Euro ndal rritjen për herë të parë këtë vit

0
465

Monedha e përbashkët ka shënuar rënie sot në tregun e brendshëm për herë të parë gjatë këtij viti. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye sot me 125.32 lekë, duke rënë me 0.25 lekë në raport me të premten e javës së kaluar.

Që prej datës 27 dhjetor, monedha e përbashkët shënoi një rritje të shpejtë në tregun e brendshëm, duke u nënçmuar me 2.9 lekë deri ditën e djeshme, dhe duke shënuar rritjen më të fortë që nga fillimi i qershorit 2018, kohë kur Banka e Shqipërisë nisi një seri ndërhyrjesh të jashtëzakonshme në treg për të frenuar rënien e euros, që zbriti në atë kohë në nivelin më të ulët në 10 vjet. Më pas euro u stabilizua në rreth 125-126 lekë, për të rënë sërish në dy muajt e fundit të vitit, kur zbriti në një rekord të ri minimal të dekadës prej 122.69 lekë në 26 dhjetor.

Rritja e euros në javët e para të janarit sipas ekspertëve lidhej me tendencën sezonale, ku gjithmonë në fillim të vitit ka një forcim të monedhës së përbashkët. Ky forcim u ndihmua dhe nga mbiçmimi i saj në bursa ndërkombëtare, që u ngjit deri në 1.155 lekë.

Por aktorët e tregut janë skeptikë, nëse euro do të arrijë të mbajë këtë trajektore rritëse. Ata pohojnë që likuiditeti në euro është shumë i lartë, ndërsa kërkesa për monedhën e përbashkët është e ulët.

Në janar të një viti më parë, euro u rrit me shpejtësi në janar, duke arritur në gati 134 lekë në mes të tij, vetëm për të rënë me shpejtësi muajt e mëvonshëm, duke humbur rreth 11 lekë brenda 2018-s, duke shënuar në këtë mënyrë rënien më të madhe vjetore që nga 2014-a.

Këtë vit euro po e nis janarin në një nivel më të pafavorshëm prej gati 124-125 lekësh dhe ekspertët nuk përjashtojnë mundësinë që monedha e përbashkët të zbresë në 120 lekë, që nëse do të ndodhte do të shënonte nivelin më të ulët historik që kur euro doli si monedhe fizike në vitin 2002.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here