë vazhdon të marrë vendime. Ecja në këtë rrugë është në funksion të kapjes nga kryeministri për të mbyllur aferat e pafund të tij dhe qeverisë së tij, ndaj i duhet një KLP e kapur dhe organe që ngrihen prej saj gjithashtu të kapura. Këshilli i Lartë i Prokurorisë, megjithëse ligji i mundësonte konstituimin, por i pengonte veprime të tjera sepse Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar nenet përkatëse, po vazhdon në rrugën e paligjshmërisë”, tha Vasili.

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj