CIA: Ja si Beogradi nxiste nisjen e rebelimeve kundër pushtetit të Enver Hoxhës, më 1956 shpërtheu konflikti brenda Komitetit Qendror të PPSH

0
536

Në vitin 1956 nisën përplasjet brenda Partisë Komuniste të drejtuar nga Enver Hoxha. Sipas një dokumenti të deklasifikuar nga CIA, shumë anëtarë shfaqën rezerva mbi politikat e partisë. Ata i kërkonin llogari Beqir Ballukut, i cili telefonoi me urgjencë Mehmet Shehun dhe Enver Hoxhë, që ishin në Shkodër e Vlorë. Nga ana tjetër, tregohet se si Tropoja u kthye në një qendër të fortë spiunazhi.

Tetor 1949

Gjendja ballkanike

Lufta sovjetike e nervave kundër Titos ka sjellë tashmë anulimin e marrëveshjes së miqësisë me Jugosllavinë dhe po tregon pasojat e dezertimit të Titos nga struktura e komunizmit sovjetik. Sfida e suksesshme e Titos po kthehet në një pikë fokusi të grupeve disidente komuniste dhe mund të bëhet mjet bashkimi i një fronti anti-stalinist. Çështja sigurisht është nëse komunizmi botëror do të drejtohet politikisht nga BRSS apo nga një aparat partiak ndërkombëtar. Tito ka hedhur dyshime mbi aftësinë e udhëheqjes së BRSS, duke prezantuar stilin e tij të drejtimit si më dashamirës. Kjo pikë tensioni në marrëdhëniet Jugosllavi-BRSS ka sjellë ndryshim të gjendjes në Ballkan. Bashkimi Sovjetik mund të gjenerojë politika anti-jugosllave në shumë drejtime si nga Hungaria, Bullgaria, Rumania e Shqipëria. Por ky kapacitet mund të pengohet nga njëfarë afrimi mes Jugosllavisë e Greqisë si dhe nga pasiguria e pozitës shqiptare. Por BRSS mund të veprojë për këtë duke shfrytëzuar dhe nacionalizmat antagoniste, të cilat mund të fokusohen te Maqedonia. Disa muaj më parë, kur nisi marrja e kontrollit nga guerilasit komunistë grekë, u dalluan shenja të nisjes së trazirave sovjetike në Maqedoni, apo dhe të nxitjes së nacionalizmit të shqiptarëve në Kosovë dhe minoriteteve të tjera. Guerilasit grekë tashmë janë reduktuar në vetëm 2500 në Greqi dhe tërheqja e tyre nga vendet fqinje si Shqipëria e Bullgaria tregon se nuk do të ketë operacione të organizuara. Tashmë guerilasit nuk kanë më kapacitete për të negociuar me qeverinë greke. Këta të fundit kanë besim tashmë në forcën e tyre dhe kishin kërkuar ndjekjen e komunistëve përtej kufirit shqiptar, por kjo do të kishte sjellë hakmarrje të vjetra territoriale dhe u ndalua nga amerikanët e britanikët. Tashmë qeveria greke është zotuar të mos veprojë kundër Shqipërisë por ka kërkuar nga OKB hetimin e çdo infiltrimi të ri të guerilasve nga Shqipëria dhe Bullgaria. Gjatë këtyre zhvillimeve, si Greqia dhe Jugosllavia, të nxitura nga SHBA kanë përmirësuar pozitat e tyre duke reduktuar aftësitë e BRSS për të arritur diçka në Greqi. Prandaj dhe Moska po largon vëmendjen nga përpjekja guerile në Greqi, ndoshta për ta organizuar atë kësaj radhe drejt Jugosllavisë. Rifokusimi i përpjekjeve për të nxitur aspiratat e vjetra sllavo-maqedonase do t’i shërbente një qëllimi të dyfishtë. Nga njëra anë do të përpiqej të dëmtonte Titon dhe federatën jugosllave, me të cilën janë bashkuar sllavo-maqedonasit, dhe nga ana tjetër njësitë e stërvitur guerile në Maqedoni do të mund të kërcënonin edhe Greqinë nëse lind nevoja.

21 gusht 1950

Situata e rezistencës në Shqipëri

Nga një prej misioneve tona në Shqipëri, i cili është në kontakt të afërt me lëvizjen e rezistencës, kemi marrë informacionin e shtjelluar në paragrafët e mëposhtëm. Sipas misionit tonë, shumë anëtarë të rezistencës shqiptare besojnë se nuk mund të durojnë më vuajtjet që po heqin dhe kanë vendosur të arratisen drejt Jugosllavisë në mundësinë më të parë. Ata do të preferonin të shkonin në Greqi, po të mos ishte për distancën e largët prej veriut të Shqipërisë deri në kufirin grek. Megjithë përpjekjet e bëra për t’i bindur që të qëndrojnë në Shqipëri, ata duket qartë se nuk mund të qëndrojnë një tjetër dimër në male, pasi jeta është aq e vështirë sa po i çon drejt çmendisë.

