Dëbora “pushton” Shqipërinë, ndërpritet mësimi në qindra shkolla, ja situata në zonat kryesore

0
466

Dëbora ka pushtuar dje qytetet kryesore të vendit, duke krijuar mjaft probleme. Reshjet e dendura të dëborës dhe temperaturat nën zero kanë sjellë pezullimin e mësimit në disa shkolla të vendit. Në zonën e Korçës mësimi është ndërprerë në shkollën e Floqit dhe në Devoll në shkollat Vibohovë, Shuec, Dobranj dhe Zagradec, ndërsa në shkollat e tjera të këtij qyteti mësimi u zhvillua me orë të shkurtuara. Ndërsa në Ersekë në shkollat e fshatrave Boshanj, Mesiçkë, Butkë dhe Shalës është pezulluar mësimi. Edhe në Pogradec ka pasur mbyllje të shkollave në zonën e Mokrës së Sipërme dhe të Poshtme. Por reshjet e dëborës sollën për herë të parë pezullimin e mësimit në të gjithë qarkun e Gjirokastrës. Atje ka pasur probleme edhe me energjinë elektrike, e cila është ndërprerë në disa zona të vendit, sikurse në fshatin Suh e Topovë të komunës Zagorie në rrethin e Gjirokastrës. OSHEE ka bërë me dije se punonjësit e saj gjenden në shërbim pavarësisht terrenit të vështirë që kanë hasur e problemeve të motit. “Punonjësi Xhafer Avduli duke iu përgjigjur detyrës në shërbim të abonentëve të fshatrave Suh dhe Topovë, pavarësisht terrenit të vështirë, për riparimin e fiderit Zagorie”, thuhet në njoftimin e OSSHE.

Situata në disa zona

Gjithashtu në Gjirokastër janë bllokuar edhe tre barinj, dy prej të cilëve janë identifikuar si Alket Nikolli dhe Ali Dosti nga Golemi. Në këtë qytet është mbledhur edhe Shtabi i Emergjencave Civile për të vendosur mënyrën sesi do t’i zhbllokojnë barinjtë. Por, autoritetet thonë se barinjtë kanë shkelur kontratat për kullotat verore. Mësimi në shkollat e qytetit të Përmetit ka nisur normalisht, pavarësisht orëve të shkurtuara dhe pjesëmarrjes së ulët, ndërsa ne Çarshovë, Frashër, Petran mësimi është ndërprerë për shkak të bllokimit të rrugëve. Por reshje të dendura të dëborës ka pasur edhe në pjesën veriore të vendit, në Kukës, Pukë, Mirditë. Me urdhër nga Drejtoria Arsimore, edhe në këto qytete është ndërprerë procesi mësimor. Edhe rrethi i Krujës është mbuluar nga dëbora duke sjellë edhe aty ndërprerje të mësimit. Reshje të dendura dëbore ka pasur edhe në qarkun e Elbasanit. Në këtë qytet ka ngelur e bllokuar edhe një nënë e re në fshatin Labinot-Katund, e cila është ndihmuar nga një infermiere e zonës për të sjellë në jetë foshnjën. Pavarësisht situatës meteorologjike, Drejtoria Arsimore në Elbasan ka dhënë urdhër të vijimin normal të procesit mësimor. Ky fillim viti, e gjeti Shkodrën të mbuluar nga dëbora. Reshjet e dendura që kanë përfshirë këtë qark kanë sjellë edhe mbylljen e shkollave në Dukagjin dhe në Vaun e Dejës

Reagon prefekti i Kukësit

Prefekti i qarkut të Kukësit, Zenel Kuçana, tha se situata në këtë qark është më e mirë de e përballueshme se viti i shkuar. Kuçana u shpreh se janë ndërmarrë të gjitha masat për të përballuar situatën. Prefekti deklaroi se mësimi është ndërprerë në disa shkolla. “Në disa shkolla për shkak të mosfunksionimit të kaldajave mësimi është bërë me orë të reduktuara dhe në disa shkolla mësimi është ndërprerë. Kemi marrë të gjitha masat me ilaçe dhe ushqime edhe në zonat e bllokuara. Segment të bllokuar mund të ketë në zona të thella, bashkia po punon për zhbllokimin e tyre. Situata, e zakonshme. Edhe më e mirë se viti i shkuar”, tha Kuçana.

Elisjeda Kiko

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here