Trajneri i Levantes i jep lajm të keq Sadikut: S’je në planet e mia, largohu!

0
56

Trajneri Kristian Panuçi “qahej” vazhdimisht se skuadra nuk ia doli të paraqitej si duhet në Ligën e Kombeve për shkak se pati mungesa të shumta të lojtarëve cilësorë, që sollën një rënie të cilësisë e për pasojë edhe mosarritjen e objektivave. Ishin lojtarë me peshë si Odise Roshi, Amir Abrashi, Burim Kukeli, Ermir Lenjani (përkohësisht), por mbi të gjitha sulmuesi Armando Sadiku. Elbasanasi është pjesë e Levantes në kampionatin spanjoll, por ai prej disa muajsh nuk luan pasi është dëmtuar dhe mund të kthehet në fushë vetëm në fund të muajit shkurt ose në fillim të muajit mars. Sadiku pësoi një dëmtim të rëndë dhe iu nënshtruar operaciuonit, dhe si pasojë e këtij dëmtimi humbi krejtësisht pjesën e parë të sezonit aktual në La Liga spanjolle. Duke parë këtë situatë të rëndë dhe mungesën e gjatë të tij, klubi u bazua tek shërbimet e futbollistëve të tjerë dhe pavarësisht se Sadiku po rikuperohet dhe po e kalon tërësisht dëmtimin, ai nuk është më në planet e trajnerit trë tij Pako Lopez. Madje vetë trajneri ka dhënë një intervistë në mediat spanjolle ku ka zbuluar se rikuperimi i sulmuesit të Kombëtares së Shqipërisë po ecën shumë mirë dhe Sadiku gëzon formë të mirë, por ai pranoi publikisht hapur se nuk e llogarit lojtarin në projektin e tij të vazhdimësisë dhe i sugjeron që të largohet nga Levante e të gjejë një skuadër tjetër për objektivat e karrierës së tij. “Sadiku është çdo ditë e më mirë. Është stërvitur me grupin normalisht, por ai e di shumë mirë që situata për të në skuadër është e vështirë. Përpara se të dëmtohej ia kishim bërë të qartë se nuk mbështeteshim më tek ai. Por, për momentin është e rëndësishme që të rikuperohet sa më mirë të jetë e mundur”, ka thënë trajneri i Levantes në konferencën për shtyp. Një qëndrim i tillë dëshmon se Levante nuk e do më Sadikun dhe futbollisti do të përpiqet të gjejë skuadër që në këtë merkato dimri, për të vijuar karrierën e tij në një klub të ri, ndoshta në Zvicër, atje ku ka pasur mjaft ekipe që kanë shprehur interesim për të.

Napoli presion Hysajt: Respekto kontratën, mbylle gojën!

E ndërsa Sadiku nuk ka më vend tek Levante, një tjetër lojtar i Kombëtares kuqezi po vuan në këtë periudhë. Dhe jo një lojtar dosido, por mbrojtësi më i mirë dhe njëherësh lojtari më i shtrenjtë që kemi në përfaqësuesen e Shqipërisë. Bëhet fjalë për Elseid Hysajn, raportet e të cilit me Napolin dhe presidentin e klubit De Laurentis po shkojnë drejt prishjes përfundimtare. Shkak janë bërë deklaratat e forta të menaxherit të Hysajt, Mario Xhiufredi, i cili kërcënonte Napolin me largim nëse nuk i zgjidheshin hallet financiare futbollistit shqiptar. Në fakt, deklaratat e dhëna nga menaxheri i Hysajt pak ditë më parë, ku Mario Xhufredi kërkoi që të ketë një sqarim nga klubi në lidhje me situatën e mbrojtësit, kanë trazuar jo pak ujërat në shtëpinë napolitane. Siç dihet, Elseid Hysaj kërkon prej kohësh të largohet nga Napoli në drejtim të Anglisë, ku Çelsi i Sarrit po e kërkon me çdo kusht, por pengesë po bëhet klubi italian. Mediat italian raportojnë se ditën e sotme pritet të ketë një takim mes agjentit dhe drejtuesve të Napolit dhe gjithçka duket se mund të zgjidhet. Napoli kërkon që në drejtim të mbrojtësit, të ofrohen 50 milionë euro, aq sa edhe e parashikon klauzola e largimit, ose në të kundërt, nuk ka asnjë shans që të largohet. Nëse Çelsi është i gatshëm të paguajë klauzolën, atëherë mund të marrë mbrojtësin shkodran. Ka kohë, që Hysaj nuk është më titullar te Napoli dhe madje nuk po gjen as minuta e mesa duket, kjo situatë do të vazhdojë edhe në pjesën e dytë të sezonit. Nëse në zyrat e Napolit nuk paraqitet oferta 50 milionë euroshe, atëherë Hysaj duhet të mbyllë gojën dhe t’i bindet trajnerit Ançeloti. Pra, për Hysajn tek Napoli po vijnë ditë të vështira dhe klauzola po e mban “peng” mbrojtësin kuqezi.

Adriatik BALLA

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj