CIA zbardh detajet e kolektivizimit në Shqipëri, ja detyrat që regjimi komunist kishte ngarkuar për çdo sektor, të gjithë duhet të tejkalonin planin

0
719

CIA ka zbardhur synimet që kishte Bashkimi për Shqipërinë gjatë bashkëpunimit të vitit 1954. Sipas një dokumenti të deklasifikuar, Moska po synonte që ta forconte Shqipërinë për shkak të pozitës gjeografike. Më tej tregohet se si Mehmet Shehu u bë kryeministër me urdhër të tyre. po ashtu janë dhënë detaje nga procesi i kolektivizimit.

Shkurt 1950

Kolektivizimi

Fermat individuale me deri në dhjetë kokë bagëti ose dhi për hektar, duhet t’i dorëzojnë shtetit 1.25 kg lesh, ndërsa ato me 21 deri në 40 kokë duhet të dorëzojnë edhe 0.7 kg më shumë. Fermat kolektive të bagëtive duhet të dorëzojnë te shteti 0.4 kg lesh për çdo kokë dele ose dhi. Rezidentët qytetarë që zotërojnë pesë ose më pak bagëti nuk janë të detyruar të dorëzojnë lesh. Leshi i dorëzuar sipas kuotave të mësipërme duhet të jetë i pastër dhe i prerë nga gjedhët lokale, i thatë dhe me jo më shumë se 3 për qind lëndë të huaj. Leshi nga bagëtitë e vdekura ose të pista nuk pranohet. Dorëzimet e detyrueshme të kuotave të leshit duhet të bëhen brenda datës 30 korrik, përveç rasteve kur individët ose fermat kanë afatin e tetorit. Fermat që nuk kanë bagëti mund të lejohen nga i plotfuqishmi të shlyejnë detyrimet e tyre në produkte të tjera sipas kësaj shkalle të krahasimit; 1 kg lesh i barabartë me 5 kg mish, katër kilogramë mish shpendësh, 60 vezë, 800 gramë gjalpë, 7 kg fasule, 1 kg dhjamë, 24 kg drithë, ose 1 kg vaj ulliri. Çdo person që nuk plotëson kuotat e tij të dorëzimeve peshon konfiskime të menjëhershme nga i plotfuqishmi. Ata që refuzojnë të bëjnë dorëzimet, fshehin apo shkatërrojnë leshin, ndiqen penalisht për pengim të tregtisë, spekulim, spiunazh dhe sabotazh. Fermerët që zotërojnë deri në 40 kokë lopë duhet t’i dorëzojnë shtetit 32 kg mish për çdo hektarë tokë.

Plani i misrit

Sipas të dhënave të komitetit bujqësor plani i mbledhjes së misrit në të gjithë Shqipërinë është realizuar në masën 71.1 për qind. Rezultate të mira u arritën në rrethin e Gramshit ku plani u realizua në 94.6 për qind, Pogradec 86.5 për qind, në Peshkopi 88.3 për qind dhe në Korçe 85.2 për qind. Në zonat e tjera fushata e korrjeve ishte mbrapa me organizimin e punës. Në Vlorë plani u realizua në vetëm 48.3 për qind, në Fier 53.5 për qind, në Lushnje 57 për qind dhe në Tepelenë 64.6 për qind. Afati i fundit për dorëzimet e misrit ka kaluar tashmë dhe komitetet ekzekutive të zonave shkelëse duhet të marrin masa serioze edukative dhe organizative kundër kulakëve që pengojnë realizimin e planit. Sipas vendimit të këshillit të ministrave të 31 dhjetorit 1949, pas realizimit të planit të dorëzimeve bujqësore, është e lejueshme shitja e lirë e tepricave të thekrës, tërshërës, elbit dhe produkteve të tjera dytësore në rrethet e Burrelit, Lushnjes, Elbasanit, Beratit, Pogradecit e Tiranës. Vendimi lejon dhe shitjen e lirë të tepricave të misrit në rrethet e Pukës e Burrelit, pas realizimit në 100 për qind të planit të dorëzimeve.

