Qeveria merr të tjera masa për të frenuar abuzimet në burgje, ndryshojnë procedurat për transferimin e policëve, ja detajet

0
395

Qeveria ka forcuar akoma më tej masat, sa i takon sigurisë në burgje. Pasi miratoi ligjin që të dënuarit e sigurisë së lartë do të qëndrojnë në izolim për të shmangur kontaktet me jashtë, dje Ministria e Drejtësisë ka nxjerrë një udhëzim në lidhje me transferimin e policëve. Gazeta mësoi se në ditët e para të janarit, ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj ka firmosur një udhëzim, i cili përcakton modalitete të reja për transferimin e punonjësve të burgjeve nga një burg në burgun tjetër, duke shmangur në këtë mënyrë çdo mundësi për abuzim nga drejtuesit me transferimin e punonjësve. Për herë të parë përcaktohet qartë se çdo punonjës i Policisë së Burgjeve, nuk mund të transferohet në institucione të tjera që janë në distanca të largëta nga vendbanimi i tij. Tashmë me rregullat e reja punonjësit e Policisë së Burgjeve, të rolit bazë dhe të mesëm, nuk mund të transferohen në një vend pune më larg se 45 km nga vendbanimi i tyre, me përjashtim të rastit kur japin pëlqimin me shkrim për këtë transferim. Po ashtu me modalitetet e reja kërkohet që në çdo rast, transferimi të jetë i motivuar, me vlerësim të rezultateve individuale të punës, ndërkohë që i komunikohet edhe personit të transferuar. Punonjësi i Policisë së Burgjeve, në çdo rast jep pëlqimin e tij, me përjashtim të rasteve për nevoja urgjente të shërbimit. Nga ana tjetër në udhëzim është përcaktuar qartë se kohëzgjatja e transferimit nuk mund të jetë më shumë se 6 muaj brenda një periudhe 2-vjeçare. Duket se me këto ndryshime, ministrja Gjonaj synon të disiplinojë mënyrën e lëvizjes së personelit të Policisë së Burgjeve, por në të njëjtën kohë edhe t’u japë garanci këtyre punonjësve se do të kenë të gjitha hapësirat ligjore për të qenë të mbrojtur në të drejtat e tyre. Ndërkohë që mësohet se këto ndryshime vijnë edhe në kuadër të reformës që ka ndërmarrë qeveria në të gjitha burgjet e vendit. Ndërsa në të njëjtën kohë ky udhëzim është ndërmarrë edhe për t’i prerë rrugën edhe abuzimeve me transferimet nga drejtuesit e burgjeve në rang vendi.

Izolimi i bosëve të krimit

Të dënuarit e sigurisë së lartë do të qëndrojnë në izolim për të shmangur kontaktet me jashtë. Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj deklaroi pak ditë më parë se një i arrestuar apo i dënuar për pjesëmarrje në organizatat kriminale apo terroriste do të izolohet për një periudhë 1-vjeçare, duke vendosur rregulla të veçanta për telefonatat dhe takimet e këtyre personave. Sipas saj, nga përllogaritjet e Ministrisë së Drejtësisë, afërsisht janë 150 krerë bandash kriminale që do t’i nënshtrohen këtij regjimi të posaçëm nën masa të rrepta sigurie. “Ministria e Drejtësisë ka bërë studim për të marrë numrin e subjekteve që do t’i nënshtrohen ligjit dhe cilët janë subjektet që janë dënuar apo dyshohen për vepra penale të tilla”, deklaroi ajo. Ndërkohë, ministrja e Gjonaj theksoi se forcimi i masave ndaj këtij kontingjenti është bërë për shkak të kontakteve që të burgosurit mbanin me jashtë. “Për këtë arsye, ekziston frika se këta elementë të burgosur vijojnë bashkëpunimin edhe brenda qelive për drejtimin e trafikut e për të shmangur diçka të tillë, do të forcohen masat ndaj tyre, duke u izoluar”, deklaroi ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj.

Rigels Seliman

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here