Hyjnë në fuqi masat anti-evazion, nuk mbyllet biznesi pa paguar detyrimet, një person nuk mund të ketë më shumë se 1 nipt

0
762

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka dhënë informacion lidhur me ndryshimet kryesore në ligjin nr. 9920, datë 19.05.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, që tashmë kanë hyrë në fuqi. Ndryshimet synojnë të kufizojnë mundësitë për të kryer evazion fiskal, si psh rastet kur individët mbyllnin një biznes për të shmangur detyrimet apo moskalimin në TVSh dhe hapnin një tjetër, apo kur një subjekt hapte disa NIPT për të ulur fiktivisht xhiron. Një ndër ndryshimet e tjera lidhet me faktin që tatimpaguesit, të cilët do të aplikojnë në Qendrën Kombëtare të Biznesit për të kaluar në status pasiv, do të duhet që më parë të kenë paguar të gjitha detyrimet tatimore. Numri i bizneseve që kalojnë në status pasiv u rrit ndjeshëm në 2018-n.

Ndryshimet

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, në vijim të informimit për Paketën Fiskale 2019, njofton të gjithë tatimpaguesit për ndryshimet kryesore në ligjin nr. 9920, datë 19.05.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, që tashmë kanë hyrë në fuqi. Kështu, një person fizik me të njëjtin numër të identifikimit personal regjistrohet vetëm një herë nga Qendra Kombëtare e Biznesit. Atij i lind e drejta të regjistrohet dhe të pajiset me një NIPT/NUIS të ri nga QKB vetëm pas çregjistrimit të NIPT-it/NUIS-it ekzistues. Ndërkohë, tatimpaguesit, të cilët do të aplikojnë në Qendrën Kombëtare të Biznesit për të kaluar në status pasiv, do të duhet që më parë të kenë paguar të gjitha detyrimet tatimore. Administrata Tatimore ka të drejtë të përdorë mënyra alternative vlerësimi të detyrimit tatimor të tatimpaguesit dhe të nxjerrë një vlerësim kur tatimpaguesi me status “person fizik tregtar”, i cili, për qëllime të shmangies tatimore dhe minimizimit të detyrimit tatimor, regjistron/mban më tepër se një numër identifikimi unik të subjektit, dhe dorëzon deklarata të veçanta për çdo NIPT/NUIS. Personi fizik tregtar i pajisur me NIPT/NUIS, për çdo veprimtari të re që kërkon të regjistrojë, pajiset me një certifikatë, me numër unik identifikimi të njëjtë me atë të regjistrimit, por me numër serial të ndryshëm, me qëllim identifikimin e vendndodhjes të veprimtarisë së re .Njoftimi dhe kërkesa për të paguar mund të bëhet edhe në rrugë elektronike. Nuk është më detyrim pagesa e kamatëvonesës, në rastet e apelimit/ankimimit.

Penalizimet

Deklarim i pasaktë konsiderohet edhe rasti kur, si rezultat i një kontrolli tatimor, bëhet rivlerësim në ulje i tepricës kreditore të tatimpaguesit. Në këtë rast tatimpaguesi penalizohet me gjobë 20 % të diferencës ndërmjet tepricës kreditore të deklaruar me tepricën kreditore që duhej deklaruar. Nëse një person juridik nuk njofton administratën tatimore lidhur me ndryshimet e pronësisë, ai është përgjegjës dhe dënohet me 15% për qind të vlerës së tregut të aktiveve të trajtuara si me ndryshim pronësie; 5% të vlerës së tregut të aksioneve ose interesave të ngjashme që u ka ndryshuar pronësia. Në rastet e kundërvajtjeve në lëshimin e faturave tatimore, dëftesave tatimore dhe dokumentimin e transaksioneve, nëse tatimpaguesi pranon vlerësimin tatimor dhe e paguan detyrimin, gjoba zbritet me 30%. Në çdo rast, shuma e gjobës që zbatohet për bankat kur ato nuk bllokojnë llogaritë e tatimpaguesit sipas kërkesës së administratës tatimore, nuk mund të jetë më e madhe se shuma e kërkuar për t’u bllokuar. Parashikohen penalitete, si për shitësin ashtu edhe për blerësin, nëse kryejnë transaksione me subjekte në statusin “Pasiv”. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve në vazhdimësi do të informojë tatimpaguesit e çdo fashe qarkullimi, për ndryshimet e legjislacionit tatimor, të cilat kanë hyrë tashmë në fuqi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here