Spartak Ngjela: SPAK do të ndëshkojë Berishën, Metën dhe Bashën, agjentët e FBI s’do të lejojnë shpëtimin e tyre

0
398

Avokati Spartak Ngjela paralajmëroi dje reprezalje në radhët e të korruptuarve përmes Strukturës së Posaçme Antikorrupsion. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai u shpreh SPAK do të jetë organi që do të bëjë historinë e Shqipërisë sepse më në fund të korruptuarit do të marrin ndëshkimin e merituar. Sipas tij, anëtarët e SPAK do të jenë ata që do të çojnë pas hekurave Ilir Metën, Sali Berishën dhe Lulzim Bashën.

“Reformës në drejtësi nuk i shpëton dot. Është ngritja e SPAK që sigurisht që do të krijojë faktin më të rëndësishëm në historinë e Shqipërisë. Kjo sepse, pas njëqind vjetësh, me ndihmën e Amerikës, shqiptarët do të çlirohen nga zgjedha e korrupsionit, vjedhjes dhe tradhtisë permanente të pushtetarëve të tyre. Personat e emëruar dhe ata që do të emërohen në SPAK do të jenë shpëtimtarët e brezave, por dhe të fëmijëve të tyre. Këta individë me dinjitet individual dhe drejtësi do të shpëtojnë shqiptarët nga zgjedha makabër Berisha, Rama, Meta, Basha dhe rreth 100 të tjerë; që të gjithë varrmihës të shoqërisë shqiptare”, tha Ngjela.

Avokati shtoi se njerëzit e rinj të sistemit të drejtësisë duhet të punojnë me ndershmëri dhe me guxim sepse mbrohen nga ndërkombëtarët. “Në fakt organet e reja të sapodala të SPAK-ut kanë në dorë të ardhmen e tyre dhe atë të vetë Shqipërisë. Prandaj duhet të vendosin realisht kurajën dhe ndershmërinë në veprimtarinë profesionale. Po politika amerikane dhe ajo gjermane, a kanë menduar për mbrojtjen e tyre? Sigurisht që po. Ata janë të mbrojtur plotësisht. Gjithçka këtej e tutje do të ecë në favor të Shqipërisë dhe shqiptarëve”, u shpreh ai. Spartak Ngjela theksoi se agjentët e FBI të ndodhur në Tiranë nuk do të lejojnë që të korruptuarit të bëjnë ndonjë tentativë për shpëtim. “Korrupsioni sot dallon se është i trembur. Por, a do të kundërveprojë me mjete të dhunshme? Të shohim. Por, për faktin që FBI është prezent këtu, sigurisht që hordhitë ordinere që drejtohen nga korrupsion i lartë nuk do të mund të kundërveprojnë dot me mjete joligjore. Do të tentojnë, por do të kërcënohen. Prandaj nuk do të bëjnë dot gjë”, tha Spartak Ngjela.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here