Zbardhen abuzimet skandaloze të atasheve ushtarakë jashtë vendit, 2500-4500 euro në muaj vetëm qira për apartamentin

0
608

Buxheti i shtetit për mbulimin e veprimtarisë së atasheve ushtarakë të akredituara në vendet e tjera që shërbejnë në Përfaqësitë Ushtarake të Republikës së Shqipërisë, për të tre vitet 2015, 2016 dhe 2017 ka financuar në total 776,116 mijë lekë. Pjesa më e madhe e këtij fondi është përdorur për pagesat e apartamenteve dhe pajisjeve shtëpiake të marra me qira e cila për te tre vitet llogariten në vlerën 425,172 mijë lekë. Nga auditimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit mbi ligjshmërinë e përdorimit të këtyre shpenzimeve u konstatuan shkelje dhe parregullsi që lidhen kryesisht me pagesat e qirasë së apartamenteve dhe qirasë së pajisjeve shtëpiake. Sipas një raporti të publikuar së fundmi nga KLSH, i gjithë procesi i marrjes me qira dhe lidhja e kontratave të qiramarrjes për apartamentet e të përfaqësive dhe Atasheve Ushtarakë është bërë në kundërshtim me ligjin sepse nuk është bërë studimi i tregut në lidhje me vlerën e qerasë së apartamenteve, për të përcaktuar një limit për qiranë e apartamenti të çdo përfaqësie, por vlera e qirasë është përcaktuar në bazë të tre oferta të marra nga vetë qiramarrësit dhe më pas i paraqitën Ministrisë për miratim. Po ashtu, rezulton se nuk është ngritur komision i vlerësimit të ofertave, por vlerësimi i tyre është bërë vetëm nga përgjegjësi i shërbimeve në ministri. Të gjitha ofertat e marra nuk kanë gjithashtu të bashkëlidhur planimetrinë (gen-planet) e apartamenteve që do të merren me qira në bazë të të cilave përcaktohen edhe sipërfaqet e apartamentit. Ofertat e paraqitura në të shumtën e rasteve rezultojnë sipas KLSH foto të printuara nga interneti të marra nga agjencitë imobiliare, ku çmimet e tyre varjojnë në nivele të larta, pasi apartamentet që merren si ofertë kanë sipërfaqe të mëdha ku shkojnë deri në mbi 180 m2. KLSH sugjeron që Ministria e Mbrojtjes të marrë masa që, për çdo rast të marrjes së apartamenteve me qira, të ngrihet grup pune i veçantë për të bërë vlerësimin e tregut të çmimeve të qirave të apartamenteve, bazuar në zonat ku preferohet të merret apartamenti, normativat e sipërfaqeve për çdo familjar, mobilimin apo jo i apartamenteve dhe përcaktimin e çminimit brenda një limit të caktuara për m2 të qirasë sipas çmimeve të tregut të vendit të huaj, dhe nëse është e mundur çmimi për m2 të justifikohet më dokumente zyrtarë të vendit ku merret apartamenti (referencat ligjore të tatimeve apo akte ligjore e nënligjore që përcaktojnë dysheme dhe tavane të apartamenteve të marra me qira).

 Abuzimet në SHBA dhe Kroaci

Gjatë auditimit të KLSH, është vërejtur se në përgjithësi vlerat mujore të qirave të apartamenteve të përfaqësive dhe atasheve ushtarakë, janë të njëjta dhe kanë qëndruar për vite me radhë konstante të pa ndryshuara. Por në veçanti vlera mujore të qirasë së apartamenteve të atasheut ushtarak në SHBA dhe përfaqësuesit ushtarak në Kroaci kanë ndryshuar ndjeshëm duke u rritur në vlerë. “Atasheu ushtarak në SHBA ka pasur kontratë të lidhur për marrje apartamenti me qira me çmimin mujor 2,900 USD. Në vitin 2017, kjo kontratë qiraje është ndërprerë për shkak të zëvendësimit të Atasheut të parë dhe ardhjes së Atasheut të ri, i cili me miratim të Sekretarit të Përgjithshëm dhe më pas të ministrit të Mbrojtjes ka lidhur kontratë tjetër për marrje apartamenti me qira me çmimin mujor 4,425 USD. Pra vlera e qirasë në muaj është rritur rreth 152% dhe që nga lidhja e kontratës Korrik 2017 deri në Korrik 2020 kemi rritjen e shpenzimeve në dëm të buxhetin të shtetit që shkon në shumën 54,900 USD”, nënvizon raporti i KLSH, ndërsa vijon me përfaqësuesin ushtarak në Kroaci, i cili ka pasur kontratë të lidhur për marrje apartamenti me qira me çmimin mujor 900 euro. Në Gusht 2016 kjo kontratë qiraje është ndërprerë për shkak të zëvendësimit të përfaqësuesi të mëparshëm dhe ardhjes së përfaqësuesit ushtarak të ri, i cili me miratim të Sekretarit të Përgjithshëm dhe më pas të ministrit të Mbrojtjes ka lidhur kontratë për marrje apartamenti me qira me çmimin mujor 2,100 euro. Pra vlera e qirasë në muaj është rritur rreth 230% dhe që nga lidhja e kontratës Gusht 2016 deri Gusht 2019 kemi rritjen e shpenzimeve pa efektivitet në dëm të buxhetit të shtetit që shkon në shumën 43,200 euro. KLSH sugjeron dhe në këtë rast që Ministria e Mbrojtjes të marrë masa, të analizojë me grup pune të veçantë shkaqet, arsyet dhe përgjegjësitë për dëmin ekonomik të konstatuar dhe të ndiqen të gjitha procedurat e nevojshme administrative e ligjore për shpërblimin e këtij dëmi në vlerën 54,900 USD dhe 43,200 euro.

Abuzimi me pajisjet shtëpiake

Nga auditimi u konstatua se, në katër përfaqësi ushtarake përveç shpenzimeve mujore për qiranë e apartamenteve, me miratimin e ministrit dhe Sekretarit të Përgjithshëm, në zbatim të kontratave të lidhura është paguar dhe vazhdon të paguhet qira mujore edhe për përdorimin e disa pajisjeve shtëpiake, në kundërshtim me ligjin. “Në asnjë nga kontratat e lidhur për marrjen me qira të pajisjeve shtëpiake nuk ndodhen të bashkëlidhur lista me inventarin e pajisjeve që janë marrë me qira. Në pikën 1 të VKM, 305, date 12.03.2008 dhe pikën f, gj të Udhëzimit nr. 6, datë 02.05.2014 të sipërcituar përcaktohen qartësisht kategoritë e shpenzimeve që do të përballohen nga buxheti i MM dhe konkretisht, në germën f) përcaktohet se, mbulohen “shpenzimet për qira apartamenti dhe mirëmbajtje” dhe në germën g) përcaktohet se, mbulohen “shpenzimet për pajisje shtëpiake”. Duket qartë se VKM, 305, date 12.03.2008 nuk përcakton se, buxheti i shteti mbulon shpenzime qiraje për përdorim pajisje shtëpiake, por vetëm shpenzime qira apartamenti, ndërsa për pajisjet përcakton shpenzime për blerjen e tyre”, citon raporti. Vlera e përgjithshme e qirasë së paguar për këto pajisje shtëpiake në dëm të buxhetit të shtetit llogaritet 32,760 euro dhe 107,256 USD. 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here