Era ruse nis të fryjë mbi Presidencë, Ilir Meta synon destabilizim rajonal me çështjen e Cakës, sfidon hapur amerikanët

    0
    410

    Presidenti Ilir Meta duket se po përdor rastin e Gent Cakës për të destabilizuar rajonin. Presidenti po mundohet të justifikojë veprimin e tij me argumentin se po mbron kufijtë në Ballkan, por realisht po del hapur kundër amerikanëve dhe po trazon ujërat në Ballkan. Çfarë po ndodh realisht? Ilir Meta dhe Sali Berisha që disa muaj më parë dolën hapur kundër Hashim Thaçit, i cili hodhi idenë e rishikimit të kufijve. Përmes reagimeve të tyre ata dolën hapur kundër SHBA, ndërsa u rreshtuan disi krah serbëve dhe rusëve. Por ditët e fundit janë dhënë sinjale se Meta, Berisha dhe njerëz pranë tyre po përdorin Cakën për të ndezur fitilat në Ballkan. Pra ata po mundohen të përçojnë mesazhe se Rama, përmes Cakës kërkon ndarjen e Kosovës. Edhe pse Caka nuk e ka thënë kurrë se do ndarjen e Kosovës, Meta po tenton të hedhë idenë se Rama përmes emërimit të tij do ndajë Kosovën. Por kjo lëvizje e Metës nuk i shërben askujt tjetër veç rusëve dhe serbëve. Të vetmit që duan destabilizim në Ballkan janë rusët dhe Meta me bllokimin e Cakës duket se po u jep një dorë të mirë ndihme. Meta dihet që ka pasur lidhje të ngushta me Gruevskin, pinjollin e rusëve në Ballkan. Po ashtu është akuzuar shpesh herë për lidhje me serbët. Fakti që Meta nuk dekretoi një ministër nga Kosova dhe po tenton destabilizim, e vërteton hapur këtë. Edhe pse Presidenca justifikohet me faktin se u dekretua Besa Shahini, qëllimet e presidentit duket se janë shumë të thella. Me këtë veprim Meta ka rindezur debatet në Ballkan. Ai ka akuzuar Cakën se kërkon ndryshim të kufijve, ndërsa vetë ka dashur të dalë se po mbron Kosovën me këtë veprim.

    Meta kundër SHBA

    Me argumentet kundër Cakës, realisht Ilir Meta po del kundër SHBA dhe po mbron Serbinë. Vetë Trump dhe zyrtarë amerikanë kanë mbështetur rishikimin e kufijve. Meta është parë shpesh kohët e fundit në Kosovë e Maqedoni. Pra kreu i shtetit ka filluar të shtrijë lidhjet e tij dhe në vende të tjera të rajonit. Por kur Rama çoi Cakën, Meta e shfrytëzoi këtë emër për të rindezur tensionet në Ballkan duke trumbetuar idenë se kryeministri shqiptar do ndarje territoresh. Pra po u jep ushqim grekëve, serbëve dhe rusëve që të sulmojnë qeverinë. Por kujt i shërben një gjë e tillë? I shërben vetëm rusëve. Vetëm ata duan destabilitet. Nëse analizohet ideja e ndryshimit të kufijve, ishte Hashim Thaçi ai që e tha i pari. Dhe ai e ka bërë të qartë se nuk kërkon ndërrim territoresh, por Kosova të zgjerojë hapësirën dhe të marrë Preshevën. Dy personazhet e vetëm që dolën kundër janë Meta dhe Berisha. Të dy të akuzuar për lidhje me rusët dhe serbët. Berisha është akuzuar se ka ndihmuar Millosheviçin, ndërsa Meta ka pasur miqësi me njerëz pro rusë. Edhe pse SHBA doli disa herë në mbështetje të Thaçit, Meta e Berisha nisën lobimet dhe akuzat, duke i shërbyer Beogradit. Por dhe refuzimi i Cakës, duket se është një tjetër mbështetje për serbët.

    Meta flet me gjuhën e Berishës

    Ilir Meta ka dalë dje nga kostumi i presidentit, pasi ka nisur sulmet dhe akuzat ndaj kryeministrit. Teksa kishim parë shpesh Sali Berishën dhe Monika Kryemadhin të lëshonin akuza të tilla, dje bashkë me ta u bë dhe presidenti. Duke u bërë palë me opozitën, në rrjetet sociale, presidenti e akuzoi Ramën se ka kërcënuar Dritan Zaganin, nënkomisarin e Krujës për çështjen “Xhisiela”, gjyqtarët e prokurorët dhe studentët. Sipas tij, kryeministri kërcënoi edhe presidentin, por këtë e quajti një gabim fatal. “Ai që guxoi të kërcënojë komisar Zaganin pse denoncoi bashkëpunimin e trafikantëve të drogës me pushtetarët, ai që guxoi të kërcënojë nënkomisarin e Fushë-Krujës pse hetoi dhunimin e një vajze nga djali i një deputeti, ai që guxoi të kërcënojë një profesor të nderuar vetëm pse i shkroi një letër Presidentit të Republikës në mbrojtje të interesit kombëtar, ai që kërcënon çdo ditë gazetarë e pronarë mediash, ai që kërcënon prokurorë e gjyqtarë, ai që kërcënon opozitarë dhe dëshmitarë, ai që urdhëron falsifikimin e letrave të tenderave e deri tek dokumente të sigurisë kombëtare bëri gabimin fatal të kërcënojë edhe Presidentin e Republikës së Shqipërisë në mënyrë të drejtpërdrejtë”, deklaroi Meta.

    Kliti Topalli

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here