Regjisori Spiro Duni sjell dramën premierë “Gusht: Portret Familjar”

0
569

“Gusht: Portret Familjar” është një dramë me tre akte shkruar nga autori amerikan Tracy Letts, që do të vijë premierë për publikun me regji nga Spiro Duni.  Drama është dhe premiera e parë e Teatri Kombëtar te “arTurbina” këtë vit dhe rolet në vepër regjisori ia ka besuar aktorëve të njohur. Kjo vepër u vu në skenë në vitin 2007 nga trupa e famshme teatrore Steppenwolf Theater me qendër në Çikago. “Gusht: Portret Familjar” është historia e familjes Ueston, që ka probleme të thella të cilat shpërfaqen me tërë fuqinë e tyre kur pjesëtarët e saj mblidhen në shtëpinë e tyre në Oklahoma, ku patriarku i familjes Beverli Ueston ka humbur. Gruaja e tij Violeta është një egoiste, manipuluese dhe e varur nga droga. Ajo përdor dhunë psikologjike dhe i torturon tre vajzat e saj. Drama konsiderohet komedi e zezë, pasi vepra përshkohet nga humori. Përveç çmimit Pulitzer në vitin 2008, autori Tracy Letts është vlerësuar dhe me çmime të tjera. Autori shkroi edhe skenarin e filmit me të njëjtin titull, me aktoret e shquara Meril Strip dhe Julia Roberts. Të dyja aktoret u nominuan për çmimet Oscar. Me role të ndryshme në skenën e teatrit këtë herë Flaura Kureta vjen me një nga personazhet e dramës me tre akte, që është Keren Ueston. Për aktoren është një vepër shumë e mirë, dhe për problematikën që trajton e gjejmë dhe sot në shoqërinë shqiptare. “Ne kemi nisur punën për të sjellë dramën në skenë. Unë luaj në shfaqje një nga motrat që janë në vepër, pasi janë tre në dramë dhe interpretoj Keren Ueston. Roli im është motra që është larguar më herët nga kjo familje dhe ka shkuar në Florida. Ajo pas vdekjes së babait vjen në shtëpi, ku është mbledhur e gjithë familja. Por aty është një familje disfunksionale nga drogat që përdorin, ilaçet, mungesa e komunikimit. Një familje amerikane por siç po kthehet sot dhe familja shqiptare me problemet që mbartin. Një vepër shumë koherente”, tregon aktorja e njohur Flaura Kureta. Për aktoren kjo vepër që i kishte munguar deri tani skenës shqiptare është shkruar nga një autor i njohur për krijimtarinë e tij. “Është një autor amerikan shumë i njohur me veprat e tij. Mbahet një aktor i vlerësuar dhe është pak Çehov, është një pjesë shumë e mirë dhe fat i madh që e kemi në dorë dhe po e punojmë. Një vepër që është bërë dhe një film i famshëm në Amerikë”, tregon aktorja Flaura Kureta.

Aktorët në role

“Gusht: Portret Familjar” shkruar nga autori Tracy Letts me regji të “Spiro Dunit” sjell aktorin Ligoraq Riza në rolin e Beverli Ueston. Aktoret Luli Bitri, Flaura Kureta dhe Elia Zaharia Zogu si motrat Ueston. Me role në vepër Eva Alika, Myzafer Zifla dhe Margent Çaushi janë familja Ajkin. Në dramën që pritet të jetë premierë aktorët Neritan Liçaj dhe Flaura Kureta janë të fejuarit Stiv dhe Keren. “Gusht: Portret Familje” sjell në role dhe aktorët Dritan Boriç, Niada Saliasi dhe Luli Bitri që janë familja Fordhem. “Gusht: Portret Familjar” që është kurorëzuar me çmimin prestigjioz Pulitzer, është cilësuar si drama e re më e pëlqyer në Broadway ndër vite. Një dramë me tre akte për të cilën regjisori i njohur Spiro Duni ka nisur prej disa ditësh provat me aktorët për të sjell në skenë premierë teatrore. Në aktivitetin e tij artistik me teatrin regjisori Spiro Duni është i njohur për veprat teatrore që ka sjell në skena. Ashtu si dhe në vepra të tjera teatrore edhe këtë herë në këtë dramë shkruar nga autori amerikan Tracy Letts regjisori Spiro Duni ka angazhuar aktorë të vjetër, por dhe emra të rinj të teatrit, ku premiera pritet të jetë muajin që vjen te “arTurbina”.

Nga Julia Vrapi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here