Ilir Meta në panik nga afrimi i SPAK, zbardh arsyen e vërtetë të luftës me qeverinë, kërkon destabilizim për bllokimin e reformës

0
66

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka treguar dje hapur se afrimi i SPAK dhe BKH e ka futur në panik. Ditët e fundit ish-kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim ka nisur një luftë të paprecedentë me qeverinë, por ditën e djeshme Meta faktoi se shkaku i këtij konflikti është afrimi i luftës ndaj korrupsionit. Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë kanë nisur procedurat për ngritjen e SPAK dhe duket se kjo lëvizje e ka trembur shumë Presidentin e Republikës, i cili po synon destabilizim brenda dhe jashtë vendit, me shpresën se ky proces do të dështojë. Ishte zëdhënësi i Presidencës, Tedi Blushi, i cili ditën e djeshme sulmoi reformën në drejtësi dhe tregoi hapur se ky proces është gjithë meraku i Ilir Metës. Përmes një statusi në rrjetet sociale, zëdhënësi i Presidencës deklaroi se askush nuk mund ta ndalojë Presidentin që të ushtrojë kompetencat e tij të qarta kushtetuese. “Nuk ka komision garancish statutore që ndalon Presidentin e Republikës të ushtrojë kompetencat e tij të qarta kushtetuese për emërim e shkarkim ministrash. Duhet të jetë e qartë për pengmarrësin e reformës në drejtësi: Aksioni për rivendosjen e plotë të rendit kushtetues e ligjshmërisë nuk ndalet”, deklaroi ditën e djeshme zëdhënësi i Presidencës, Tedi Blushi. Deri më sot Meta nuk e kishte sulmuar drejtpërdrejt reformën në drejtësi. Ai ka bërë kritika për mënyrën e zbatimit, pro dje e faktoi se frika e tij më e madhe është se këtë proces e ka kapur Rama. Ndonëse ishte LSI që votoi gjithë ligjet e reformës, tani presidenti ka filluar si duket të shqetësohet. Madje ka arritur deri aty sa të deklarojë se do jetë ai që do e vendosë rendin kushtetues në vend. Po ashtu Meta ka sulmuar DSIK. Ky institucion verifikon figurën e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Fakti që po sulmohet tani, shton akoma dhe më shumë bindjen se meraku i presidenti është reforma dhe jo Gent Caka. Pra Meta po përdor Cakën për të ngjallur destabilizim, por SHBA-BE e kanë treguar se reforma nuk kthehet pas.

Presidenca kthehet në seli të PD-LSI

Përveç alarmit nga reforma në drejtësi, Ilir Meta ditët e fundit ka bërë që Presidenca shqiptare t’i ngjajë më shumë selisë së opozitës, se sa një institucioni që duhet të kujdeset për integritetin kushtetues të vendit. Refuzimi i Gent Cakës për ministër të Jashtëm, i ka dhënë fund qetësisë dhe dashurisë mes Ramës dhe Metës, ndërsa ka trazuar politikën brenda dhe jashtë kufijve. Por ajo që kemi vënë re këto ditë, është përdorimi një gjuhë e shfrenuar si nga kryeministri Edi Rama, ashtu edhe nga presidenti Ilir Meta. Por teksa Rama është kryetar i një partie politike, reagimet e Metës janë të pajustifikueshme. Ditën e djeshme presidenti Meta ka vijuar sërish me sulmet dhe akuzat në adresë të qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama. Përmes një statusi në rrjetet sociale, kreu i shtetit, duke iu referuar Gent Cakës deklaroi Ministria e Jashtme është një prej dikastereve më të rëndësishme të vendit, ndërsa theksoi se kjo ministri nuk mund të kthehet në autoshkollë. “Sot, në momente të rëndësishme të sfidave tona rajonale, Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë nuk mund të kthehet në autoshkollë ku ustai i madh kërkon të mësojë “gjeniun” si të ndryshojë kufijtë e të gjithë Ballkanit Perëndimor. Partia Socialiste ka kapacitete të jashtëzakonshme në fushën e politikës së jashtme dhe Shqipëria ka shumë diplomatë të sprovuar, të cilët mund të vendosen në drejtimin e politikës sonë të jashtme, pa kaluar nga autoshkolla e ndryshimit të kufijve në gjithë Ballkanin Perëndimor. Shqipëria do jetë gjithmonë faktor paqeje e stabiliteti në rajon. Shqipëria do ketë një lidership të besueshëm edhe në kryesimin e OSBE-së”, deklaroi ai. Pra, gjithë gjuha e përdor nga presidenti Ilir Meta është në sinkron me gjuhën që përdorin krerët e opozitës kundrejt mazhorancës qeverisëse. Madje, me këto sulme dhe akuza ndaj qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, kreu i shtetit e tregoi qartë që po thellon aleancën me ish-kryeministrin Sali Berisha. Kjo pasi Meta jo vetëm që e ka pohuar herë pas here që Berishën e ka dobësi, por ka huazuar prej tij edhe retorikën e ashpër politike.

Rigels Seliman

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj