Raporti i vetingut, ja kush janë komisionerët që kanë marrë më shumë goditje nga ONM, mungesa e ambienteve për KLGJ e KLP po sjell probleme

0
36

Procesi i vetingut ka krijuar pritshmëri të larta në publik me goditjet që ka dhënë në radhët e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Por jo gjithmonë vendimet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit janë pritur mirë. Vëzhguesit e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit kanë kërkuar nga Komisionerët Publikë në jo pak raste ankimim të vendimeve të KPK. Kjo do të thotë se komisionerët e vetingut kanë marrë goditje nga ONM përmes vendimeve që këta të fundit nuk kanë shprehur dakordësinë e tyre me trupat gjykuese. Por cilët janë komisionerët vendimet e të cilëve janë kundërshtuar më së shumti nga ndërkombëtarët? Instituti i Studimeve Politike (ISP) ka përgatitur një raport shumë të gjatë mbi ecurinë e procesit të vetingut dhe reformës në drejtësi, ku midis të tjerash ka zbardhur edhe emrat e komisionerëve që kanë marrë më shumë goditje nga ONM. Roland Ilia kryeson listën, ndërsa pas tij vijnë Pamela Qirko e Firdes Shuli. “Një tregues profesional për efikasitetin e vendimmarrjeve mund të vlerësohet edhe raporti i çdo komisioneri me procesin e ankimimit të iniciuar nga Misioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM) ose nga Komisioneri Publik (IKP). Nga tabela rezulton se numri më i lartë i vendimeve të animimit nga rekomandimet e ONM ose nisma e vetë IKP i përket komisionerit Roland Ilia (7 nga 12) në total 19% të të gjithë rasteve. Në vendin e dytë me numër të njëjtë të vendimeve të ankimuara nga ONM / IKP janë komisioneret Pamela Qirko dhe Firdes Shuli, me përkatësisht 5 raste secila ose 14% e të gjitha rasteve për secilën. Drejtuesja e KPK, Genta Tafa (Bungo) dhe komisioneri Olsi Komiçi pasojnë me kuotë të njëjtë të vendimmarrjeve të tyre të ankimuara në Kolegin e Posacëm të Apelimit, me nga 4 vendimmarrje ose në total, 14% të numrit të përgjithshëm të ankimimeve”, thuhet në raport. Për dy komisionerë (Alma Faskaj dhe Etleda Çiftja) nuk ka asnjë rast të vendimmarrjes së tyre që është ankimuar. Kjo edhe për shkak të numrit të vogël të rasteve të trajtuara prej tyre.

Vetingu dhe politika

Procesi i vetingut dhe reforma në drejtësi janë kontestuar shumë nga aktorët politikë. Këtë fakt e nxjerr në dukje edhe ISP në raportin e tij, ndërsa thekson se politika po tenton ta përdorë procesin e vetingut për interesa personale, duke kujtuar këtu nismën e PD për veting në politikë. “Aktorët politikë kanë një qasje të gabuar dhe abuzuese ndaj reformës në drejtësi, duke e përdorur atë si mjet denigrimi ndaj rivalëve politikë ose si alibi për dështimet në axhendat e tyre politike. Mazhoranca në qeveri e ka përdorur vazhdimisht retorikën mbi reformën në drejtësi jo në funksion të reformës, por në funksion të etiketimit negativ të opozitës dhe të linçimit të çdo gjyqtari apo prokurori që ka marrë vendime që cenojnë interesat e saj politike. Opozita nga ana e saj ka shfaqur të njëjtën sjellje të gabuar ndaj reformës në drejtësi. Nga njëra anë ajo ka kërkuar që standardet e reformës në drejtësi të aplikohen edhe për vetingun në politikë dhe nga ana tjetër i ka refuzuar të gjitha arritjet e deritanishme të reformës në drejtësi, përfshirë ato të vetingut”, thuhet në raport. Aty theksohet se ka njëhendek të dukshëm midis premtimeve të faktorit politik për reformën, pritshmërive publike dhe kapaciteteve të organeve e vullnetit real politik për jetësimin e reformës. Në raport shtohet se partitë politike kanë preferencat e tyre dhe vijojnë të jenë aktive për të promovuar njerëzit e tyre besnikë në postet e reja në sistem ose anasjelltas, për të denigruar apo etiketuar ata që nuk bëjnë pjesë në rrethin e tyre të besuar.

Mimoza Ibra

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj