Brenda pranverës ngrihen të gjitha institucionet e drejtësisë, KED nis procedurat për Gjykatën Kushtetuese, ja detajet

0
413

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka nisur procedurat për të plotësuar vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese. Deri më tani në kuadër të procesit të vetingut, kjo gjykatë ka mbetur me vetëm një anëtar dhe ajo është gjyqtarja Vitore Tusha, mandati 9-vjeçar i së cilës ka mbaruar. Por ditën e djeshme, KED përmes një njoftimi për mediat bëri me dije se në datën 15 janar ora 10:00 do të zhvillojë një mbledhje, ku fillimisht do bëjë konstituimin e vetë institucionit, duke qenë se kjo është mbledhja e parë. Ndërkohë sipas asaj që thuhet në njoftim, një tjetër pikë e rëndësishme e rendit të ditës që KED do të zhvillojë është zhbllokimi i ngërçit të krijuar në Gjykatën Kushtetuese dhe të përzgjedhë kandidatët që plotësojnë kushtet për t’u bërë anëtarë të kësaj gjykate. “Mbledhja do të zhvillohet ditën e martë, 15.01.2016, ora 10.00, në ambientet e Gjykatës së Lartë, e cila, sipas nenit 219 të ligjit nr. 115/2016, është edhe selia e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Mbledhja e parë e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (të Përkohshëm) 2019 është përcaktuar të zhvillohet me këtë rend dite; Konstituimi i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (të Përkohshëm) 2019; Përgatitja e akteve nënligjore dhe e rregullave të brendshme, sipas detyrimeve dhe delegimeve të ligjit nr. 115/2016, të nevojshme për organizimin dhe funksionimin e KED. Afatet, përparësitë dhe veprimet për përgatitjen dhe miratimin e tyre në kohën më të shkurtër dhe të arsyeshme; Informacion për pozicionet vakante, të shpallura nga Presidenti i Republikës, Kuvendi dhe Gjykata e Lartë, për anëtar të Gjykatës Kushtetuese, numrin e kandidaturave dhe administrimin e dokumentacionit përkatës”, thuhet në njoftim. Por në kushtet kur janë ngritur Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe hapja e garës për SPAK, duket se edhe KED po konstituohet. Kështu që me këtë lëvizje, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi si institucion jetik, shumë shpejt do të bëjë funksionale edhe Gjykatën Kushtetuese.

Procedurat për Inspektorin e Lartë të Drejtësisë

Një tjetër pikë e rëndësishme e rendit të ditës në mbledhjen e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi të ditës së martë është ajo për institucionin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, njohur si ILD. KED pritet të shqyrtojë kandidaturat për këtë post, si dhe kriteret e përzgjedhjes së inspektorit që do të kontrollojë më pas institucionet e drejtësisë. Ndërkohë që në pikën e fundit do diskutohet edhe për çështjet e organizmit të KED. “Informacion për problematikën lidhur me pozicionin vakant të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, numrin e kandidaturave dhe administrimin e dokumentacionit përkatës; Çështje të organizimit, dokumentimit dhe administrimit të dokumentacionit dhe të çështjeve, si edhe mbi nevojat e mbështetjes administrative dhe me personel nga Gjykata e Lartë për mirëfunksionimin dhe efektivitetin e veprimtarisë së Këshillit të Emërimeve në Drejtësi”, thuhet në njoftimin e KED. Pra, me konstituimin e Gjykatës Kushtetuese dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, mund të themi se brenda pranverës do të jenë ngritur të gjitha institucionet e drejtësisë.

Rigels Seliman

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here