Bllokohet Gjykata e Lartë, kthehet në depo dokumentesh, viti 2018 mbyllet me 29 mijë dosje që presin të shqyrtohen

0
466

Gjykata e Lartë është kthyer në një depo dosjesh që nuk dihet se kur do shqyrtohen. Janë rreth 29 mijë dosje pezull të vendosura në salla dhe zyrat e gjyqtarëve që presin të shqyrtohen. Lajmi është bëri i ditur ditën e djeshme nga vetë Gjykata e Lartë. Përmes një njoftimi në faqen zyrtare të saj, zyra e shtypit e kësaj gjykate ka publikuar statistikat e vitit 2018, ku thekson faktin se deri në datën 31 dhjetor numërohen 28863 çështje në pritje për shqyrtim. “Sot më datë 09.01.2019, Gjykata e Lartë e Republikës së Shqipërisë, ka përfunduar përpunimin e të dhënave statistikore mbi aktivitetin e vendimmarrjes së saj për vitin 2018. Nga analiza e të dhënave statistikore, rezulton se ka një rritje të dukshme të çështjeve që presin të gjykohen. Numri i tyre (2018) arrin në 28.863. Ky vazhdon të mbetet problem shqetësues për veprimtarinë e Gjykatës së Lartë, pasi ndikon drejtpërdrejtë në ecurinë e administrimit të shpejtë dhe efektiv të drejtësisë”, thuhet në njoftimin e Gjykatës së Lartë. Por problematika me zvarritjen e dosjeve filloi në vitin 2015 kur anëtarëve të Gjykatës së Lartë u mbaroi mandati, ndërsa Konferenca Gjyqësore për shkak të problemeve të funksionimit nuk u mblodh për propozimin e gjyqtarëve të rinj. Në katër vitet e fundit gjykata vazhdoi punën me staf të reduktuar, ndërkohë që numri i çështjeve që kanë mbërritur për shqyrtim ka qenë i lartë duke krijuar kështu stokun e dosjeve në pritje për shqyrtim edhe pse të gjitha janë me afate. Vitin 2015, Gjykata e Lartë e mbylli me 13048 dosje të mbartura. Numri i çështjeve të shqyrtuara u rrit në 16127 në fund të vitit 2016. Një vit më pas, në 2017 situata u rëndua edhe më shumë me 22 000 dosje ende të pashqyrtuara. Si pasojë e mbarimit të mandatit të anëtarëve që nuk u zëvendësuan dhe shkarkimeve nga ana e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit gjatë procesit të vetingut, Gjykata e Lartë ka shqyrtuar vetëm 1673 dosje në vitin 2018 nga 7360 dosje që janë përfunduar në 2015. Aktualisht Gjykata e Lartë ka mbetur vetëm me 3 anëtarë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here