Korrupsioni në drejtësi nis nga drejtuesit, 8 kryetarë gjykatash e prokurorish të shkarkuar nga 12 të futur në veting

0
405

Kryetarët e gjykatave dhe prokurorive në vend deri tani kanë rezultuar me probleme të shumta përpara Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Korrupsioni në gjykata dhe prokurori ishte një problem që doli në pah gjatë procesit të vetingut, por një gjë tjetër që u vu re ishte fakti se ky fenomen niste që nga “kokat” e institucioneve. Deri tani para KPK kanë dhënë llogari 12 kryegjyqtarë dhe drejtues prokurorish, por pjesa më e madhe e tyre kanë ngelur në veting. Një fat të tillë rrezikon të ketë edhe kryetari i Gjykatës së Kurbinit, Alfred Gjoni. Seanca dëgjimore për të u zhvillua dje, ndërsa nuk ishin të pakta problemet e konstatuar nga trupa gjykuese për kriterin e pasurisë dhe aftësisë profesionale. Sipas relatorit të çështjes, Gjoni kishte përdorur pa deklaruar tre makina, ku në një rast makina ishte huazuar nga një person me inicialet L. N.. Ndërkohë gjyqtari Alfred Gjoni kishte pasur çështje në të cilën ishte përfshirë ky person, ndërsa në një rast tjetër, kishte përfshirë në dispozitivin e një vendimi për ndarje trashëgimie një person me inicialet A. N., i cili ishte i vdekur dhe për të cilin nuk ishin bërë verifikime. Një makinë e dytë e përdorur nga gjyqtari rezultoi në pronësi të një avokati, i cili po ashtu kishte përfaqësuar klientë në disa çështje me gjyqtarin Gjoni. “Gjatë shqyrtimit të aftësive profesionale u gjetën 6 dosje me zvarritje tej afateve normale. Një çështje është zvarritur për katër vjet. 3 çështje të tjera janë gjetur me vendime të paplota”, tha relatori. Sa i takon kriterit të pasurisë, Alfred Gjonit iu gjetën probleme me një shtëpi të blerë në 2001. Kësaj pasurie rreth 60 metra katrorë i ishte bërë një shtesë 47 metra. Sipas relatorit, çmimi i blerjes së shtëpisë në vitin 2001 ishte më i ulët se çmimi sipas Entit Kombëtar të Banesave, ndërsa ka paqartësi edhe për një shtesë në vitin 2013. KPK po ashtu tha se kishte gjetur probleme sa i përket likuiditeteve në para të gjykatësit, ndërsa shtoi se Gjoni nuk kishte provuar me dokumente një ndihmë financiare të marrë nga babai dhe vëllai. Probleme po ashtu u vunë në dukje edhe në lidhje me një apartament në përdorim nga Gjoni në qytetin e Durrësit.

8 krerët e gjykatave dhe prokurorive të shkarkuar

Duke marrë parasysh të gjitha këto probleme të listuara gjatë seancës dëgjimore, mund të themi se kryegjyqtari i Kurbinit, Alfred Gjoni rrezikon të shkarkohet. Në këtë mënyrë ai do ta çonte në nëntë numrin e krerëve të gjykatave dhe prokurorive në vend të shkarkuar nga vetingu. Sipas bilancit, deri tani në sitë kanë kaluar 12 drejtues gjykatash dhe prokurorish, pa llogaritur këtu Alfred Gjonin dhe Arben Zefin, por vetëm 4 prej tyre kanë arritur të rikonfirmohen në detyrë. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e nisi valën e shkarkimeve në radhët e kryetarëve të gjykatave me Entela Priftin. Shkarkimi i kryetares së Gjykatës së Apelit Civil Korçë u pasua nga shkarkimi i kryetares së Gjykatës së Apelit Civil Vlorë, Alma Liçaj, ndërsa më pas u vijua edhe me largimin e kryetarit të Gjykatës së Korçës, Admir Belishta dhe të Gjykatës së Beratit, Agron Vavla. Për të katër këta emra, problemi kryesor që iu “hodhi në erë” karrierën ishte pasuria. Edhe kryegjyqtari i Pukës, Izet Kadana u largua për 15 vite nga sistemi i drejtësisë sepse u konsiderua i papërshtatshëm për të vijuar detyrën. Midis krerëve të gjykatave të shkarkuar në vend bën pjesë edhe emri i Bashkim Dedjes apo edhe ai i kryegjyqtarit të Sarandës, Alltun Çela i shkarkuar vetëm dy ditë më parë. Ndërsa krerët e gjykatave dhe prokurorive të rikonfirmuar në detyrë deri tani janë: Xhezair Zaganjori, Arta Marku, Eloida Goxhi, Emona Muçi. Ndërsa pa vendim janë kryegjyqtari i Shkodrës, Arben Zefi dhe Alfred Gjoni, por të dy rrezikojnë shkarkimin.

Mimoza Ibra

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here