Tropoja, qendër e spiunazhit

Lideri i këtij misioni ka kërkuar të dijë nëse aktivistët politikë jugosllavë në Shqipëri (të raportuar më parë te ju) njihen prej nesh dhe nëse ata përfaqësojnë përpjekjen e Aleatëve. Ata pyetën gjithashtu nëse aktivistët anti-komunistë nga Shqipëria do të priteshin mirë në Jugosllavi. Në lidhje me mbështetjen jugosllave ndaj aleatëve, u pyet se cila ishte politika e Jugosllavisë në lidhje me Korenë. Mesazhi i mësipërm na informon se Tropoja është qendra e spiunazhit shqiptar dhe jugosllav, me agjentë jugosllavë dhe shqiptarë duke kaluar vazhdimisht kufirin. Agjentët jugosllavë përshkruhen se të gjithë kanë qenë më parë anëtarë të grupeve shqiptare të rezistencës. Më 10 gusht 1950 misioni ynë në vend dërgon një kontakt për të hetuar mbi ftesën për të takuar një person të paidentifikuar që dëshironte të furnizonte me armë dhe municione jugosllave misionin.

Lëvizjet e jugosllavëve

Mes popullsive të Shqipërisë së Veriut ka një bindje të madhe se jugosllavët po planifikojnë një lëvizje të armatosur në Shqipëri, me qëllim ngritjen e moralit të grupeve malore të rezistencës. Disa sasi armësh raportohet të jenë shpërndarë çdo ditë nga jugosllavët, të cilat janë pranuar edhe nga shqiptarët nacionalistë, të cilëve u janë afruar edhe para, por kanë refuzuar duke pritur aprovimin nga misioni ynë. Lideri i misionit trembet se një bujari e tillë nga ana e jugosllavëve do të ketë efektin e fitimit të simpatisë së shumë personave që kanë vuajtur shumë duke punuar për ne. Në konkluzion, lideri i misionit tha se puna e tij bindëse nuk do të ishte e mjaftueshme, prandaj kishte nevojë për instruksione urgjente për mënyrën e veprimit që duhet të ndiqte.

Mars 1957

Polemikat mes anëtarëve të Komitetit Qendror

Në një takim të Komitetit Qendror të Partisë në Tiranë në pranverën e 1956, delegatët e Tiranës shprehën kritika të ashpra ndaj Komitetit Qendror dhe ndaj politikave të Partisë Komuniste. Takimi kishte një natyrë parapërgatitore ndaj kongresit të partisë që u mbajt në maj 1956. Në takim qeveria përfaqësohej nga ministri i Mbrojtjes Beqir Balluku, pasi Enver Hoxha ishte në Vlorë me pushime dhe Mehmet Shehu ishte në Shkodër. Balluku u pyet nga delegatët të jepte shpjegime në lidhje me kontrollin dhe censurën e shtypit. Por ai ishte i paaftë të jepte një përgjigje dhe ndjeu se pyetje të tilla kishin pasoja. Prandaj telefonoi Enver Hoxhën dhe Mehmet Shehun dhe u tha të ktheheshin menjëherë në Tiranë. Dy liderët erdhën në takim dhe u përpoqën të qetësonin gjakrat e përfaqësuesve. Kjo u bë kryesisht nga Enver Hoxha me anë të premtimeve të shumta për të ardhmen. Një ditë më vonë, në takimin e Komitetit Qendror Hoxha e Shehu sulmuan disa përfaqësues duke i quajtur tradhtarë e reaksionarë, çka solli shkarkimin e dy gjeneralëve Hylaj Spahiu dhe Tahir Kadare. Disa të tjerë u transferuan në zona të largëta nga kryeqyteti. Anëtarët e Komitetit Qendror të partisë u dërguan më tej si delegatë në zona të ndryshme të vendit për të qetësuar popullatën. Mehmet Shehu u dërgua në Vlorë ku foli në takimin e mbajtur në kinemanë e qytetit, dhe ngriti larg realizimin e planeve të qeverisë.

