Ilir Sula sjell një histori shqiptare në filmin “Sfida”, premiera gati për t’u shfaqur brenda 2019

0
72

Filmi artistik “Sfida” pritet premierë këtë vit për publikun. Një film me skenar dhe regji nga Ilir Sula , që trajton një temë të ditës dhe ka në qendër njeriun e thjeshtë. Filmi sjell në role aktorë si Birçe Hasko, Suela Konjari dhe Bujar Asqeriu. Në qendër të filmit “Sfida” është një grua, e cila ka ngritur një fasoneri me kurajo të madhe, duke u përballur me konkurrencën dhe një treg të vështirë në këtë fushë, qeraja e lokalit, siguracionet, rrogat e grave të punësuara, etj. Kur tregu për shitjen bëhet i vështirë, e sjellin atë në pozita të vështira falimentimi. Por në jetë ka të papritura, dikush i afrohet për ndihmë, ngjarjet rrokullisen në situata të reja dramatike. Si do të vejë fundi i kësaj gruaje të dëshpëruar, e cila jeton e vetme me vajzën e saj? Gjithmonë në jetë ka një forcë energjie, që qënies njerëzore i jep kurajo, për të arritur që të jetë diçka në jetë, duke menaxhuar mirë personalitetin njerëzor. Xhirimet e filmit “Sfida” u bënë në vitin që lamë pas dhe vjen si një produksion i ri nga “Production Cinemania” me producent Skënder Jaçe. I njohur me aktivitetin e tij me kinematografinë këtë herë si producent Skënder Jaçe tregon se jo vetëm kjo premierë është në planet e këtij viti, por dhe projekti “Open Cinema”, si dhe një tjetër film vizatimor me regji nga Endri Beqo. “Në Tiranë këtë vit ne jemi me dy premiera filmi shqiptar njëri artistik dhe është ai me titull “Sfida”, dhe tjetri vizatimor me regji nga Endri Beqo. Por në projektet tona do të vijojë dhe formati “Open Cinema” në disa qytete të vendit”, tregon producenti Skënder Jaçe. Për filmin dhe xhirimet që janë bërë në qytetin e Korçës producenti Skënder Jaçe tregon se puna atje ka ngjallur shumë interes tek qytetarët. “Aktorët në role merrnin vëmendjen e tyre”, vijon producenti.

Puna me filmin në Korçë

Tre aktorët Birçe Hasko, Suela Konjari dhe Bujar Asqeriu në ditët e xhirimit kanë marrë dhe vlerësimin nga qytetarët në Korçë. Producenti Skënder Jaçe shprehet se qindra sy e ndiqnin me admirim në sheshin e xhirimit në qytetin e Korçës aktorin e njohur profesor Birçe Hasko, duke pohuar se është një vlerë, që rrallë do ti vijë filmit shqiptar. “Gjatë kohës që ai përgatitej të fillonte xhirimin vjedhurazi i bëmë disa foto nga pas. Hapat e tij me bastunin në rol, dukeshin sikur i thonin pleqërisë: “Ti s’më mund dot”. Ecte dhe përsëriste rolin me një emocion që vetëm artisti e përjeton aq bukur. Pasi filloj xhirimi, u bënë dy dubla, regjisori nuk po ndihej mirë. Dhe kishte të drejtë. Madhështia e këtij aktori përpara dy infermiereve në role episodike, bëri që ato fillimisht të hutohen dhe të ngatërrohen, por ai di ti nxjerri nga hutimi”, tregon producenti Jaçe. Suela Konjari për producentin e filmit është një artiste e roleve të bukura, dhe ishte kënaqësi që ishte në rolin kryesor. “E qeshur e dashuruar me punën i dha jetë rolit të saj në këtë film. Gjatë xhirimit në parkun e madh të Korçës u grumbulluan shumë njerëz, të cilët ndiqnin interpretimin e aktorëve gjatë xhirimit. Një studente e mahnitur pas Suelës ju afrua afër dhe i tha e habitur: Të ndoqa kur të xhironin dhe ti qave origjinal pa venë asnjë gjë në sytë e tu, si është e mundur? Ky, është shpirti i artistit ta zbërthej rolin, duke dhënë anën emocionale të tij, sa me ndjenjë aq origjinale”, vijon producenti. Me aktorin Bujar Asqeriu sipas producentit është komode të punosh, ai është komunikues i thjeshtë me të gjithë në grupin e xhirimit. “Por dhe këmbëngulës e punëtor për realizimin e rolit, aspak euforik për atë çka ka arritur deri më sot, ndaj të gjithë e duan njerëzit e thjeshtë e respektojnë. Kudo e ndalonin rrugëve të qytetit të Korçës e përqafonin nga do, ndalonin për një foto, të rinj e të reja i merrnin autograf, ky është shpirti i artistit i cili me energjinë e tij nëpërmjet roleve, karaktereve që ka krijuar ka përcjellë te populli i vet mesazhin e duhur gjatë karrierës se tij artistike”, shprehet producenti. 

Nga Julia Vrapi

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj