Surprizon Ançeloti: Nuk ka çështje Hysaj, shqiptari pjesë e Napolit

0
364

Trajneri i Napolit, Karlo Ançeloti, ka befasuar tërësisht me deklaratat e tij pas ndeshjes në kupën e Italisë kundër Sasuolos, duke thënë se Elseid Hysaj është pjesë e rëndësishme e Napolit dhe pavarësisht gabimeve që ka në fushë, ai vijon të jetë pjesë e napolitanëve edhe për sezonin në vijim. Ky qëndrim i Ançelotit, krejt i papritur në lidhje me mbrojtësin kuqezi, vjen në një moment vendimtar, duke dëshmuar katërçipërisht se Napoli nuk dëshiron ta shesë Hysajn, edhe pse mbrojtësi po vuan shpesh në stol dhe po kërkon alternativë të re. Kupa e Italisë e riktheu Elseid Hysajn në fushën e lojës. Si duket, presioni i ushtruare nga menaxheri i Hysajt, Mario Xhiufredi, për të pasur vëmendje ndaj futbollistit të tij ka shtyrë drejtuesit e Napolit të mendohen mirë dhe në fund t’i japin hapësirë mbrojtësit kuqezi, i cili luajti 90 minuta të plota në ndeshjen që napolitanët fituan në kupë ndaj Sasuolos me rezultatin 2-0. Nuk ishte një ndeshje e mirë për Hysajn, pasi lojtari jo vetëm mori botë të dobët, por u bë objekt kritikash në shtypin sportiv italian, ku mediat e vendit fqinj e kritikuan për performancën e dobët, shpesh ndërhyrjet e gabuara dhe mungesën e përqendrimit në momente delikate në mbrojtje. Për më tepër, dyshimet janë që Hysaj, kur gabon me Sasuolon, çfarë mund të bëjë me rivalët për titull të Napolit të tillë si Juventusi, Inter apo Lacio, Milan e Roma. Gjithsesi, shkodrani u aktivizua titullar dhe kjo është domethënëse në këtë moment, kur i gjithë shtypi italian po shkruan për një “divorc” midis tij e Napolit, një marrëdhënie e prishur si pasojë e uljes në stol të mbrojtësit kuqezi. Kuptohet, shtysa e mediave italiane janë deklaratat e pak ditëve më parë të presidentit Aurelio De Laurentis, i cili tha se Hysaj dhe menaxheri i tij duhet të mbyllnin gojën, pasi janë nën kontratë me Napoilin dhe klubi që dëshiron të marrë shërbimet e shqiptarit duhet të bëjë gati 50 mln euro, siç e ka klauzola e tij e lirimit, një shifër që i step klubet e interesuara, pasi si Çelsi, ashtu dhe Atletiko e Madridit nuk ofrojnë më shumë se 25 mln euro për mbrojtësin e Shqipërisë.

Qëndrimi i Ançelotit

Napoli fitoi dhe kaloi në çerekfinale të Kupës së Italisë, por vëmendja është vetëm tek Elseid Hysaj. Do të ikë apo do të qëndrojë? Kjo është çështja që mbizotëron në kampin e kaltër të Serisë A. Por është vetë trajneri Karlo Ançeloti i cili komenton situatën rreth të ardhmes së Elseid Hysajt. Në përfundim të takimin me Sasuolon, i vlefshëm për fazën e 1/8-ave të Kupës së Italisë, trajneri i mirënjohur italian rezervoi fjalë pozitive për mbrojtësin shqiptar, duke pranuar gjithsesi se paraqitja e tij kishte disa probleme. “Hysaj zhvilloi një ndeshje të mirë, me ndonjë gabim apo ndonjë gjë tjetër të bërë shumë mirë”, u shpreh trajneri i Napolit, Karlo Ançeloti. Po mediat italiane më shumë se për performancën ndaj Sasuolos, ishin të interesuara për të ardhmen e Hysajt. A do të qëndrojë apo jo te Napoli? Kjo është pikëpyetja e madhe në lidhje me mbrojtësin e Kombëtares Shqiptare të Futbollit. Menaxheri i mbrojtësit shkodran thotë se ka oferta të rëndësishme dhe ekzistojnë mundësitë që në fund të janarit të bëhet pjesë e një klubi tjetër në Europë, por për stafin teknik napolitan këto janë thjesht zëra, pasi Hysaj është i lumtur tek Napoli dhe do të vijojë të punojë me klubin napolitan sipas kontratës dhe duke qenë pjesë e rëndësishme e grupit. “Çështja “Hysaj” është menaxhuar shumë mirë. Kemi patur një takim dhe kemi kuptuar që ai dëshiron të qëndrojë, ndërsa ne e vlerësojmë shumë. Pastaj në një sezon të gjatë mund të kesh ulje-ngritje. Ai dhe menaxheri i tij janë shumë të qetë dhe ne e dimë me kë bisedojmë dhe çfarë duam të arrijmë. Hysaj e ka vendin këtu”, shtoi Ançeloti. Ky qëndrim i trajnerit mund të jetë vendimtar për Hysajn në këtë periudhë. Kjo deklaratë e Ançelotit mund të nxisë lojtarin dhe menaxherin të heshtin të paktën deri në verë, duke e lënë aktivizimin ose jo në dorë të trajnerit me përvojë që drejton këtë edicion napolitanët.

Adriatik BALLA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here