Agim Gjakova: Ministria e Kulturës ka sakatuar vlerat në letërsi, çmimet ndahen sipas tarafeve

0
544

Shkrimtari Agim Gjakova shprehet se institucionet duhet të kujdesen që bibliotekat të mos jenë të varfra me libra. Kjo sipas tij është përgjegjësi e tyre, por që deri tani pak është bërë. Problem për autorin mbetet dhe mungesa e mbështetjes, që Ministria e Kulturës ka për shkrimtarët shqiptarë. Në intervistën për “SOT”, shkrimtari Agim Gjakova shprehet se është e pafalshme, që një Ministri Kulture kufizon vetëm me dy çmime krijimtarinë letrare në Shqipëri. Sipas tij në juri të çmimeve të letërsisë duhet të jenë anëtarë, që të përzgjedhin në bazë të vlerave të veprave letrare. Shkrimtari i njohur Agim Gjakova ndalet dhe në problemet me Bibliotekën Kombëtare, ku sipas tij janë institucionet që kanë përgjegjësinë kryesore për çfarë ka ndodhur ku u dëmtuan dhe librat. Vepra e fundit e shkrimtarit Agim Gjakova është romani me titull “Shtegtimi i Ëndrrës”.Ky roman rreshtohet krah 32 veprave në poezi e prozë, që autori ka shkruar ndër vite.

-Libri juaj më i fundit që vjen për lexuesit është ai me titull “Shtegtimi i ëndrrës”, për ju cila ka qenë ëndrra shqiptare gjatë gjithë kohës?

Librin “Shtegtimin e ëndrrës” e kam nisur që para tre vitesh, dhe e kam mbaruar në muajin nëntor në vitin që lamë pas. Sipas vlerësimeve u pohua, një roman i shkruar ndryshe në raportet romanore që njohim deri tani në botën shqiptare. “Shtegtimi i ëndrrës” është ëndrra që ëndërrimi ndërtohet nga kushtet, dëshira e njeriut etj. Pra ai e ndërton ëndrrën e jetës së tij. Kjo ëndërr e jetës së tij ka qenë ndër breza me radhë shqiptarë, që kur njihen në histori. Pra në raportet për të dhënë thelbin e qenies të shqiptarit, ëndërrimit të tij gjatë gjithë shekujve. Kështu që veprimtaria e djaloshit në vepër, që është personazhi, veprimtaria e tij përshkruhet që nga historia e vjetër, që nga koha e Teutës e deri në ditët e sotme, në raportet politike, ekonomike, shoqërore e botërore përmes rrjedhave të botës shqiptare. Cila ka qenë ëndrra shqiptare gjatë gjithë kohës? Ëndrra shqiptare ka qenë që njeriu të jetë i lirë, të ketë mjedisin e vet të shëndoshë, të ketë lirinë shoqërore, politike, ekonomike dhe kulturore. Kjo është ëndrra e njeriut në të gjitha kohët. Qenia e njeriut është një ëndërrim në shtegtim, sepse nuk mundet një njeri që rri si uji i fjetur pavarësisht ëndrrave që ka, nëse nuk shtegton në kuptimin pak figurativ, dhe jo të eci në male e fusha por nëse nuk shtegton jetën e tij. Pra ëndërrimi i qenies njerëzore, qenies shqiptare në rastin konkret në kohët e vendet e ndryshme.

-Për ju si autor sa mbetet problem mungesa e kritikës?

Te ne kemi dy lloj analizash kritike pavarësisht thellësisë së tyre, logjikës së argumenteve etj. Është një kritikë panagjerike për të lavdëruar, mbështetur dhe nxjerrë në pah një autor të caktuar ose vepër të caktuar pavarësisht vlerave se sa ka ajo dhe çfarë ka ai autor. Pra për ta lavdëruar edhe pse nuk i ka ato vlera, ndaj po e quaj kritikë panagjerike. Dhe kritika tjetër që mundohet të bëjë një analizë të mirëfilltë logjike në bazë të argumenteve dhe të asaj që ka teksti i caktuar, dhe që si intereson kush është autori por teksti. Kjo është kritika e vërtetë, që bëhet në botë. Në botë kritika serioze nëse në një vepër kritiku nuk gjen vlera te ajo nuk merret dhe nuk ka të drejtë ta denigrojë. Po nisem përshembull në poezi absolutisht në botë nuk ka vëllim poetik që kalon vetëm nëpër maja, por ka dhe ulje e ngritje. Madje në një vëllim poetik nëse ke 10 apo 12 poezi që janë poezi ai njeri ka talent, por kemi dhe vëllime poetike që lexon 100 faqe dhe nuk gjen poezi, por janë vargime. Ndoshta atë kritikën panagjerike po e bëjnë strukturat universitare për një arsye ose tjetër. Por letërsia në përgjithësi në botën shqiptare nuk them se ka rënë poshtë megjithatë është diku të mesatarja, me ndonjë të veçantë që ndihet në nivele. E dyta, ka në botën shqiptare intelektualë, ka mënjanime, bojkotime dhe injorime të veprave dhe autorëve me koncepte të caktuara dhe këto i bën mediokriteti. Duke qenë një mjedis, një grup shokësh shkrimtarë si të thuash më shumë recensionistë se medemek bëjnë analizë ata nuk mund ta pranojnë që dikush tjetër të shpërthejë në vorbullën e tyre dhe e injorojnë atë.

-Çfarë mendoni për panairet e librit që zhvillohen në Kosovë dhe Shqipëri?

Panairet e librit kanë filluar të zhvleftësohen dhe humbasin rëndësinë dhe vlerën e tyre, janë kthyer si pazare librash më shumë se sa panaire. Përgjegjësitë janë të organizatorëve për mënyrën se si i zhvillojnë, se si promovojnë librat etj. Unë vetë nuk kam pranuar të bëj promovime në panaire dhe nuk marr pjesë, nuk i çoj librat e mi sepse unë i botoj vetë si boton botuesi. Unë vetë i kam sponsorizuar librat, vetë i dhuroj. Ka dhe njerëz që më shikojnë me habi, por iu kam thënë që unë nuk mund të shkruaj bestseller, që i nis kur hipën të udhëtosh me tren dhe i mbaron kur zbret. Unë në krijimtarinë time nuk mund të shkruaj kështu. Unë nuk e pranoj atë lloj letërsie. Mua shumë më tepër më kënaq kur e kërkon librin një njeri që është i etur për të lexuar, dhe ia jap. Unë nuk shes libra.

-Ministria e Kulturës ndan çdo vit çmimet kombëtare të letërsisë. Për ju ka probleme?

Çmimet në botën shqiptare me ndonjë përjashtim të rrallë, ndahen sipas tarafeve. Unë në vitin 1998 jam thirrur nga Ministria e Kulturës e asaj kohe të isha në juri. Juria ka qenë Aurel Plasari kryetar jurie, unë anëtar, Pirro Misha anëtar dhe Fatos Lubonja anëtar si dhe një përfaqësuese e ministrisë. I them Aurelit unë nuk pranoj votim pa argumentim. Dakord tha Aureli. Në atë rast çmimin e parë kam qenë unë që e kam propozuar dhe ia dhanë për poezi Sadik Bejkos, atë kohë u ndanin disa çmime, romani, poezia, kritika, përkthimi, etj. Çmimin për romanin më të mirë ia dhashë Adem Istrefit, sepse ishte pak më ndryshe. Çmimin për përkthim ku kishte konkurruar dhe Mira Meksi unë e dija që Pirro dhe Fatosi ishin për këtë autore dhe marr dy paragrafe nga 15 rreshta nga një libër dhe te tjetri. I them ti lexojmë, cila është gjuha më e mirë e përkthimit. U lexuan dhe ata nuk kishin çfarë të më thonin. Çmimi diskutohej midis Mira Meksit dhe Virgjil Muçit, që për mua ishte Virgjili. Sot askush nuk më merr mua të jem në juri as në Kosovë as në Shqipëri, sepse e dinë që unë nuk pranoj asnjë rrethanë që të bëhen kompromise me vlerat. Në Kosovë dhe Shqipëri duket sikur kanë bërë një marrëveshje. Është një çmim për roman që quhet “Rexhai Surroi” dhe është shpërblimi rreth 3 mijë euro, dhe Sabri Hamiti i jep çmim Agron Tufës për roman dhe Agron Tufa i jep çmim Sabri Hamitit. Pra çfarë të them, është një lloj shëmtie.

-Sipas jush sa ndihmohen autorët për aktivitetin dhe krijimtarinë e tyre nga institucionet. Çfarë ndodh?

Në Kosovë është një këshill i librit, që përzgjedh librat dhe ia ndan shtëpive botuese që ti botojnë sipas kërkesave të tyre. Unë i kam bërë një letër ish ministrit të Kulturës dhe i kam thënë që këshilli i librit nuk është për të ndarë sadakat si në kohën e festave të Bajramit, por duhet të jetë i ndërtuar që të vlerësojë se cilët libra e meritojnë sponsorizimin, sepse në 80 përqind kanë marrë financime libra që nuk kanë vlera. Në Shqipëri është bordi i Ministrisë së Kulturës që ndan projektet dhe financimet. Por me sa dëgjova opinionet pothuajse e njëjta gjë.

