Fatos Klosi: Certifikata e sigurisë e nevojshme vetëm kur ke akses në informacione sekrete, mund të merret dhe brenda 24 orëve

0
19

Certifikata e sigurisë për Gent Cakën u bë shkak jo vetëm që ky i fundit të mos emërohej në postin e ministrit të Jashtëm, por shtyu presidentin dhe opozitën drejt kërkesës për të ngritur një komision hetimor për Drejtorinë e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar. Presidenti Ilir Meta dhe përfaqësues të opozitës pretendojnë se certifikata e sigurisë nuk mund të merret brenda 24 orëve. Por ish-kryetari i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi mendon krejt të kundërtën. Si një ekspert i fushës, gazeta konstatoi dje me të, i cili u shpreh se dikush mund të pajiset me certifikatë sigurie edhe për 24 orë, mjafton vetëm mobilizimi i institucioneve për të kthyer përgjigje të shpejta. “Unë them bëhet sepse varet sesa mobilizohen institucionet që e kanë për detyrë. Edhe bëhen, gjëra të tilla edhe bëhen sepse do të pyetet në gjykatë, në SHISH, në të gjitha institucionet dhe përgjigja mund të jetë e shpejtë. Është pak e jashtëzakonshme, por nuk është e pamundur. Për sa kohë është punë njerëzish dhe jo perëndie, kjo gjë mund të bëhet fare lehtë. Ti i bën një kërkesë, ai kthen një përgjigje dhe kaq. Nuk është e pamundur fizikisht, por varet nga shpejtësia e institucioneve dhe mobilizimi i tyre për ta bërë diçka të tillë”, tha Fatos Klosi. Sa i takon debatit nëse certifikata e sigurisë nevojitet që në momentin që merr një post apo vetëm kur bie në kontakt me një informacion të klasifikuar, ish-kreu i SHISH mbështet këtë të fundit. “Certifikata është e nevojshme kur t’i mund të biesh në kontakt me dokumente që e kërkojnë atë certifikatë, për shembull me dokumente që janë sekret të niveleve të ndryshme. Nuk besoj që nëse ti shkon në një punë edhe nuk bën asgjë, për çfarë të duhet certifikata. Nuk besoj që është e nevojshme. Në rastin konkret nuk e di tamam sepse si problem doli tani dhe a duhet ta ketë apo jo zëvendësministri i Jashtëm certifikatën nuk e di. Në këtë rast duket që presidenti ka qenë shumë më i kujdesshëm, shumë më kërkues. Sepse përveç problemit konkret, sigurisht ka edhe një problem midis këtyre dy shefave të shtetit dhe kjo reflektohet edhe në problemin konkret të dekretimit të ministrit të Jashtëm”, deklaroi ai.

Konflikti Rama-Meta, i panevojshëm

Ish-kryetari i SHISH, Fatos Klosi komentoi edhe debatin e ndezur mes presidentit Ilir Meta dhe kryeministrit Edi Rama për çështjen e Gent Cakës. Për Klosin, i gjithë ky konflikt është i panevojshëm sepse mund të gjendet një zgjidhje fare lehtë. “Nuk më vjen mirë për situatën që është krijuar. Asnjë shqiptari nuk do t’i vinte mirë. Me keqardhje e shikoj një situatë të tillë që dy figura kaq të rëndësishme të shtetit janë në konflikt për gjëra që unë nuk i quaj të rëndësishme. Ky problem ka zgjidhje, por duket sikur po ndeshen jo për zgjidhjen, por për gjëra të tjera”, tha Klosi. Ai shtoi se nuk është dakord me propozimin e Ramës për Cakën si ministër të Jashtëm, duke theksuar se ka plot figura të tjera që mund ta meritonin këtë post. “Është apo nuk është i drejtë, këtu ka nevojë për koment kushtetues. Unë i kam dëgjuar të dyja palët. Problemi është që këtu ka vend për të diskutuar. Mbase Kushtetuta nuk ka qenë aq e detajuar, mbase atyre që e kanë hartuar Kushtetutën nuk e kanë menduar që mund të krijohen edhe të tilla situata. Është pak e pazakontë si situatë kështu që ka nevojë për interpretim. Por ne nuk kemi Gjykatë Kushtetuese për momentin. Por unë vetë nuk do ta propozoja personin në një rast të tillë. Nuk jemi aq mangët për njerëz, ka sa të duash figura dhe kjo krijoi një farë çudie dhe një farë pasigurie tek njerëzit sepse në një kohë kur ke kaq shumë të tjerë ti shkon dhe zgjedh dikë tjetër që shumicën e kohës e paska kaluar në Hungari”, deklaroi Fatos Klosi dje.

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj