Etrit Berisha rrëfehet për “Gazzetta dello Sport”, ambicie për të hapur shkollë futbolli në Kosovë

0
404

Portieri i Kombëtares, Etrit Berisha, ka prej dy muajsh që është shndërruar në titull;ar të padiskutuar të Atalantës dhe ka peshë thelbësore në sukseset e deritanishme të kësaj skuadre, si dhe pretendimet e ekipit bergamask për të zënë një vend në renditje që i siguron pjesëmarrjen në Ligën e Europës. Portieri dhe njëherësh kapiteni i skuadrës përfaqësuese të Shqipërisë, ka dhënë një intervistë të gjatë për “Gazzetta dello Sport”, ku ka folur për shumë çështje që lidhen me praninë e tij tek Atalanta, objektivat personale dhe të ekipit, por edhe për rivalët dhe kolegët në Serinë A, miqësinë me Strakoshën, e në fund për ambicien e madhe që në të ardhmen të hapë një shkollë futbolli në vendlindjen e tij, pra në Kosovë. Intervista e tij prek një mori çështjesh që shqetësojnë Atalantën në këtë moment, por edhe rivalitetin brenda grupit që Berisha ka me portierin tjetër të skuadrës, Golinin, një rivalitet që sipas Berishës i bën mirë konkurrencës për vendin e titullarit. “Kisha oferta të ndryshme, por Tare ishte vendimtar dhe e falënderoj. Isha një hap larg nga Kievos (nënshkrova një kontratë paraprake që më pas u anulua). E pamundur të refuzoja Lacion, por pas 3 sezonesh si i dytë pas Marketit, kam dashur të bëhem protagonist. Bergamo ishte një sfidë e re, një shans për të treguar vlerën time”, u shpreh që në fillim portieri kuqezi, Etrit Berisha. Më tej portieri kosovar i Kombëtares Shqiptare të Futbollit flet për rëndësinë e tij në radhët e Atalantës, paraqitjet e bëra dhe defektet që i kanë sjellë jo pak shqetësim. “Përvoja ndihmon shumë, ashtu si edhe gabime. Eliminimi me Borusian i ka dëmtuar të gjithë. Kam vuajtur, por ai episod e forcoi karakterin tim. Sot jam i lumtur dhe e imagjinoj të ardhmen time këtu. Klubi është ambicioz dhe nuk luftojmë për mbijetesë, kështu që s’kam se çfarë kërkoj më shumë”, shtoi gardiani kuqezi. Pozitat e Atalantës Berisha i çmon të mira dhe sipas tij ka vend për përmirësim. Natyrisht, objektivi nuk është vetëm mbijetesa në Serinë A, por edhe pjesëmarrja në kompeticionet europiane dhe Berisha beson se Atalanta e tij mund t’ia dalë të sigurojë një vend që e përmbushin objektivin e saj sezonal. “Do të varet nga pjekuria jonë. Ne kemi 28 pikë dhe 4-5 mungojnë për gabimet tona duke përfshirë gola që mund të shmangeshin. Renditja është e mirë, por duhet të arrijmë objektivat”, theksoi më tej gardiani i kombëtares së Shqipërisë. Nuk kishte si të mungonte në intervistën e Berishës vlerësimi për kolegët dhe njëherësh rivalët e tij në Serinë A, ku dihet që në kampionatin italian militojnë disa prej portierëve më të mirë në botë. Madje Berisha fut në këtë listë dhe rivalin e tij në Kombëtare, Thomas Strakoshën. “Futbolli ka ndryshuar shumë dhe tashmë hyjnë shumë në punë edhe këmbët. Vetë Gasperini kërkon që aksionet të nisin që nga porta. Golini është një djalë dhe lojtar i shkëlqyer, ka një rivalitet të drejtë, por unë kam punuar gjithmonë për të pasur mundësi dhe që të jem siguri për shokët. Portierët më të mirë? Loris, Pikford, Handanoviç dhe Oblak janë më të mirët. Në Itali, përveç Samir Handanoviçit, unë them Donaruma, e ardhmja i përket atij, si edhe Kranjo që është i jashtëzakonshëm. Nuk e harroj shokun tim Thomas Strakosha. Etrit Berisha ka ëndrrat e tij, që janë pjesëmarrja në Champions League dhe të luajë në nivelin me kualifikim direkt pas fazës së grupeve në Ligën e Kampioneve, si dhe të hapë një shkollë të vetën futbolli, madje ka zgjedhur për këtë Kosovën, vendlindjen e tij. “Dua të luaj në Champions luajtur në Champions dhe të fitoj një trofe. Do të ishte gjëja më e mirë që mund të bëj me Atalantën. Dua që të merrem me zbulimin e talenteve dhe shpresoj shumë që të hap një shkollë futbolli në Kosovë”, përfundoi Berisha.

Adriatik BALLA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here