Këshilli i Europës “shuplakë” Bashës e Kryemadhit: Po pengojnë reformat dhe punën e Parlamenti, LSI parti që rend pas pushtetit

0
54

Këshilli i Europës i ka dhënë një goditje të fortë opozitës shqiptare. Gazeta ka siguruar një raport të këtij institucioni, i cili është miratuar më 12 dhjetor 2018 dhe përmbledh opinionet e vëzhguesve të KiE, pas një vizite të zhvilluar prej tyre në vendin tonë. Ata kanë pasur takime me të gjithë liderët e politikës në vend dhe përfaqësues të reformës në drejtësi. Në fund kanë hartuar një raport, ku përmblidhet gjithë mendimi që ata kanë mbi zhvillimet në vend. Ajo që bie në sy është se KiE nuk i ka kursyer aspak kritikat për opozitën shqiptare. Kur vëzhguesit erdhën në Tiranë, PD-LSI ishin në bojkot parlamentar, proces të cilin do e vijojnë dhe tani. Për ta, një veprim i tillë po pengon reformat dhe punën e Parlamentit. “Për fat të keq, mjedisi politik mbetet i polarizuar, i diskutueshëm dhe i acaruar. Pasja e shumicës së numrave në Parlament, i jep mundësinë mazhorancës të qeverisë pa pasur nevojë për konsultim dhe dialog me opozitën, për të shtyrë përpara agjendën e saj politike. Në të njëjtën kohë, partitë e opozitës janë kthyer në praktikën e bojkotimit të reformave kyçe dhe pengimin e punës së Parlamentit. Në të gjitha takimet tona me opozitën dhe përfaqësuesve të shumicës në pushtet, ne kemi theksuar se platforma e vetme e duhur për ndërveprimin politik është debati dhe diskutimi në Parlamentin shqiptar. Prandaj, i kemi bërë thirrje opozitës për të marrë pjesë plotësisht në punën e Parlamentit dhe për t’u përmbajtur nga bojkotimi i debateve dhe i votave të rëndësishme”, thuhet në dokument. Më tej është bërë e ditur se përfaqësuesit e KiE kanë kërkuar më shumë përgjegjshmëri dhe nga ana e qeverisë. Sipas tyre, duhet dialog për të realizuar reformat kyçe në vend. “Në të njëjtën kohë ne kemi kërkuar që shumica në pushtet të japë hapësirën e duhur për opozitën që të funksionojë dhe të angazhohet sinqerisht në një dialog domethënës me opozitën mbi reformat kyçe dhe qeverisjen e vend. Kjo është gjithashtu thelbësore për çdo perspektivë për hapjen e negociatave të pranimit në BE në 2019”, thuhet në raport.

KiE goditje LSI

Në raportin e Këshillit të Europës bëhet një panoramë e qartë mbi fituesit e zgjedhjeve të qershorit 2017. Por teksa për PD dhe PS thjesht jepen rezultatet, për LSI theksohet faksi se kjo është një parti që rend pas pushtetit. Po ashtu përmendet se kjo parti drejtohet nga bashkëshortja e presidentit. “Teksa doli shumë mirë në zgjedhjet e mëparshme, LSI humbi rolin e “zgjedhësit të mbretit” që kishte mundur të luante në dy qeveritë e mëparshme, së pari me PD dhe pastaj me PS. Në këto zgjedhje, LSI hyri vetëm dhe jo si pjesë e një koalicioni me PD ose PS ashtu siç kishte bërë më parë. Themeluesi dhe udhëheqësi për një kohë të gjatë i LSI-së, ish-kryeparlamentari Ilir Meta, më 28 prill 2017 u zgjodh nga Parlamenti si Presidenti i ri i Shqipërisë. Si rezultat, ai duhej formalisht të jepte dorëheqjen nga partia dhe funksionet që mbante në partinë e tij. Megjithatë, udhëheqësi i ri i LSI-së është Monika Kryemadhi, e cila është gruaja e z. Meta”, thuhet aty.

Lufta ndaj korrupsionit

Në raportin e KiE i jepet një rëndësi e madhe dhe reformës në drejtësi. Aty deklarohet se problemi më i madh në vend vijon të mbetet reforma në drejtësi. “Përhapja e gjerë e korrupsionit në Shqipëri, prania dhe ndikimi i fuqishëm i krimit të organizuar, duke përfshirë akuzat e vazhdueshme për ndërhyrjen e krimit të organizuar me interesa ekonomike dhe politike në vend, mbeten pika të rëndësishme shqetësuese, në bisedat me disa bashkëbisedues që shprehin frikën se këto fenomenet e kanë kapur shtetin. Progresi i shënuar në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është gjithashtu një nga kriteret kryesore për fillimin zyrtar të negociatave të pranimit me Bashkimin Evropian”, thuhet në raport . 

Kliti Topalli

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj