Besim Kurti: Ministrisë të Kulturës i duhen specialistë jo militantë, të kontrollohen projektet që financohen

0
744

Artisti sot nuk është i vlerësuar nga institucionet dhe buxhetet për artin janë të pakta. Regjisori Besim Kurti shprehet se institucionet duhet të tregojnë më shumë vëmendje për të vlerësuar artistin dhe aktivitetin e tij krijues. Në intervistën për “SOT” regjisori Besim Kurti shprehet se shteti nuk duhet ti shikojë artistët si diçka kalimtare, por ata meritojnë të vlerësohen për punën që bëjnë dhe të ketë mundësi të punësohen të talentuarit. Pjesë e intervistës me regjisorin Besim Kurti është dhe puna me filmin në Kinostudio me të cilin ai u angazhua që në vitin 1972. Ai tregon se punohej me pasion për filmin edhe pse vështirësitë nuk mungonin. Për regjisorin duhet të ketë më shumë vëmendje në buxhetet që jepen për filmin, duhet punuar me kujdes për skenarin dhe problem është dhe mungesa e kinemave në vend. Regjisori shprehet se sot dhe institucionet duhet të jenë kërkues për nivelin artistik kur japin paratë, duhet të këmbëngulin për cilësinë dhe vlerat.

-Në vitin 1972 ju keni filluar punë në Kinostudio. Si e kujtoni atë kohë?

Ne i admironim aktorët e filmave si Mario Ashikun, Ndrek Lucën, Ila Shytin, Kadri Roshi, Naim Frashëri etj, dhe m’u duk si një ëndërr që unë shkova të punoj aty ku xhiroheshin filmat. Aty ku ishin këta aktorë të adhurueshëm dhe unë e quajta veten në një shtëpi me ta. Shtëpia e shenjtë siç ishte teatri ato vite që ne e ndiqnim dhe në valët e radios, sepse televizorët ishin të rrallë, apo mbanin rradhë për të marr një biletë në teatër që duhet të çoheshe që në 5 të mëngjesit. Unë pata fatin që të shkoja dhe të punoja në atë vend që unë e quaj shtëpi të shenjtë. Në fillim pak si i hutuar, se çfarë do të bëja dhe si do të punoja. Të gjithë kur shkonin atje thoshin unë do bëj film, por kjo duhej të kalonte disa faza dhe nuk mund të filloje direkt punë si regjisor me filmin artistik. Në Kinostudio të gjithë punonin ato vite, kishte regjisorë, skenaristë, drejtorë filmi, laboratorë, marangozë që prodhonin dekoret, një bazë e madhe makinash, rekuizita dhe të tjera gjëra të mbajtura për xhirim. Ishin 750 veta që punonin atë kohë në Kinostudio. Pak i ngrysur në vetvete në fillim ato vite sepse do punoja dhe me njerëz që unë nuk i njihja. Për herë të parë kam punuar me filmin e regjisorit Viktor Gjika dhe ishte rixhirimi i filmit “Yjet e netëve të gjata”. Më parë ishte bërë xhirimi dhe unë isha asistent te rixhirimi i filmit që vijoi disa ditë. Në ato vite dihej se paguante shteti dhe i donte filmat dhe për ideologjinë e tij. U bënë rixhirime dhe unë punova me Viktor Gjikën. Aty kuptova shumë gjëra me punën, se si përsëriteshin dublat, etj. Më pas fillova dhe vetë duke parë te laboratori në Kinostudio se si punohej, te montazhi shkoja dhe shikoja, ku ishin atelierët që bënin xhirime, etj. Më pas ishte filmi “Qyteti më i ri në botë” me regjisore Xhanfise Kekon që isha asistent dhe për këtë bashkëpunim ajo ka shkruar dhe në librin e saj. Unë punova shumë mirë me Xhanfisen, që ishte një regjisore e përkryer e dhënë me mish shpirt pas filmit dhe fëmijëve. Pra rregulli ishte që ne pasi vinim në Kinostudio kishim një periudhë prove para se të kalonim direkt tek filmi për ta bërë vetë.

-Çfarë ndodhte më pas?

Pasi mbaronte kjo periudhë si asistent me filmin, kërkoje dhe propozoje vetë për një film dokumentar në Kinostudio. Në Kinostudio kishte dhe një redaksi për skenarin, ku bënin pjesë regjisorët dhe skenaristët. Paraqiteshim gjithë javës atje dhe kur merrje punën për të bërë një skenar shkëputeshe si regjisor me skenaristin si autor dhe e diskutoje me detaje materialin e punoje. Si e shikonte regjisori, duhej parë ana letrare por duhej futur dhe këndvështrimi i regjisorit me skenarin. Bashkëpunonte regjisori dhe më pas fillonte filmi. Pasi mbaronte filmi pa u shfaqur në kinema mblidhej kolektivi krijues në Kinostudio që përbëhej nga regjisorë, operatorë, piktorë filmi, drejtorë filmi, që diskutonin për nivelin artistik dhe nëse kishte mangësira mund të ligjërohej sërish. Bëhej filmi jepej miratimi nga këshilli artistik dhe kolektivi krijues dhe më pas shkonte tek qeveria se si ishte filmi nga ana ideore, që vinin e shikonin nga Komiteti i Partisë. Kishte disa hallka filmi dhe për ne që sapo fillonim punë dhe kjo ishte si një shkollë ato vite, sepse shikonim se çfarë ndodhte me filmin.

-Si regjisor, filmi juaj i parë ka qenë “Në ditët e pushimeve verore”. Si ishte puna juaj me filmat deri në vitet ‘90?

Unë atë kohë e kam xhiruar në Durrës këtë film artistik. Na dhanë skenarin dhe unë kam qenë bashkautor në film me Drita Thanon. Ka qenë skenaristi Vath Koreshi, që tha në kolektivin krijues: ja pasardhësit e denjë të Xhanfise Kekos. Kjo sepse jo të gjithë bënin film për fëmijë, ishte aq sa i lodhshëm dhe i bukur, dhe ishte viti 1981. Pas këtij filmi vijova me filma të tjerë si “Mondi dhe Diana”, “Djali elastik”, “Fejesa e Blertës”, etj, si regjisor me krijimtarinë time si për të rritur dhe fëmijë. Por pas viteve ‘90 kur filmat u reduktuan duke qenë se nuk mund të rrija pa punë fati im i mirë ishte që atë kohë kërkuan një asistent regjisor për filmin “Amerika” të Gianni Amelios dhe unë fillova si asistent i tij. E kuptova që aty ishte koha flori. Nuk ishte si më parë kur në Kinostudio ne xhironim filma me paratë nga shteti, dhe nëse ikte një ditë aty kuptova se çdo gjë ishte para dhe kushtonte në xhirime. Në rast se thuhej që ky objekt është mendar për këtë skenë kur të vinte momenti i xhirimit nuk thuhej më që nuk ka ose nuk bëhet. Të gjitha duhej të ishin bërë në shesh të xhirimit.

-Çfarë ju shqetëson sot në kinematografinë shqiptare. Për ju ku qëndrojnë problemet me filmin artistik?

Te filmi artistik mund të them që sot ajo që është fituar është ritmi, që është më ndryshe se vite më parë. Kjo do të thotë që nuk mund të rrish 6 muaj që të bësh një film, sepse ato vite ne mund të shkonim dhe 6 muaj për një film. Tani ka ritëm sepse është leva e parave. Por mua si regjisor më shqetëson kjo që një njeri që merr film dhe i besohet nga QKK duhet të jetë i përgatitur. Dhe jo të jetë për herë të parë në punë me filmin artistik. Në rast se është për herë të parë edhe nëse e ka bërë shkollën le të ketë një film dokumentar më mirë në fillim. Jo kush ka mbaruar shkollën për regji të bëj film artistik direkt. Le të kalojë një periudhë me filmat e tjerë, dhe më pas të vijojë te ai artistik. Por dhe skenarët e filmit duhet të shikohen më me vëmendje nga QKK se sa vlejnë dhe jo se erdhi x dhe ka skenar filmi. Duhet të jetë specialisti ai që shikon skenarin nëse ia vlen për filmin. Ata që financojnë me paratë e shtetit duhet të mbajnë përgjegjësi se çfarë ndodh me filmin, qoftë QKK por dhe Ministria e Kulturës. Duhet të jenë kërkues për nivelin artistik kur japin paratë institucionet, duhet të këmbëngulin për cilësinë dhe vlerat që jep filmi.

-Jo vetëm regjisor, por ju jeni angazhuar dhe me role në filma. Pse?

Unë i bëja me dëshirë rolet në filma dhe nuk kërkoja para. Në filmin “Në pyjet me borë ka jetë” shkoja dhe bëja rolin, por ishte kënaqësi për mua. Roli im i parë ka qenë në filmin me regji të Gëzim Erebarës “Në fillim të verës”, luaja një ushtar italian.

-Si pjesë e komunitetit artistik, çfarë mendoni se duhet bërë më tepër nga institucionet për problemet në jetën artistike?