Shkurt 1954

Hotelet dhe hanet

Në Shqipëri nuk ka hotele në pronësi private apo me administrim privat, ato të gjitha zotërohen dhe administrohen nga shteti. I vetmi hotel luksi në Shqipëri është hotel Dajti në Bulevardin Shqipëria e re. Ai është ndërtuar nga italianët në vitet 1944-1945, ndërsa tani përdoret për rezidencën e misioneve të huaja diplomatike ose të qytetarëve të privilegjuar shqiptarë si deputetë, anëtarë të komitetit qendror të partisë, ose drejtorë fabrikash e institucionesh. Çmimi për një dhomë është 300 lekë nata. Tirana ka gjithashtu hotele ku mund të qëndrojnë të gjithë qytetarët që mund të bëjnë pagesën 100 deri në 200 lekë nata. Dhomat janë energji elektrike dhe ujë të rrjedhshëm. Në disa hotele dhomat kanë banjë private. Përveç rreth dhjetë hoteleve, në Tiranë është dhe Bujtina e Shoqatës së Invalidëve, fitimet e së cilës shkojnë për Shoqatën e Invalidëve. Në qytetin e Durrësit ka vetëm tre hotele: Vollga, Hotel Adriatik dhe Shtëpia e Beqarit ku mund të akomodoheshin vetëm oficerët e forcave të armatosura dhe pagesat u zbriteshin nga rrogat. Në Shkodër ka tre hotele me rrymë elektrike dhe ujë të rrjedhshëm, Hotel Kafja e Madhe, Hotel Internacional, Hotel Ballkan. Në qytetin e Kukësit ka dy hotele të njohur si hoteli 1 dhe hoteli 2. Dhe në qytete të tjera të vogla të Shqipërisë hotelet mbajnë numra e jo emra.

Hanet

Hanet janë tipi i cilësisë së ulët të hoteleve dhe ndodhen zakonisht në periferi të qyteteve të mëdha ose në qendra të vogla dhe nuk kanë as rrymë elektrike, as ujë të rrjedhshëm. Në rrethinat e Tiranës ka tre-katër hane, një në Kukës dhe tre në Shkodër. Dhomat e tyre ndriçohen me llamba vajguri dhe kanë legenë për larje. Ato nuk kanë as krevate të ndara dhe njerëzit rastis që flenë dhe 10-15 veta në një dhomë. Çdo klient merr vetëm dy batanije nga i zoti i hanit, dhe fle në rrogoz kashte. Çmimi për një person është 50 lekë nata ndërsa po aq kushton dhe strehimi i kafshës së tij të transportit ose të punës.

Dokumentacioni i kërkuar

Për t’u akomoduar në hotel nevojitet letërnjoftimi. Nëpunësi i hotelit shënon të gjitha të dhënat dhe ia kthen letërnjoftimin të zotit. Oficerët e sigurimit mund të kontrollojnë hotelet gjatë natës, ose dhe dhomat e klientëve nëse ka dyshime për çifte të pamartuara. Sipas rregulloreve të hotelit vetëm çiftet e martuara mund të qëndrojnë në një dhomë hoteli dhe për këtë duhet të kenë me vete dokumentin e celebrimit. Nëse një person nga Tirana shkon për shembull në Kukës, ai nuk ka nevojë të lërë letërnjoftimin në hotel. Në qytezat e vogla nuk ka hotele ose hane dhe nj qytetar i zakonshëm mund të gjejë akomodim vetëm duke trokitur në dyert e shtëpive dhe të kërkojë mikpritje. Kjo mënyra zakonisht sjell rezultat në veri të Shqipërisë, ku mikpritja i jepet çdokujt sipas rregullave të fesë myslimane, ndërsa në jug të Shqipërisë situata varet nga zgjedhja e çdo familjeje.

