BE thotë se s’ka dialog në të ardhmen e afërt: Taksa të hiqet urgjentisht

0
412

Dialogu ndërmjet presidentëve Hashim Thaçi e Aleksander Vuçiç nuk parashihet të vazhdojë në një të ardhme të afërt. Një vendim se kur  mund të vazhdojnë bisedimet, duhet të merret nga Kosova dhe Serbia. Kështu ka thënë në një prononcim për mediat kosovare zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Kocijançiç, e cila shtoi se dy shtetet duhet të angazhohen që dialogu në nivel të lartë, të vazhdojë në një afat sa më të shpejt kohor.  “Ritmi, agjenda dhe formati i dialogut përcaktohet nga të dyja palët. Deri më tani, nuk është planifikuar asnjë takim në të ardhmen e afërt. Bashkimi Evropian pret që Serbia dhe Kosova të angazhohen sa më shpejtë në dialog, duke pasur parasysh lidhjen e drejtpërdrejtë ndërmjet normalizimit të marrëdhënieve dhe perspektivave konkrete, në aspiratat e tyre drejt BE-së”, ka thënë Kocijançiq për Telegraf. Ajo ka përsëritur qëndrimin e Bashkimit Evropian se taksa e vendosur ndaj Serbisë dhe Bosnjës është në kundërshtim me CEFTA-n dhe MSA-në. Në përgjigjen e Kocijançiç është bërë e ditur, se në takimin e Ekipit Negociator me Mogherinin para dy ditësh, është kërkuar që “me urgjencë të tërhiqet vendimi për taksën” “Sa i përket tarifës pozicioni ynë është i qartë: Vendimi i Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës 100% ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës, është shkelje e qartë e Marrëveshjes për Tregti të Lirë (CEFTA) dhe Marrëveshjes për Stabilizim Asociim ndërmjet BE-së dhe Kosovës. Përfaqësuesja e lartë, Federica Mogherini e ka përsëritur edhe në takimin e 8 janarit urgjencën që kjo taksë të tërhiqet”, thuhet në përgjigjen e zëdhënëses së Komisionit Evropian.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here