Ulet çmimi i naftës

0
72

Çmimi i naftës është një nga problemet që denoncojnë gjithnjë drejtuesit e automjeteve. Uljet në bursë reflektohen shumë ngadalë në vendin tonë por krejt e kundërta ndodh me rritjen e saj. Në ditët e fundit është vënë re një ulje e lehtë e çmimit të naftës në vendin tonë, për herë të dytë brenda dy muajve të fundit. Në pikat e tregtimit me pakicë në vend, nafta po tregtohet me 5 lekë për litër më pak, duke e çuar rënien totale në 10 lekë për litër.

Në pikat e tregtimit të naftës një litër naftë tregtohet me 172 ose 170 lekë dhe një litër benzinë me 173 lekë, nga 182-183 lekë që arritën çmimet e karburanteve në fund të muajit tetor, kur dhe nafta në bursa u ngjit për pak ditë në 80 dollarë për fuçi. 
Në Shqipëri, nafta ka zbritur sërish në nivelet e fillimit të 2018-s, pasi ishte rritur dy herë përgjatë vitit të kaluar, në qershor dhe në tetor, me përkatësisht nga 5 lekë për litër.

Operatorët e tregut pohojnë se rënia e çmimeve është reflektim i tregjeve ndërkombëtare, ku nafta pasi zbriti në 50 dollarë për fuçi, në fund të dhjetorit aktualisht po tregtohet me 60 dollarë për fuçi.

Pavarësisht rënies, çmimet e karburantit në Shqipëri kanë kaluar ndër më të shtrenjtat në botë. Sipas Global Petrol Price, që publikon çmimet e karburantit në gjithë botën, benzina në Shqipëri është 1.48 euro për litër, e 12-a më e shtrenjtë në botë, pas shteteve që kanë të ardhura për frymë shumë më të larta sesa ne: si Hong Kongu, Monako, Holanda, Italia, Greqia. Shqipëria bën përjashtim nga rregulli i përgjithshëm që konstaton Global Petrol Price: “Në përgjithësi, vendet më të pasura kanë çmime më të larta ndërsa shtetet më të varfra dhe vendet që prodhojnë dhe eksportojnë naftë kanë çmime në mënyrë domethënëse më të ulëta”.

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj