Emri i Maqedonisë, Zaev i kërkon Greqisë ratifikimin e marrëveshjes

0
16

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, i kërkoi dje Greqisë që t’i japë fund mosmarrëveshjes së hershme mes dy vendeve duke ratifikuar marrëveshjen për emrin e ri të vendit, Republika e Maqedonisë së Veriut. “Kam një mesazh të rëndësishëm për miqtë tanë grekë. Parlamenti ynë e gjeti forcën. Nuk ishte e lehtë. Ne e morëm këtë vendim me shpresë tek e ardhmja. Por, unë jam i sigurt se edhe Parlamenti grek do të gjejë forcën për ta marrë vendimin. Qytetarët tanë kanë rëndësi. Ne do të fitojmë një mik dhe Greqia do të fitojë po ashtu një mik të ri, Maqedoninë e Veriut”, deklaroi Zaev. 81 nga 120 deputetët e Parlamentit të Maqedonisë mbështetën ndryshimin e emrit. Shumica prej dy të tretash u arrit pas negociatave me opozitën shqiptare, amendamentet e të cilave u pranuan nga Zaev. Tani, Zoran Zaev i ka drejtuar sytë nga homologu i tij grek, Alexis Tsipras, që edhe do të vulosë marrëveshjen e arritur vitin e shkuar: “Ne po shkruajmë historinë dhe kemi hapur një faqe të re drejt të ardhmes sonë. Të krijojmë një realitet të ri, një perspektivë të re për Maqedoninë e Veriut, një vend që i përket familjes evropiane dhe NATO-s”. Vetëm pak pas votimit në Parlamentin e Maqedonisë, Tsipras i telefonoi homologut të tij duke e përgëzuar për suksesin në përfundimin e këtij procesi. “Brenda 10 ditësh, nëse gjithçka do të shkojë mirë, ne do të votojmë”, tha Tsipras të premten në mbrëmje. Ndërsa arkitekti i palës greke në marrëveshjen për emrin, ish-ministri i Jashtëm, Nikos Kotzias, shkruante në llogarinë e tij në Tëitter: “Maqedonia e Veriut, mirëserdhe në jetën tonë”. Sidoqoftë, ndërsa Shkupi e përmbushi pjesën e tij, topi tani i kalon Athinës dhe këtu loja nuk do të jetë aspak e lehtë.

Kotzias: Maqedonia e re, e mirëpritur në jetën tonë

Nga një prej takimeve mes Dimitrovit e Kotziasit, me ndërmjetësuesin amerikan Matthew Nimetz

Marrëveshja e Prespës u nënshkrua në qershor të vitit 2018 nga dy kryeministrat respektivë të Maqedonisë dhe Greqisë, Zoran Zaev dhe Alexis Tsipras, të cilët shoqëroheshin në samit edhe nga ministrat e Jashtëm të të dyja vendeve, Dimitrov e Kotzias. Pikërisht ky i fundit, edhe pse jo më me petkun e kryediplomatit të Greqisë, si palë nënshkruese e kësaj marrëveshjeje historike, që i jep fund një prej ngërçeve më jetëgjata në rajonin e Ballkanit, ka zgjedhur rrjetin social “Twitter” për të dhënë mesazhin e tij, pas përfundimit të votimit në Kuvendin e Maqedonisë, ku u ndryshua Kushtetuta e fqinjit ballkanik. “Kam biseduar me Zoran Zaevin dhe Nikola Dimitrovin, duke kujtuar vështirësitë, lidhjen, tensionet, besimin e ndërsjellë dhe shpresat që kemi pasur gjatë punës për marrëveshjen. Ne ëndërruam për të ardhmen e përbashkët të të dy popujve tanë. Maqedonia e re është e mirëpritur në jetën tonë, historia duhet të jetë një shkollë, jo një burg”, shkruan Kotzias në rrjetin social. Kuvendi i Maqedonisë miratoi të premten në mbrëmje 4 amendamentet kushtetuese që mundësojnë ndryshimin e emrit në Republika e Maqedonisë së Veriut, duke hapur kështu rrugën për anëtarësimin në aleancën perëndimore të NATO-s, e sigurisht edhe një datë për negociatat me Bashkimin Europian.

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj