Shtetet e Bashkuara të Amerikës kundërshtojnë shumë fort ndikimin e Rusisë në Shqipëri. Me qëllim që kjo gjë të mos ndodhë, SHBA ka planifikuar për vitet e ardhshme që të zhvillojë strategjitë ushtarake të vendit tonë me qëllim që të kemi mundësi të vetëmbrohemi. “Shtetet e Bashkuara kanë një mundësi gjatë disa viteve të ardhshme për të siguruar zbatimin e vazhdueshëm të reformave kritike në Shqipëri, ndërsa kundërshtojnë ndikimin rus në këtë vend të rëndësishëm ballkanik. Zhvillimi i aftësisë së Shqipërisë për të siguruar vetëmbrojtje dhe për të kontribuar në mbrojtjen kolektive të Aleancës së NATO-s do të rrisë sigurinë transatlantike, do të forcojë stabilitetin rajonal. Shqipëria do të jetë më mirë e përgatitur për të siguruar territorin e saj kundër kërcënimeve të sigurisë shtetërore dhe jo shtetërore, duke përfshirë trafikimin kriminal, fatkeqësitë natyrore dhe krizat humanitare.
Duke zhvilluar aftësitë ushtarake, kjo përpjekje do t’i mundësojë Shqipërisë të zgjerojë pjesëmarrjen e saj në operacione jashtë Aleancës dhe koalicionit”, thuhet në planin e SHBA. Ambasadori i ri i SHBA do të punojë që Shqipëria të jetë një aleat shumë i rëndësishëm në NATO. Në raport shtohet se një tjetër pikë ku do të fokusohen amerikanët do të jetë edhe ajo e ndërtimit të kapaciteteve të Shqipërisë për të trajtuar sfidat e migracionit dhe trafikut. “Shtetet e Bashkuara po punojnë për ta transformuar Shqipërinë në një aleat më të aftë të NATO duke rritur kapacitetin dhe ndërveprimin e Forcave të Armatosura shqiptare, duke mbështetur vendosjen e trupave të Shqipërisë në misionet e NATO dhe operacionet e tjera ndërkombëtare dhe duke promovuar rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen shqiptare. Ne do të ndihmojmë në ndërtimin e kapaciteteve të Shqipërisë për të trajtuar sfidat transnacionale, si migracioni dhe tregtia e paligjshme e kontrabandës apo sendeve të ndjeshme. Misioni diplomatik do të punojë me aleatët e NATO dhe BE për të ndihmuar Shqipërinë për të gjetur mundësi për të trajtuar kërcënimet e vazhdueshme dhe ato në zhvillim, duke përfshirë luftimin e terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm”, thuhet në planin 4 vjeçar të SHBA për Shqipërinë.