Lulzim Basha: Rama po çon vendin drejt konfliktit civil, po manipulohet tenderi i ri për Unazën e Madhe

0
72

Kreu i PD Lulzim Basha ka shpërthyer dje në akuza ndaj kreut të qeverisë Edi Rama. Gjatë një deklarate për mediat ai foli për të gjitha zhvillimet e fundit në vend, ndërsa akuzoi kryeministrin se po çon shtetin drejt destabilizimit. Basha tha se jemi i vetmi vend në Evropë, ku policia futet brenda ambienteve të universitetit. Ai u shpreh se qeveria duhet të heqë dorë ndaj çdo lloj dhune të ushtruar ndaj studentëve, të cilët po protestojnë në mënyrë paqësore. “Jemi i vetmi vend në Evropë dhe botë ku policia futet në ambientet universitare ku po zhvillonin protestë paqësore studentët. Deklarata e Lleshajt është e papërgjegjshme. Një i marrë urdhëroi studentët dhe protestën e tyre të ligjshme. Kërkesat e studentëve janë të drejta. Opozita do mbrojë me të gjitha format të drejtën e tyre për të protestuar në mënyrë paqësore. Këto shkelje flagrante të ligjit po e shtyjnë vendin drejt një konflikti civil. I bëj thirrje Edi Ramës, ndal represionin ndaj studentëve, ndal dhunën psikike dhe fizike ndaj tyre”, tha Basha.

Prokuroria të hetojë bllokimin e rrugëve

Kreu i opozitës u shpreh se prokuroria duhet të hetojë firmat kontraktore që mirëmbajnë akset rrugore në vend, nga paratë e taksapaguesve. Reagimi i tij vjen mbas bllokimit të disa segmenteve rrugore si pasojë e reshjeve të dëborës, duke shtuar se qeveria ka vjedhur para duke i shpenzuar për pushime luksi. “Ndërkohë që qindra milionë para, lekë të shqiptarëve, të paguara me taksat e tyre janë vjedhur, shpërdoruar dhe zhdukur pa lënë asnjë gjurmë nga qeveria, në bashkëpunim me oligarkë dhe me kompani të papërgjegjshme, të cilat në vend që të bëjnë pastrimin e segmenteve rrugore nga dëbora dhe trajtimin e tyre me kripë, sipas kontratave përkatëse, kanë vjedhur paratë dhe po i shijojnë ato në pushime luksi në vende të nxehta, së bashku me zyrtarë dhe politikanë të korruptuar. Unë i bëj thirrje sot prokurorisë të nisë pa asnjë vonesë hetimet se ku kanë shkuar lekët e taksapaguesve shqiptarë që kanë përpirë këto kompani dhe të marrin përgjegjësi penale”, tha ai.

Manipulimi i tenderit të ri të Unazës së Madhe

Lulzim Basha tha se tenderi i ri për Unazën e Madhe është po aq korruptiv sa tenderi i parë. Mbas publikimit në media të dështimit të bashkëpunimit të dy kompanive “DH Albania” dhe “Biba X”, Basha u shpreh se qëndrimi i PD është i prerë, të anulohet i gjithë tenderi. Ai deklaroi se me qëllim përjashtohet një garë e ndershme, ndërsa nënvizoi se janë bërë kërkesa qesharake duke kërkuar një vinç të tonazhit të rëndë. “Duke mos u mjaftuar me këtë, siç ka zbuluar media ditët e fundit, është përgatitur ri-manipulimi i këtij loti të tenderit korruptiv të Unazës së Re. Janë bërë kërkesa qesharake si ajo për një vinç të tonazhit prej 450 tonësh. Kaq i madh është kapari i paguar për Unazën, sa asgjë nuk e ndal pa e çuar deri në fund vjedhjen dhe grabitjen te Unaza e re. Qëndrimi i Partisë Demokratike dhe i opozitës është i qartë dhe i prerë: Ky tender duhet të anulohet i tëri”, tha ai. Basha u shpreh se të gjithë zyrtarët e përfshirë në këtë aferë do të duhet të dalin para drejtësisë, duke shtuar se hetimet e tyre duhet të kishin nisur prej kohësh. Ai tha se letrat e falsifikuara mbajnë firmën e kryeministrit Rama. “Ndonëse është kapur në flagrancë për megaskandalin e Unazës së Re në vend të kemi politikanë e zyrtarë të arrestuar po përgatitet ri-tenderimi. Për dy ditë është denoncuar se si jo vetëm shteti ishte në dijeni, po ishte pjesëmarrëse në procesin e falsifikimit. I vetmi person që ka fuqi të detyrojë agjencinë e prokurimit të kryejë një procedurë me letra false, është kryeministri i vendit Edi Rama. Heshtja e prokurorisë e bën atë bashkëfajtore e bashkë shkelëse të ligjit. Sot çdo shqiptar e ka të qartë se pse një vit më parë u emëruar Arta Marku. Kjo i vë kapakun pyetjes ku ka përfunduar reforma në drejtësi për Ramën Gjiknurin e përfituesit e këtij tenderi korruptiv do të veprojë paketa antimafia”, tha ai.

Elisjeda Kiko

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj