Gjyqtarët e prokurorët po tentojnë të mbyllin pazaret para vetingut, KLD mbushi drejtësinë me të korruptuar

0
482

Gjyqtarët dhe prokurorët po nxitojnë të mbyllin pazaret para se të afrohet vetingu për ta. Në këtë konkluzion arrin Instituti i Studimeve Politike, i cili ka publikuar raportin sa i takon zbatimit të reformës në drejtësi gjatë vitit 2018. Sipas raporti, ka shumë nga ata gjyqtarë e prokuror që po mendojnë të dorëhiqen, por të gjithë po mbyllin aferat e lëna pezull dhe më pas do të largohen pa u futur në veting. “Periudha e tranzicionit nga vetingu dhe ngritja e institucioneve të reja, deri në jetësimin tërësor dhe funksionimin e plotë të tyre, po përdoret nga grupe të ndryshme brenda vetë sistemit gjyqësor dhe të drejtësisë për të përfituar maksimalisht përmes mohimit të dhënies së drejtësisë ose akteve të dyshimta për korrupsion. Kjo kategori pritet të japë dorëheqje në momentet e afrimit të procedurave të vetingut të tyre. Mungesa e lidhjes integrale midis vendimmarrjes për shkarkim nga KPK/KPA me pasojës me hetim e vendosje përpara drejtësisë të subjekteve që provohen se kanë shkelur ligjin, u ka dhënë fushëveprimi dhe imunitet individëve ende të pashkarkuar por me kredenciale negative në sistemin e drejtësisë, si dhe ka cenuar mbështetjen publike për thelbin e reformës në drejtësi”, thuhet në raport. Por aty u jepet një goditje institucioneve shtetërore, që kanë pasur përgjegjësinë të kontrollonin sistemin e drejtësisë. Sipas raportit, çdo vit gjyqtarë e prokurorë deklarojnë pasuritë, ndërsa i nënshtroheshin dhe verifikimit nga KLD. Por asnjë institucion shtetëror nuk i penalizmi. Goditja më e madh e është për KLD, institucion i drejtuar nga emra si Bamir Topi, Bujar Nishani, apo Ilir Meta. “Pavarësisht ekzistencës shumëvjeçare të ILDKPKI-së, KLD-së, Këshillit të Prokurorisë, etj, financimit vendor e ndërkombëtar, trajnimeve pa fund, investimeve në teknologji, raportimeve vjetore në Kuvend, rezolutave të miratuara dhe shkarkimeve apo emërimeve periodike në krye të tyre, – procesi i vetingut me gjyqtarët e prokurorët tregoi se këto struktura nuk kanë qenë efikase dhe as profesionale në nivelin që kërkohej nga ligji. I njëjti vlerësim vlen edhe për organet e tatimeve, hipotekave, drejtorisë që merret me pastrimin e parave, zyrave të bashkëpunimit ndërkombëtar, etj”, thekson dokumenti.

Problemet

Instituti i Studimeve Politike ka zbuluar një sërë shkeljesh apo parregullsish me procesin e vetingu. Sipas raporti, janë shkelur të gjitha afatet ligjore nga institucionet. “Shkelje flagrante të afateve ligjore shfaqen edhe në punën e organeve të reja të vetingut, strukturat që bëjnë rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Pothuajse asnjë subjekt i rivlerësimit nuk është vlerësuar e gjykuar brenda afatit ligjor që parashikonte ligji 84/2016 për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në RSH. Afatet janë respektuar vetëm në pjesën e komunikimi midis KPK, IKP dhe KPA, pra në fazën e gjykimit të subjekteve të rivlerësimit, jo në fazën e hetimit dhe të verifikimeve”, thuhet aty. Më tej është bërë e ditur se politika shqiptare nuk është se e do procesin. Ajo e përdor reformën vetëm për retorikë. Sipas raportit, reforma në drejtësi po realizohet vetëm falë këmbënguljes së ndërkombëtarëve. “Gjatë periudhës 2016-2018 ka një numër të madh rastesh kur përfaqësitë diplomatike perëndimore kanë qenë shumë më aktive dhe më të përfshira në çështje të reformës sesa vetë aktorët politikë dhe institucionet vendore. Deklarimet diplomatike në shumë raste kanë qenë me tone të forta kritike ndaj aktorëve politikë apo juridikë, paralajmëruese për pasojat dhe nxitëse për ecjen përpara të procesit. Pa një ndërhyrje të tillë, në disa aspekte edhe të pazakontë për vende sovrane, nuk do të ishte arritur miratimi i paketës së ndryshimeve kushtetuese 2016 dhe as pjesa më e madhe e bilancit të deritanishëm të reformës në drejtësi”, theksohet në raport. 

Kliti Topalli

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here