Morali i popullit

Pakënaqësia dhe zemërimi mbizotëron në të gjithë Shqipërinë prej gjendjes së rëndë ekonomike. Njerëzit shpresojnë që të shpërthejë lufta, si mënyra e vetme për të larguar regjimin komunist, pasi masat e rënda të sigurisë e bëjnë thuajse të pamundur nisjen e një kryengritjeje të brendshme. Megjithëse të gjithë i dinë pasojat e tmerrshme të një lufte, ata nuk i tremben më asaj sepse është e vetmja mënyrë për të sjellë një ndryshim drejt përmirësimit të kushteve të jetesës. Dëgjimi i transmetimeve të huaja në radio është i ndaluar, ata që zotërojnë radio dëgjojnë transmetimet shqiptare e greke të Zërit të Amerikës, BBC dhe Radio Athinës.

Fushata e kolektivizimit

Qeveria ka si qëllim kompletimin e kolektivizimit të bujqësisë deri në vitin 1958 dhe po merr të gjitha masat. Fshatarët që jetojnë në qytet po u kërkohet të kthehen në fshat për të zbatuar projektet e bujqësisë. Në përgjithësi të gjithë përpjekjet e qeverisë po fokusohen në përmirësimin e bujqësisë dhe të prodhimit bujqësor. Në zonën e Vlorës janë organizuar 4 kooperativa të cilat janë rreth 25 -30 000 dele. Drejtori i saj është Hasan Muço. Kooperativa ka gjithashtu 40 koshere bletësh, ë cilat prodhojnë rreth 200 kg mjaltë në vit.

Korrik 1957

Gjendja në Shqipëri

Në takimin e Komitetit Qendror të partisë në Tiranë në pranverën 1956 u bënë kritika ndaj disa anëtarëve të partisë, dhe si rezultat disa prej delegatëve u akuzuan si tradhtarë e reaksionarë. Gjeneral Hulusi Spahiu dhe Tahir Kadare u shkarkuan. Në tetor 1956 një njësi ushtarake këmbësorie e Vlorës u zhvendos dhe trupat e saj u shpërndanë në njësi të tjera në Gjirokastër, Korçë, Përmet e Shkodër. Në kazermat e Vlorës mbeten rreth 150 njerëz. Qëllimi i zhvendosjeve besohet se ishte përforcimi i kufirit grek dhe atij jugosllav. Një grup ushtarak artilerie është vendosur rreth 1000 m në jug të Vlorës. Komandanti i tij është Vasil Xhelo nga Himara. Prej fillimit të shkurtit 1957 deri në fillim të marsit, janë zhvilluar ushtrime mobilizimi të rezervistëve dhe stërvitje të lehta. Kazermat e këmbësorisë së Vlorës janë vendosur në anën lindore të rrugës drejt Portit, 500 m larg këtij të fundit dhe 1500 metra larg qendrës së qytetit. Vlora ka një seksion të degës së Brendshme, i cili drejtohet nga sigurimi Petrit Akani dhe zëvendësi i tij Skënder Paisi nga Vlora. Flota detare e Vlorës ka 2-3 barka të shpejta që patrullojnë gjirin e Vlorës dhe ishullin e Sazanit. Mbrojtja ajrore e saj përbëhet nga 4-8 gjuajtës artilerie të kalibrit 20 mm të vendosura në kodrën qytetare të Kuzbaba, ndërsa katër topa 37 mm janë të vendosur në kazermat e artilerisë së Vlorës. Pranë fushës së aviacionit ka edhe katër topa të tjerë të të njëjtës madhësi.

Arsimi

Vlora ka një gjimnaz, të cilit i është vënë emri i heroit Ali Demi. Në Poliçan ka një shkollë elementare 4-vjeçare dhe një shkollë 3-vjeçare të quajtur Unike. Nxënësit e shkollës elementare mësojnë greqisht dhe pak orë i kushtohen shqipes. Përkundrazi, në programin e shkollës Unike mësohet kryesisht shqip dhe pak orë i kushtohen greqishtes.

Besimi

Vlora ka dy kisha ortodokse dhe tre priftërinj shërbesat kishtare zhvillohen të dielave dhe ditët e festave. Kryesisht të moshuarit marrin pjesë në shërbesat e të dielave ndërsa në ditët e festave ortodokse kishat janë të mbushura me njerëz. Edhe në ditët e festave fetare komunistët vijnë në kishë për të tërhequr vëmendjen e popullit me diskutime politike. Në përgjithësi ndjenjat fetare mbeten të forta me gjithë shtypjen dhe masat komuniste. Shumë familje që zotërojnë radio, dëgjojnë shërbesat kishtare. Në Vlorë ka gjithashtu një kishë katolike dhe një prift. Pak njerëz shkojnë në këtë kishë pasi shumica e kristianëve nuk janë katolikë. Në Vlorë ka 4 xhami por vetëm 3 prej tyre përdoren si kisha, njëra është kthyer në muzeum arkeologjik. Ka dhe disa xhami të vogla por pak njerëz shkojnë në to. Spitali civil i Vlorës ndodhet në verilindje të qytetit dhe përbëhet nga pesë ndërtesa, respektivisht për trajtimin e sëmundjeve infektive, të kirurgjisë, të sëmundjeve të fëmijëve, të grave etj. spitali ka gjashtë doktorë dhe rreth 150 shtretër. Qyteti ka dhe një shtëpi lindjeje. Qytetarët e siguruar trajtohen falas në spital.