Buxhete për artin ka pak, por më duket se artisti nuk vlerësohet sa duhet nga shteti. Tani kam përshtypjen që artistët konsiderohen nga shteti si disa të punësuar, që duan një rrogë. Por jo nuk është kështu. Sikur janë njerëz që kanë zgjatur dorën dhe kërkojnë vetëm lekë, por nuk është kështu. Nuk bëhesh kollaj një Kadri Roshi, një Viktor Gjika, Dhimitër Anagnosti, Naim Frashëri etj. Nuk bëhesh dot kollaj artist dhe duhet kujdes dhe vëmendje nga shteti sot. Një artisti të talentuar duhet ti jepet punë dhe jo të sorollatet. Artistët kanë nevojë që të punojnë dhe të vlerësohen.

-Një nga kërkesat e artistëve është dhe statusi i munguar deri tani. Sa problem është kjo për ju?

Janë pa status sot artistët. Sot artistët janë të pavlerësuar dhe të pambrojtur nga asnjë anë. Si në Ministri të Kulturës apo dhe në teatër ata që drejtojnë duhet të kuptojnë se kush është i zoti dhe kush e meriton të punojë. Me ç’po dëgjojmë jo vetëm në fushën e artit, por dhe në fusha të tjera futen miqtë.

-Sa përgjegjësi ka Ministria e Kulturës për problemet në institucionet e artit?

Më vjen keq që institucionet e artit u lanë në këtë gjendje me probleme, pa investime prej vitesh. Ajo që unë mendoj është që në Ministri të Kulturës duhej të vijnë njerëz dhe specialistë që ta duan dhe ta njohin artin. Unë kam idenë që nuk e duan dhe mos flasin me slogane partie kur vijnë. Në Ministri të Kulturës duhet të vijnë njerëz që ta duan artin, që ta ndjekin dhe në fund të fundit në rast se janë dhe para që jep shteti, edhe një nga ministria mund të shkojë të shikojë se si punohet me xhirimin e një filmi. Dikur ne na vinin dhe kur xhironim në rrethe, na vinte një drejtor i Kinostudios ato vite për të parë. Pse nuk vjen dhe një përfaqësues nga Ministria e Kulturës kur bëhet fjalë për buxhete shteti që ta ndjekë se si punohet? Të rrijë një apo dy ditë dhe të shikojë se si punohet dhe xhirohet, apo marrin lekët dhe abuzohet? Ne kemi problem që nuk ka as treg për t’u shfaqur filmi. Nuk kemi kinematë.

-Sa problem është mungesa e kinemave sipas jush?

Është shumë problem, sepse vetëm në Tiranë janë 3 kinema, por në qytete të tjera mungojnë. Njëkohësisht duhet bërë dhe propaganda nga institucionet për filmin. Duhet të flitet shumë për filmin, xhirimi dhe tema që trajtohet, dhe jo vetëm një herë të thirret një skenarist apo regjisor në televizion dhe kaq mbaroi puna. Kjo nuk mjafton për filmin.

Aktiviteti artistik nga 1972

Besim Kurti pas përfundimit të studimeve të larta në Institutin e Lartë të Arteve (sot Universiteti i Arteve) në 1972 po në këtë vit fillon punën në Kinostudion “Shqipëria e Re”. Në fillime punon si asistent regjisor me regjisoren e mirënjohur Xhanfise Keko (Artiste e Popullit) dhe me regjisorin Dhimitër Anagnosti (Artist i Popullit). Në vitin 1974 do të jetë dhe puna e tij e parë si as/regjisor në filmin “Qyteti më i ri në botë” të Xhanfise Kekos për të vijuar dhe në filmat “Në fillim të verës” me regjisorin Gëzim Erebara, “Njeriu me top” dhe “Përballimi” me regji nga Viktor Gjika, “Pas gjurmëve” dhe “Tingujt e luftës” po me regji nga Xhanfise Keko, “Mëngjese të reja” me regji nga Muharrem Fejzo, “Karnavalet e Korçës” dhe “Balonat” me regji nga Ismail Zhabjaku, “Kolonel Bunker” me regji nga Kujtim Çashku dhe “Amerika” me regji nga Gianni Amelio si dhe po asistent regjisor te “Tirana viti zero” të regjisorit Fatmir Koçi. Si regjisor përmendim filma për fëmijë dhe të rritur. “Në ditët e pushimeve verore”, “Mondi dhe Diana”, si dhe “Djali elastik” janë filma për fëmijë. Për të rritur janë “Fejesa e Blertës” kinokomedi muzikore, “Bardhësi”, “Tre veta kapërcejnë malin” dhe “Këmishat me dyll”. Në vitin 1977 do të jetë regjisor i filmit dokumentar “Bilbili i Labërisë”, kushtuar Heroit të Popullit, Memo Meto. Besim Kurti ka interpretuar edhe në disa filma artistikë. Roli i tij i parë do të jetë ai i ushtarit italian Mikele në filmin “Në fillim të verës” në vitin 1975.

Intervistoi: Julia Vrapi 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here