-Autorët pohojnë se dikur kanë qenë disa çmime kombëtare të letërsisë, sot janë dy. Ju çfarë kërkoni nga Ministria e Kulturës?

Romani më i mirë dakord, edhe përkthimi më i mirë dakord dhe ai të jetë, por pyetja e parë që më vjen në mendje është pse kufizohet kultura shqiptare, arti letrar shqiptar duke vënë vetëm përkthimin, duke lënë mënjanë kritikën letrare, poezinë, etj. Pse bëhet kjo nga Ministria e Kulturës? Për çfarë arsye? Për arsye monetare i kanë hequr? Nuk ma mbushin mendjen që të jetë kjo. Bota ka çmime në letërsi, budallenj janë ata që janë shumë më përpara në kulturë dhe të tjera gjëra, apo janë më të menduar se ne? Prandaj ky kufizim ose ky sakatim që bën Ministria e Kulturës për vlerat e mjedisit tonë në letërsi është i papranueshëm. Nuk më intereson kush është ministër apo ministre, por më intereson se çfarë ndodh, fakti që është.

-Çfarë keni parë nga kalendari i përbashkët artistik, që nënshkruhet mes dy ministrive të Kulturës asaj të Shqipërisë dhe Kosovës?

Unë vetë nuk kam kurrfarë informacioni. Unë nuk e di ku del dhe si zhvillohet. Mbase të tjerët kanë informacione, por unë jo. Unë s’e di çfarë veprimtarie e përbashkët është bërë. Më shumë është bërë veprimtari e përbashkët individuale dhe kemi ndonjë analizë dhe promovim libri po në mënyrë private se sa institucionale. Mua më duket se është më shumë në letër për t’ia mbushur mendjen vetes dhe të gënjejnë njerëzit që po bëjmë diçka. Por unë vetë nuk di gjë. Të tjerët s’e di.

-Bibliotekat në Shqipëri janë të varfra me librat. Çfarë kërkoni?

Unë s’e di çfarë ka bërë Ministria e Kulturës në Shqipëri, por në Kosovë me ministrin e mëparshëm ministria filloi të blinte librat e autorëve të ndryshëm nga shtëpitë botuese dhe t’i shpërndante në biblioteka të ndryshme. Kjo ishte një nismë shumë e mirë, por s’e di çfarë ndodh me ministrin e ri. Pra do të ishte mirë që ky shembull që unë përmenda të përvetësohej dhe nga Ministria e Kulturës në Shqipëri, që të blihen librat e autorëve për bibliotekat.

-Biblioteka Kombëtare në Shqipëri pati dëmtime nga zjarri, më pas ndodhi përmbytja. Sa përgjegjësi kanë institucionet?

Pyetja e parë, pse u dogj dhe u përmbyt Biblioteka Kombëtare? Po ju jap një shembull: Në Radiotelevizionin e Kosovës në arkivin e filmave ra zjarri dhe më pas u përmbyt se u shua zjarri me ujë. Unë e kam një shok që është inxhinier elektrik shumë i zoti dhe e morën për të vlerësuar se çfarë ka ndodhur. Ai po më tregonte për gjendjen atje. Ai iu kishte thënë që zjarrin e keni vetë. Atij i premtuan që do ti jepnin çfarë të donte, por të mbyllte gojën. Por ai i kishte thënë në asnjë mënyrë. Megjithatë e hoqën këtë inxhinier dhe morën dikë tjetër. Unë nuk e di se çfarë ka pranuar Biblioteka Kombëtare për dëmtimet, por pyetja ime është: A kanë shkuar specialistët për të parë se pse ka ndodhur dhe kush ka qenë në komision? Zyrtarët, administratorët? Burokratët nuk bëjnë gjë, burokratët mbulojnë dhe nuk zbulojnë, ndaj duhet një komision i pavarur. Zjarri në Bibliotekën Kombëtarë është një krim, të jepnin dorëheqjen si drejtoresha dhe ministrja e Kulturës, Kumbaro, që kur ndodhën ngjarjet. Të bëhet hetim nëse është krim apo rastësi, megjithatë rastësia nuk i arsyeton titullarët, sepse duhet të merrnin masa paraprake për sigurinë e vlerave kulturore dhe historike.

Intervistoi: Julia Vrapi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here