Agim Sulaj ekspozon për publikun “Servilizmi” e 1984

0
560

Në Montecchio të Italisë është çelur ekspozita e piktorit e karikaturistit shqiptar Agim Sulaj. Ekspozita vjen për publikun italian me 20 punime në karikatura, që janë realizuar ndër vite nga artisti Agim Sulaj. Artisti shprehet se ekspozita ka të veçantën pasi për herë të parë prezantohen  punimet në karikatura, që janë realizuar në revistën “Hosteni” në Shqipëri.  Ekspozita përmban karikatura që janë punuar në vitet 1981-’85 mes tyre dhe ajo me titull “Servilizmi” e 1984, dhe artisti mendon që ti prezantojë më pas në Tiranë gjatë këtij viti. “Duke ju përgjigjur një kërkese dashamirëse të një shoqate artistike në Montecchio të Italisë vendosa ta çel këtë ekspozitë vetëm me karikatura”, tregon artisti. Punime të ndryshme në karikatura janë prezantuar për publikun italian këto ditë dhe artisti Agim Sulaj shprehet se thelbi i tematikave që ka kritikuar ato vite është dhe në ditët e sotme. “Ruaj që prej viteve të hershme kur punoja te revista e mirënjohur “Hosteni” karikaturat më të njohura të atyre viteve. Shpesh ju jam kthyer me nostalgji atyre veprave dhe kam vënë re se idetë dhe kritika shoqërore ndaj veseve e mediokritetit të atyre viteve është për “çudi” dhe sot. Ndryshon vetëm “kostumi” i sotëm modern, por thelbi i tematikave që kam kritikuar atëherë është dhe sot. Këtë mund ta gjejmë te marrëdhëniet e pushtetit me popullin atëherë dhe sot po ai me qytetarin. Te i paafti që kërkohej e kritikohej në ato vite, tani e gjejmë në forma e veshje të reja. Ecja drejt të resë e penguar nga mendësitë e përfitimit vetjak. Brezat e rinj që priten “ krah hapur” nga kolltukmëdhenjtë e përjetshëm. Kështu pra vendosa të kritikoj përsëri me të njëjtat vepra idetë e vjetruara të atyre viteve, të cilat i ndeshim dhe sot në kohët moderne”, pohon artisti Agim Sulaj. Ekspozita që u çel më 16 dhjetor do të qëndrojë për publikun deri më 16 janar, dhe u bë mundur nga Brunella Pala, Alban Çela si dhe ish ambasadori i Italisë në Shqipëri zoti Paolo Foresti, por artisti Agim Sulaj tregon se më e plotë me veprat e tij mund të jetë dhe në Tiranë. “Një ekspozitë të tillë mendoj e meriton dhe vendi, ku këto vepra lindën dhe ushqyen idetë e mia në Shqipëri, ndoshta këtë vit”, pohon artisti. Në lidhje me aktivitetin e tij piktori Agim Sulaj tregon se ka dërguar veprat e tij në disa konkurse si në Portugali në World Press Cartoon, në Turqi në Izmir, në Belgjikë në Knokke Heist si dhe Kruishoutem,  po ashtu dhe në Dysseldorf në Gjermani. “Temat e punëve ishin dhe mbeten gjithmonë problematika ndërkombëtare me Brexit, muret ideore që ndajnë njeriun etj”, shprehet artisti.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here