Administrata e hoteleve

Hotelet shtetërore administrohen nga ndërmarrja tregtare e hoteleve e restoranteve e vendosur pranë ish-kafe Berlin në bulevardin Shqipëria e Re. Ajo ndihmohet nga ndërmarrja tregtare e Vesh-Mbathjes në rrugën e Barrikadave dhe nga ndërmarrja e artikujve të përzier, në furnizimet e hoteleve e restoranteve, si dhe nga kooperativat e ndryshme për furnizimet ushqimore.

20 gusht 1954

Rekrutim i agjentëve në Durrës e Bari

Zyra jonë ka marrë informacione që prej pranverës se ka pasur një rritje të aktivitetit ushtarak e politik në Shqipëri. Situata të bën të besosh se Bashkimi Sovjetik mund të ketë ndërmend të përdorë pozitën gjeo-strategjike të Shqipërisë më shumë nga sa besohej më parë. Prandaj ne kemi përqendruar burimet dhe personelin tonë për marrjen e informacione shtesë.

Informacione të besueshme

Gjatë muajve maj-korrik 1954 jemi siguruar nga burimet dhe me anë të observimeve se aktiviteti i trafikut detar mes BRSS dhe Shqipërisë është shtuar shumë. Ka pasur shtim të materialeve të transportuara drejt Shqipërisë, i konfirmuar nga një burim i krijuar së fundmi. Ngarkesat e mallrave në portin e Durrësit janë shtuar dhe provat fotografike tregojnë se ka nisur puna në instilacionet e mbrojtjes. Tre mjete detare janë dalluar së fundmi, një pranë Durrësit dhe dy në Vlorë, të vëzhguara nga mjetet e marinës italiane dhe të konfirmuara nga burimi ynë i ri në Durrës. Shtim të aktivitetit ka pasur edhe në qiejt shqiptarë, duke përfshirë stërvitje ajrore gjatë ditës në Durrës. Fuqia e personelit ushtarak sovjetik në Shqipëri është shtuar në 400 njerëz, ndërsa disa ushtarakë shqiptarë janë dërguar për stërvitje dhe trajnim në bazën sovjetike të Odesa. Disa zyrtarë të forcave ajrore janë dërguar për stërvitje në Sevastopol. Kohët e fundit ka nisur një riorganizim i gjerë i forcave të armatosura shqiptare. Një numër ushtarakësh nga Gjermania Lindore ka ardhur në Shqipëri në rrugë detare nga Gdynia. Është raportuar prezenca e tre nëndetëseve ruse në ujërat shqiptare, teksa raportohet se së shpejti marina sovjetike do të kalojë një luftanije, tre korveta dhe tre barka më të vogla ushtarake, për ushtrinë shqiptare.

Aktiviteti politik

Padyshim, Enver Hoxha është zëvendësuar në postin e kryeministrit nga Mehmet Shehu me urdhër të sovjetikëve. Ndryshime ka pasur dhe në organe të tjera të administratës, duke shtuar mjetet e kontrollit për sovjetikët si në nivele të larta edhe më të vogla. Duke pasur parasysh këtë situatë, mund të arrihet në konkluzionet se Bashkimi Sovjetik nuk e konsideron më Shqipërinë si një bazë të largët të pambrojtshme, por përkundrazi duket se po përpiqet ta forcojë Shqipërinë ushtarakisht dhe politikisht, për ta kthyer në një pikë të shfrytëzueshme të zonës gjeografike të një aleance të re Ballkanike. Sinjalizimet tregojnë se shfrytëzimi ushtarak i Shqipërisë mund të bëhet vetëm për qëllime ofensive, gjë që bie në kundërshtim me ritmin e ngadaltë politik dhe ekonomik të së shkuarës, që të bënte të besoje se strategjia sovjetike kishte vetëm qëllime mbajtjeje. Rikujtojmë se informacioni i referohet vetëm disa zonave të Shqipërisë, dhe për periudha kohe të caktuara. Por është logjike të supozojmë se rritja e aktivitetit të mësipërm mund të shtrihet në të gjitha zonat e Shqipërisë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here