Piktorët nisin organizimin për “çlirimin” e GKA, peticion Ramës kundër Erzen Shkolollit

    0
    522

    Artistët shprehen se mbyllja e dyerve, që ka bërë Galeria Kombëtare e Arteve për ata është e papranueshme. Në reagimet e tyre piktorë të njohur shprehen se drejtori i GKA Erzen Shkololli nuk mundet ta konsiderojë institucionin si pronë private, por përgjegjësi për këtë situatë sipas tyre ka dhe ministrja në largim e Kulturës Mirela Kumbaro. Piktorët Sadik Kasa, Adrian Devolli dhe Robert Përmeti pohojnë se GKA i përket artistëve dhe jo titullarit të institucionit.  Piktori Sadik Kasa tregon se nëse drejtohet një artist në GKA asnjëherë nuk është pritur deri tani nga drejtori Shkololli për kërkesat që kanë. “Për ne si artistë janë të papranueshme këto që po ndodhin në GKA. Atje shkon një artist të kërkojë të takojë titullarin e saj Erzen Shkolollin për problemet, por ai se pret. Por një artist dhe te presidenti po të dojë të shkojë për ta takuar e pret, ndërsa në GKA nuk është e mundur. Një drejtor i GKA që deri tani ai nuk ka pritur asnjë nga ne. Gjatë vitit që kaloi aktiviteti i GKA ka qenë vetëm tre ekspozita, që i ka bërë ai vetë. Atij si kërkon njeri llogari fare se çfarë bën”, pohon piktori Sadik Kasa. Sipas tij ndërsa personave anonimë iu jepen sallat në GKA piktorët në Shqipëri janë të detyruar të shkojnë të Muzeun Historik Kombëtar. “Ne jemi tre shoqata piktorësh, që është “Pleineri”, “Nëntori” dhe “Brezat” dhe i bëjmë aktivitetet në Muzeun Historik Kombëtar pa kushte te salla. Ndërkohë që personave që janë dhe anonim për ne në GKA i vihet salla në dispozicion për 3 muaj. Këto gjëra nuk mund të rrinë në dorë dhe dëshirë të individëve, por duhet të jenë të përcaktuara çfarë duhet në GKA”, vijon Kasa. Piktorët të grupuar në grupet si “Nëntori”, “Pleiner” apo dhe “Brezat” kërkojnë që të përcaktohet qartë statusi i GKA. Piktori Sadik Kasa tregon se ka nisur puna dhe për hartimin e një peticioni, që do ti drejtohet dhe kreut të qeverisë, por dhe ministres së Kulturës. “Ne duam të përcaktohet statusi i GKA, është muze arti me një fjalë që ruhet linja dhe vlerat muzeale apo është galeri do të jetë e hapur me ekspozita? Kush janë kushtet që duhet të plotësojë një artist për të qenë në sallat e GKA? Si zgjidhet bordi në GKA? Pse nuk ka transparencë dhe kush e zgjedh? Në parim me këto që them janë të gjithë dakord dhe ne do të fillojmë të punojmë për hartimin  e peticionit, do të mbledhim firmat dhe do t’ia dorëzojmë ministres së Kulturës dhe kryeministrit”, pohon piktori Sadik Kasa.

    Një takim me artistët

    Piktori Adrian Devolli shprehet se GKA është një institucion kombëtar dhe ekspozitat që hapen nuk mund ti përcaktojë vetëm një njeri. “Në GKA jemi të gjithë që duhet të ketë transparencë se çfarë po ndodh. GKA si institucion nuk krijon asnjë lloj mjedisi mikpritës për artistët dhe në një formë apo në një tjetër po i largon. Për më tepër një galeri në një situatë që është vendi ynë sot nuk mund ta mbash me dy ekspozita, që i përcakton një njeri. Kush është ky drejtor dhe nga ka ardhur? Pse duhet të vinte Shkololli, nuk ka artistë në Shqipëri? Çfarë ka bërë ai për të qenë në GKA? Kush është ky bord në GKA? Duhet të ketë një çlirim të GKA dhe të jetë në funksion të artistëve dhe jo të drejtorit”, pohon Devolli. Më tej ai shton se duhet që të organizohet dhe një takim me artistët për të diskutuar problematikat. “Ne do ti drejtohemi dhe kryeministrit dhe ministres. Përgjegjësi për këtë institucion ka dhe ministrja Mirela Kumbaro. GKA është në këtë gjendje, çfarë bën ministrja? Ne kërkojmë që të bëhet dhe një takim në nivel kombëtar, ku të thirren artistët dhe të bëhet një bisedë e hapur për këtë problem”, pohon piktori Adrian Devolli. Edhe për piktorin Robert Përmeti ajo çfarë po ndodh me GKA është një skandal. “Unë bashkohem me artistët për këtë problem që është me GKA. Unë vajta pashë galerinë dhe atje ishte një skandal i vërtetë. Duhet të diskutohet me artistët për çfarë po ndodh me GKA”, shprehet piktori Robert Përmeti. Edhe viti që lamë pas kaloi me akuza të artistëve drejtuar GKA dhe Ministrisë së Kulturës. 

    Nga Julia Vrapi

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here