Raporti, 40% e anëtarëve të Gjykatës së Lartë, Kushtetuese dhe KLD punësuan familjarët në drejtësi, të ngelurit në veting do i drejtohen Strasburgut

0
482

Nga procesi i vetingut dolën në pah shumë probleme të sistemit të drejtësisë. Gjatë seancave dëgjimore u vu re se shumë prokurorë e gjyqtarë kishin probleme me pasurinë, figurën dhe aftësitë profesionale, çka tregon se detyra e tyre gjatë këtyre viteve nuk është kryer ashtu siç duhet. Por ky nuk është problemi i vetëm i konstatuar në drejtësi. Instituti i Studimeve Politike ka përgatitur një raport të gjatë për ecurinë e reformës në drejtësi, ku një gjetje që vlen të veçohet është ajo për familjarët e gjyqtarëve që janë pjesë e sistemit të drejtësisë. Sipas raportit, 40% e anëtarëve dhe ish-anëtarëve të Gjykatës së Lartë, Kushtetueses, Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Shkollës së Magjistraturës kanë të punësuar familjarët e tyre në gjykata a prokurori paralele. “Shqipëria është një vend relativisht i vogël dhe me burime njerëzore konkurruese të kufizuara, sidomos në sektorë ku kërkohet një CV e gjatë profesionale dhe kritere të forta konkurrimi. Reforma e re në drejtësi nuk e ka marrë në konsideratë këtë fakt, ndaj edhe shpesh, një numër vendimesh, emërimesh, zgjedhjesh, etj, kontestohen ose etiketohen për shkak të lidhjeve që bëhen midis individëve të zgjedhur/emëruar dhe familjarëve të tyre në politikë ose në sektorë të tjerë me ndikim. Për shembull, një analizë e të dhënave për familjarët e afërt të ish anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë, KLD-së, Shkollës së Magjistraturës, etj, rezultoi se rreth 40% e tyre kanë brenda familjeve individë me angazhime paralele në gjyqësor ose prokurori, pra brenda sistemit, ose jashtë sistemit, në politikë dhe institucionet e mandatuara politike”, thuhet aty.

Ankimimet në Strasburg

Një fakt tjetër interesant që vërehet tek raporti është ai për ankimimet e të ngelurve në veting në Gjykatën e Strasburgut. Sipas ISP, gjyqtarët dhe prokurorët e shkarkuar nga vetingu po planifikojnë t’i drejtohen Strasburgut për të ankimuar vendimet e shkarkimit. Për këtë arsye në Tiranë janë krijuar edhe grupe eksperte me italianë. “Është e pritshme që një numër rastesh të vendosin të ndjekin procedurën e ankimimit ligjor të shkarkimit të tyre në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Prej disa muajsh në Tiranë janë krijuar ekipe ekspertësh, kryesisht italianë, asistues për ankimime të tilla dhe me siguri, do të ketë ndjekje të kësaj procedure në 2019 ose në të ardhmen”, thuhet në raport. Aty theksohet se çdo vendim i Gjykatës së Strasburgut në fjalë mund të ndikojë në integritetin e procesit të vetingut në vendin tonë. “Për strukturat e vettingut dhe reformën në drejtësi është e rëndësishme që çdo vendim të jetë i bazuar në parimet kushtetuese dhe të respektojë të gjithë mekanizmat ligjore të procedurës dhe të drejtave të njeriut, në mënyrë që Shqipëria të mos rrezikojë të penalizohet në të ardhmen për mangësi apo devijime nga këto praktika e standarde. Çdo vendim i mundshëm në Strasburg mund të ketë pasoja të mëdha në integritetin e procesit në vend, dhe sidomos në besueshmërinë dhe nivelin e funksionalitetit të sistemit”, vijon më tej raporti. Sakaq, ISP trajton në raportin e tij edhe afatin 5-vjeçar të organeve të vetingut për të mbyllur procesin e rivlerësimit për të gjithë subjektet. Sipas raportit, ka njerëz që janë skeptikë për këtë afat, ndërsa theksohet se gjyqtarë a prokurorë e shohin ritmin e ngadaltë të vetingut në favor të tyre sepse mund ta shfrytëzojnë për të dhënë dorëheqjen e për të shpëtuar. 

Mimoza Ibra

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here