Rama: Meta po i bën gropën vetes, shkel Kushtetutën me idenë se nuk e shkarkojmë dot, një grup individësh janë bërë bashkë kundër meje

0
430

Kryeministri Edi Rama shpërtheu dje në sulme shumë të ashpra kundër presidentit Ilir Meta. Gjatë një interviste të dhënë në “Zonë e Lirë” për gazetarin Arjan Çani, Rama paralajmëroi Metën se përmes mos-dekretimit të Gent Cakës dhe sulmeve të hedhura po i bën gropën vetes. Sipas tij, Meta ka shkelur Kushtetutën, ndërsa shtoi se Gent Caka është një njeri i pastër. Në lidhje me debatin e hapur për certifikatën e sigurisë, kryeministri theksoi se kjo nuk ka aspak rëndësi, ndërsa listoi edhe një sërë emrash të ministrave të tjerë që janë dekretuar pa patur certifikatë sigurie. Rama deklaroi se një grup individësh janë bërë kundër tij dhe po tentojnë ta rrëzojnë. Kujtojmë që diçka të tillë e paralajmëroi pak ditë më parë gazeta, ndërsa kryeministri e konfirmoi diçka të tillë.

-Si e shihni reagimin e Metës?

Unë i kërkoj publikut që të mos e marrë seriozisht, pasi faqen e presidentit e përdor doktoresha me dy r. Ose ka marrë pasuordin ose jemi në atë gjendje që e kemi parë dhe më parë se populli të marrë armët se i hap gropën vetes me veprime penale.

-Meta nuk e dekretoi për shkak të certifikatës së sigurisë.

Meta si kryetar Kuvendi e ka marrë brenda disa orësh për një aktivitet ku duhej të shkonte, se certifikata e sigurisë është një dokument që i jepet një individi që duhet të vihen në posedim të një dokumentacioni të klasifikuar. Duhet të jemi të saktë se çfarë është certifikata se pashë këta kadrinjtë e kazanit. Certifikata i jepet një individi që duhet të vihet, një individi kur ka akses në informacione sekrete. Meta ka futur një praktikë të panjohur dhe është në shkelje të Kushtetutës, të ligjit dhe etikës së presidentit që e ndalon atë të ketë opinione. Ai mund të ketë, por e ndalon të ketë opinione nëse e dekreton apo jo një ministër. Para se të shkojmë më tej për certifikatën e sigurisë, dua të kujtoj një fakt se në qoftë se ka pasur një moment konflikti dhëmb për dhëmb politik mes presidentit dhe një ministri të propozuar nga kryeministri, ka qenë konflikti mes Nishanit dhe Xhafës. Është Ilir Meta që po sfidon Kushtetutën në mënyrë të përsëritur. Kushtetuta nuk është teknike, është libri i bashkëjetesë sonë. Meta ka vendosur që duke qenë në një trend papërgjegjshmërie t’i thotë Kushtetutës jam unë pa je ti. Bujar Nishani ishte president partiak. Në fund Bujar Nishani tha me fjalë të thjeshta se Kushtetuta më imponon ta firmos edhe pse nuk e shoh dot me sy. Zgjedhja e ministrave është tagër i kryeministrit dhe pse kryeministri është mishërim i shumicës së zgjedhur nga populli. Ai s’ka lidhje me këtë proces.

Pse e bën këtë Meta?

Meta është zhytur në një krim ndaj diturisë dhe ndaj një djalit që mund të meritojë gjykime të opinionit, por nuk e meriton njollosjen e qëllimshme që Ilir Meta dhe jo vetëm, që tentojnë t’i bëjnë duke e përdorur si mish për top kundër presidentit të Kosovës dhe kryeministrit të Shqipërisë. Duke ngritur një teori të re vulgare dhe antishqiptare, sipas të cilës kush mendon ndryshe nga këta, qenka rrezik kombëtar. Meta ka shkelur Kushtetutën me Lleshajn, me kthimin në Parlament që ai s’ka të drejtë t’i kthejë. Për taksat, për buxhetin dhe dividentin. Sepse Meta e ka humbur betejën politike. Nuk është aty se fitoi zgjedhjet, ai i humbi. Ai është president për të garantuar Kushtetutën dhe për të garantuar pavarësinë institucionale. Nuk është për mendime. Nuk më interesojnë mendimet e tij për taksat. Një president për sa kohë është aty nuk mund të shprehet. Taksat i vendosin forcat politike.

-Pse nuk e shkarkon vëlla?

Shkarkimi kërkon 2/3 e Kuvendit. Dhe kjo është logjika që përdor Meta se mua nuk më shkarkojnë dot dhe bëj çfarë të dua. Dakord. Faktikisht mund të bëjë ç’të dojë për turpin e tij, duke na turpëruar të gjithëve si shoqëri që kemi një president që del nga shinat e Kushtetutës dhe arsyetimit normal dhe sillet si kryetar i LSI në ditët e saj më të këqija. Nëse Meta synon të drejtojë opozitën dhe ka vendosur ta kthejë Presidencën në çizme rezervë të kësaj opozite të ikur për pambuk, ai mund ta bëjë, por unë sot kam borxhin tua them shqiptarëve. Unë nuk hy në konflikt institucionesh.

-Ti provokove…

Unë nuk kam provokuar. Unë kam reaguar. Se ai është më i lexuar nuk është fyerje. Nëse më thua se Plasari është më i ditur se unë, unë nuk fyem dhe e pranoj se ashtë më i ditur. Unë si njohës nga afër i Cakës dhe Metës të them që ajo që thashë nuk është fyese. Ka kërkuar me paturpësi të njollosë një djalë që nuk e meriton. Duam të dimë ku e kanë hallin këta. Ajo që është e rëndësishme është kjo. Klajda Gjoshës ishte ministre e Integrimit dhe djali që flasim është zv/ministër dhe ka mbuluar integrimin. Ilir Meta ishte sa ai kryeministër. Gjukanoviçi ishte sa i ai kur u bë kryeministër në Mal të Zi. Klajda Gjosha ishte ministre 3 vjet dhe nuk ka pasur certifikatë sigurie. Unë jam i shqetësuar se presidenti ka përdorur në mënyrë abuzive zyrën e tij për të goditur qeverinë dhe më shumë se kaq. Po i hedh benzinë një zjarri që po tentohet të ndizet në Kosovë e Serbi nga politikanët për të akuzuar presidentin dhe mua për një konspiracion për ndarjen e Kosovës. Dhe ky djalë që goditet dhe është aq i ri, s’ka lidhje me ta.

-Duheshin ca letra. Pse e mori certifikatën për 24 orë?

Mos hymë në këtë se jemi qesharakë. Dokumentet e nevojshme për certifikatë mund të bëhen për 3 ose 5 orë se jemi në botën e internetit. Nuk vinë me pëllumba letrat. Për atë djalë Meta ka kërkuar informacione në Shërbimet Informative në Kosovë. Shërbimi ynë ka kërkuar informacione dhe te partnerët me kërkesë të presidentit. Të gjitha letrat janë të pastra. Olta Xhaçka është ministre e Mbrojtjes, kur e dekretoi nuk i kërkoi certifikatë. Panariti ishte ministër i Jashtëm, nuk kishte certifikatë. Certifikata merret kur futesh në posedim të dokumenteve të klasifikuara. Ai s’ka pasur punë me dokumente të klasifikuar. Ka mbuluar integrimin. Marrja e certifikatës ka qenë për t’i mbyllur gojën Metës se nisi me Qimin.net se s’ka certifikatë. Ministrja e Drejtësisë kur u dekretua nuk kishte certifikatë. Kjo është një maskaradë dhe përpjekje për të kriminalizuar një njeri të pastër..

Duke qenë se s’ka Gjykatë Kushtetuese…

Në mungesë të gjykatës në vend që të jetë president i përgjegjshëm, ai merr përsipër dhe bën gjëra që janë të pamendueshme. Unë nuk shqetësohem për Cakën. Se nuk është çështja siç tha për Lleshajn. Por po përdor një djalë që ka lindur në Prishtinë dhe vjen si një shqiptar i Kosovës dhe përdoret si mish për top në një zjarr që ushqehet nga politikanë që janë rreziku real i shqiptarëve. Janë politikanët e të shkuarës që nuk shohin Shqipërinë moderne e bashkimin kombëtar. Ata shohin interesin e ngushtë politik. Janë bërë të gjithë bashkë kundër meje, unë këtu jam. Unë po ju them shqiptarëve se ne kemi një president që ka hyrë në fazën e njohur që thotë çohuni rrëmbeni armët se LSI po i ikën tepsia. Ai do kthehet në normalitet, por kjo njollë është e pashlyeshme. Do e ndjekim në rrugën ligjore. Gjykata Kushtetuese do formohet dhe s’kemi ç’bëjmë tjetër. Nuk i përgjigjemi me paligjshmëri paligjshmërisë. Kush ju flet për konspiracion të madh dhe skema tradhtie kombëtare është ai dhe ata që duan tu mbajnë në bërllokun ku unë dua tu nxjerr. Dhe unë po bëj çmos tu nxjerr. Kjo është lufta e tyre me bërllokun. Nuk kam gjë me Ilir Metën. Ilir Meta si person mua më dhimbset si është një njeri që kur nuk është në këtë qerthullin e paranojës dhe të agresivitetit, është një njeri me të filin unë kam bashkëpunuar. Unë nuk kam asgjë me personin. Unë po flas që në 2019 presidenti të marrë flamurin dhe të lançojë një ofensivë të ndyrë mediatike, politike. Imagjino sa mirë do të ishim sot ne dhe sa mirë do të mendonim ne për Ilir Metën nëse nuk do të ishte shpikur “Facebook”.

