Rei Manaj kalon parashikimet, zbret në stërvitje dhe kërkon maskë për të luajtur në fundjavë

0
30

Rei Manaj pësoi fundjavën e kaluar një dëmtim horror, pasi lojtari kundërshtar i Granadës German e goditi atë me shqelm në fytyrë, duke i thyer hundën. Natyrisht, ishte një goditje e pamenduar dhe krejt rastësore si pasojë e një përplasje, kiu futbollisti ynë kuqezi tentoi të merrte një top në gjysmëlartësi me kokë. Goditja në fytyrë ishte mjaft e fortë dhe sulmuesi lushnjar ra pa ndjenja në tokë, duke krijuar një situatë të frikshme, kiu u ndërpre ndeshja për disa minuta. Më pas ai doli me barelë e përfundoi direkt e në spital, ku ekzaminimet konfirmuan trauma në kokë dhe thyerje të hundës. Gjithsesi, nuk ishin dëmtime aq të rënda që të rrezikonin karrierën e futbollistit, por Manaj mori këshilla nga stafi që të qëndronte disa ditë pushim, për të mos rrezikuar trauma të reja dhe goditje që mund t’i dëmtonin karrierën për të ardhmen. Por jo, lojtari ka tejkaluar parashikimet dhe dje ka zbritur në stërvitje, duke kërkuar të luajë me shokët dhe duke apeluar tek stafi mjekësor që t’i gjejnë një maskë të përshtatshme për ta mbrojtur nga goditjet e reja dhe që të luajë direkt në fushë në duelin e fundjavës ndaj Sporting Gijonit. “Më bëni gati një maskë se dua të luaj javën tjetër”. Zëvendëspresidenti i Albacetes ka treguar i çuditur për mediat spanjolle të shtunën paradite se kjo ishte kërkesa e parë që ka bërë Rei Manaj pasi ka mësuar se kishte pësuar frakturë në hundë e asgjë më shumë pas goditjes që mori në fytyrë në fundjavë. Edhe pse lojtari ishte me fytyrë të ënjtur e të përgjakur i shtruar në spital, kërkonte me çdo kusht që t’i jepej mundësia të luante sa më shpejt që të ishte e mundur. Duket se kjo dëshirë mund të plotësohet shumë shpejt. Në vizitat e zhvilluara sot në ambientet e klubit, sipas vetë Albacetes, doktor Vajendo i ka konfirmuar Manajt se edhe testet për dëmtimin në hundë kishin rezultuar pozitive. Kështu që Manaj mund të luajë që në fundjavën e ardhshme nëse arrijnë t’i bëjnë në kohë një maskë të veçantë që vendoset në raste dëmtimesh në hundë dhe sigurisht nëse bind trajnerin në seancat stërvitore gjatë kësaj jave. Por sulmuesi i përfaqësueses kuqezi nuk do të ketë asnjë shans të luajë këtë fundjavë ndaj Gijonit, sepse nuk është përgatitur dhe nuk është trajnuar me skemat taktike të trajnerit. Për pasojë, Manaj mund të bëhet gati vetëm për ndeshjen e javës së ardhshme, gjithmonë nëse maska që do t’i vënë në fytyrë do të bëjë efektin e saj dhe do të rezultojë decizive. Duhet thënë se nga të gjithë lojtarët e Kombëtares kuqezi, ata të repartit të sulmit, Manaj është nga më efikasët, la shënuar 5 gola në Segunda Divizion dhe ky është një realizim i kënaqshëm për moshën dhe pozitat e tij. Jo vetëm kaq, por me Albaseten ai ka shënuar gola me peshë dhe në të paktën dy raste ka qenë përcaktues për marrjen e trepikëshit. Rivaliteti i madh i Albasetes me Granadën, dy skuadra që udhëheqin kampionatin në ligën e dytë spanjolle, e bën Manajn të jetë i përkushtuar dhe të arrijë maksimumin këtë edicion. Ai është prezantuar mirë dhe sidomos me qëndrimin e fundit ka fituar zemrat e tifozëve, të cilët pas këtij rasti e mbështesin më shumë dhe solidarizohen me të, duke dashur që ai të kthehet sa më parë në fushë. Manaj pritet të marrë ftesë edhe nga trajneri Kristian Panuçi, duke besuar se lojtari i Albasetes mund të shërbejë për ndeshjet kualifikuese të Shqipërisë në kuadër të eliminatoreve të Europianit të vitit 2020. Shpresohet që Manaj ta kalojë këtë siklet dhe të japë kontribut fillimisht për Albaseten e tij. Kujtojmë që Granada mban vendin e parë në Segunda Divizion, kurse Albasete e Manajt është në vend të dytë me një pikë më pak. Objektivi është ngjitja në elitë, pra në La Liga.

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj