Policia Rrugore paralajmëron drejtuesit e automjeteve: Nuk do t’ju lejojmë të qarkulloni pa zinxhirë, reduktoni shpejtësinë

0
384

Në lidhje me situatën e rënduar në pjesën më të madhe të vendit reagoi dje edhe Policia Rrugore. Fillimisht ishte shefi i Policisë Rrugore, Skënder Ismaili ai i cili paralajmëroi drejtuesit e automjeteve se nëse nuk janë të pajisur me zinxhirë, nuk do të lejohet qarkullimi i tyre. “24 orët e fundit shoqërohen me një mot të rënduar me reshje dëbore në pjesën më të madhe të vendit. Kemi të bllokuara disa komuna në Qarkun e Shkodrës, Kukësit dhe të Dibrës. Më rrezik paraqet qarkullimi deri në orën 16:00 dhe Qarku i Gjirokastrës. Ka reshje të dendura të dëborës në Qafën e Muzinës, Shkalla e Zezë në Tepelenë dhe Rruga e Përmetit që qarkullohet me shumë vështirësi. Aktualisht në gjithë vendit patrullojnë 46 patrulla të policisë rrugore. Deri në orën 16:00 paraqet vështirësi Qarku i Dibrës, veçanërisht komunat. Policia nuk do të lejojë asnjë mjet të qarkullojë pa zinxhirë deri në orët e mëngjesit. Ky është problem i marrjes së masave të sigurisë për të gjithë drejtuesit e mjeteve”, tha Ismaili në një studio televizive.

Ndërsa Drejtori i Policisë Rrugore, Mit’hat Tola kërkoi nga drejtuesit e automjeteve që të bëjnë kujdes me shpejtësinë dhe parakalimet. “Të reduktohet shpejtësia. Të vendosen zinxhirët. Të evitohen parakalimet. Të ecin me marshin e dytë, të evitojnë frenimet. Të jenë shumë të përqëndruar deri sa të dalin nga zona e vështirë. Ne kemi kulturë të vogël në drejtimin e mjeteve në Shqipëri. Kemi edhe drejtues mjeti asocialë. Duhet të kemi lirinë tonë dhe të mos cenojmë atë të tjetrit”, tha Tola. Sipas tij, për shkak të akullit dhe pakujdesisë së shoferit ka ndodhur edhe një aksident pa pasoja në jetë njerëzish në segmentin rrugor Lezhë-Shkodër. “Para se të nisen qytetarët duhet të informohen. Megjithatë policia është në terren për t’i ndihmuar gjithmonë”, u shpreh Mit’hat Tola. Duke e ndalur theksin tek ndërrimi i gomave dhe përdorimi i zinxhirëve, Mit’hat Tola deklaroi se Policia Rrugore do të fillojë presionin pozitiv vitin tjetër para se të nisë dëbora që shoferët të jenë të pajisur me goma universale. 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here