-Të njëjtën gjë ka bërë edhe presidenti italian.

Të lutem, mos ngatërro kripën me sheqerin. Kushtetua italiane është komplet gjë tjetër. Unë po flas për gjë tjetër. Unë nuk jam nacionalist, unë jam patriot. Unë po flas për një djalë të pastër, të ditur, i cili propozohet për ministër. Presidenti i Republikës të lançojë një ofensivë kriminale, shpifje, kjo është skandaloze. Presidenti nuk është organizator ofensivash kriminale për të organizuar njerëz. Një gjyq stalinist, publik që e bën pjesë presidentin në situata skandaloze. A e keni atë videon e këtij djali që flet për ndryshimin e kufijve Kosovë-Serbi? Si mundet presidenti ta përdorë këtë si argument? Fakti që ai është nga Kosova ka shumë rëndësi sepse të gjitha këto letrat nga shërbimet e huaja, nga shërbimet shqiptare Ilir Meta i ka në zyrë. Çfarë është kjo certifikatë sigurie? Ai është klasifikuar si një person që nuk paraqet rrezikshmëri. Presidenti është mbi palët, është garant i Kushtetutës. Ilir Meta si person unë nuk kam asgjë. Në zyrën e presidentit ka një person jashtë kontrollit që organizon ofensivë shpifjesh, balte kundër një personi që nuk meriton asnjë prej këtyre marrëzive.

-Edi Rama, dakord ke këtë qëndrim për Ilir Metën. Por Këshilli i Ambasadorëve…

S’ka mundësi që ambasadorët e huaj ta kenë bërë një letër të tillë sepse do e kisha marrë edhe unë. Unë s’e di çfarë është. Jam 110% i sigurt. Ditmir Bushatin e largova bashkë me të gjithë ministrat e tjerë për të gjitha arsyet e thënë publikisht. As se kam kundërshti me politikat e tij me politikën e jashtme, por për t’i dhënë një shtysë dhe frymë të re. Për këtë arsye.

-A jeni në dijeni që nxënësit nëpër shkolla po bëjnë mësim pa ngrohje?

Ngrohjet në shkolla janë në përgjegjësi të bashkive. Është përgjegjësi e pushtetit vendor.

-Pse e vure Erjon Braçen zëvendëskryeministër?

Unë kam një bindje të madhe që Erjon Braçja në atë pozicion që ka marrë do ta shkundë administratën dhe pluhurin e saj. Për këtë jam i sigurt.

-Të mos kthehemi prapë tek ajo historia që presidenti nuk çdekreton ministrin. Kush je ti? Dakord për atë të parin që nxjerr që s’ka certifikatë sigurie, por po këtë tjetrin pse nuk e dekreton shkarkimin e tij? Bushati nuk do të vazhdojë të jetë ministër i Jashtëm. Presidenti vijon të jetë akoma në afat.

-Po nëse presidenti nuk e dekreton?

Presidenti është një nga ata që ushqen këtë linjë që Ditmiri qenka kundër ndryshimit të kufijve. Këtë çështje nuk mund ta bëjmë në punën tonë. Politika jonë është ajo që ka shprehur Ditmir Bushati nga fillimi deri në fund dhe çdo deklaratë e bërë është diçka zyrtare e mbështetur nga unë. Presidenti i SHBA ka çuar letër për presidentin e Kosovës dhe të Serbisë dhe i fton që të gjejnë marrëveshje. Këta që bëjnë si nacionalistë sikur po i digjet shpirti për Kosovën e Shqipërinë, këta janë ca emra e ca tipa që bëjnë sikur u digjet zemra për kombin dhe duan të shfrytëzojnë për interesat e tyre të ulëta. Unë kam thënë që ne mbështesim një marrëveshje përfundimtare Kosovë-Serbi që të njihet dhe të garantohet nga SHBA-BE.

-Po ti me kë je?

Këtë gjë Shqipëria nuk mund t’ia lejojë që të bëhet palë. Nuk mund të thotë je me këtë apo je me atë. Qëndrimi im është ky, marrëveshja përfundmtare të çojë në njohjen e Kovovës e njohur dhe e garantuar nga SHBA-BE. Ne nuk jemi këtu as për të dhënë mend as për të futur hundën. Unë mbështes fuqimisht një marrëveshje që i jep jetë shtetit të krijuar prej tyre, të çliruar prej tyre. Sepse Kosovën nuk e çliroi Ilir Metën. Po me kë të flasësh këtu? Këtu bëhet tema sikur po loz Skrapari me Dukagjinin.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here