Mars 1975

Editoriali shqiptar dënon ushtrinë sovjetike

Fushata shqiptare anti-sovjetike duhet se ka arritur lartësi të reja, teksa Tirana po akuzon Moskën se po transformon ushtrinë sovjetike në një forcë “agresive, puçiste, fashiste”. Editoriali u botua në të përditshmen e partisë dhe titullohej “Ushtria sovjetike, ushtri e pushtimit dhe shtypjes së popujve”. Citimet e mëposhtme janë toni tipik i artikullit: “Ushtria sovjetike është tashmë në duart e borgjezisë dhe i shërben konsolidimit dhe dominimit të qëllimeve imperialiste. Revizionistët e kanë transformuar atë nga ushtri revolucionare siç u krijua nga Lenin e Stalini 57 vjet më parë, në një ushtri të kundër-revolucionit dhe të diktaturës së borgjezisë … ajo është bërë tashmë një ushtri agresive e pushtimit dhe e shtypjes së popujve”. Ky agresion barbar i ushtrisë sovjetike ndaj popullit çekosllovak, është demonstrimi i parë i politikës agresive, shoviniste dhe fashiste, si dhe një sinjal i nisjes së ofensivës kundër lirisë dhe pavarësisë së popujve. “Me qëllim skllavërimin e plotë të vendeve revizioniste të Evropës lindore si politikisht dhe ushtarakisht, udhëheqësit neo-caristë të Kremlinit dhe gjeneralët e tyre kanë kërkuar rritjen e manovrave ushtarake”, thuhej aty. Më tej deklarohej: “Ushtria sovjetike në heshtje po përforcon pushtimin ushtarak të Polonisë, Hungarisë, Gjermanisë Lindore, Bullgarisë dhe Mongolisë, ku ajo zotëron status të veçantë, të cilin mund të ketë vetëm një ushtri agresive pushtuese”. Tirana nuk ka nevojë për provokime të veçanta për shpërthime si këto, pasi për regjimin e Hoxhës këto gjëra lindin natyrshëm. Por shqiptarët sigurisht reagojnë ndaj çdo sinjali të rritjes së interesit sovjetik në Ballkan, veçanërisht në Jugosllavi, së cilës Hoxha kohët e fundit i ka premtuar ndihmë në sprapsjen e çdo sulmi të mundshëm sovjetik. Tani që Jugosllavia ka ngritur çështjen e dytë në gjashtë muaj ndaj vendeve satelite, Tirana mund të bëjë akuza edhe më të mprehta ndaj Kremlinit. Ndërkohë mes Beogradit e Tiranës po vazhdojnë diskutimet për ndërtimin e linjës hekurudhore, e cila do të ishte lidhja e parë e Shqipërisë me Evropën. Linja Beograd-Bari përfaqëson një ëndërr të vjetër të serbëve e malazezëve dhe po ndërtohet prej një dekade. Ajo pritet të përfundojë në 1976 por ka hasur vështirësi prej terrenit të vështirë. Zgjerimi i saj edhe kufirin shqiptar është relativisht i thjeshtë dhe shumica e problemeve janë vetëm politike, siç mund të jetë bindja e shqiptarëve ksenofobë për avantazhet ekonomike të lidhjes me botën e jashtme. Qeveria beson se kjo hapje mund ta ekspozojë vendin ndaj “influencave korruptuese” të botës së huaj. Kina, e cila kërkon të reduktojë influencën sovjetike në rajon, është e gatshme të financojë projektin, jo vetëm me ndërtimin e pjesës shqiptare të hekurudhës, por raportohet se ka ofruar një kredi 75 milionë dollarë Beogradit për të financuar dhe pjesën e tij. Kinezët mesa duket besojnë se kjo do të rrisë influencën e tyre në zonën e Adriatikut, ku ata mendojnë se sovjetikët kërkojnë vendosjen e bazave detare. Kina mund ta konsiderojë hapin si një mundësi të përmirësimit të transportit ushtarak jugosllav në zonë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here