Arkivi i Shtetit, mbi 200 milionë dokumente arkivore të aksesueshme

    0
    481

    Mbi 200 milionë dokumente arkivore për shqiptarët dhe historinë e shtetit shqiptar, deri dje vështirësisht të depërtueshme, tani janë lehtësisht të aksesueshme falë jo vetëm transformimit të ambienteve, por edhe sistemit të  dixhitalizimit të dokumenteve arkivore. Tashmë kushdo i interesuar mund t’i kërkojë dhe konsultojë online ato përmes aplikacionit të ngjashëm me modulet e vendeve më të zhvilluara. Sikundër mund të aksesohen lehtësisht në institucionin arkivor, ku mjaftojnë vetëm 20 sekonda për t’u pajisur me  kartën e përdoruesit, sipas kategorive, çka u mundëson aksesin në çdo dokument. Kryeministri Edi Rama vizitoi ambientet e reja tërësisht të modernizuara të Arkivit Shtetëror, ku të pranishëm ishin edhe studiues dhe historianë.  Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, Ardit Bido, theksoi se dixhitalizimi ka rritur sigurinë në ruajtjen e dokumenteve origjinalë, por njëherësh i ka bërë edhe më të hapura arkivat për publikun, duke shpjeguar edhe procedurën online të regjistrimit dhe kërkimit të dokumenteve.

    “Ajo çfarë bëhet, në fakt, është shumë e thjeshtë. Mjafton një fotografi. Vendoset për printim kjo kartë dhe mbaron e gjithë procedura në një periudhë prej 20 sekondash. Karta do vetëm 20 sekonda që të printohet. Printohet vetëm 1 herë në vit. Është falas. Arkivi online mund të bëhet nga shtëpia dhe është me pagesë,” shpjegoi Bido. Vetëm gjatë vitit të kaluar, sipas Bidos, janë bërë investime sa në 20 vite bashkë. Kryeministri Rama përgëzoi ekipin e DPA për modernizimin e dhe transformimin e Arkivës së Shtetit. “Kjo është një punë e mirë e vitit të Skënderbeut, se u bë shkak për t’u fokusuar më shumë dhe për ta adresuar një plagë të vjetër të rëndë. Fakti që tani gjithçka është e dixhitalizueshme, edhe origjinalet nuk janë më e vetmja mundësi, është garanci e madhe për ruajtjen e tyre. Ndërkohë që patjetër duhet të përfundojmë atë të garantimit të të gjithë dokumenteve origjinalë në atë territorin e Shkozës dhe sigurisht të vazhdojmë me elementët e tjera që kanë të bëjnë me krijimin e të gjithë hapësirës komplekse dhe gjysmë rekreative për orët, ose momentet e pushimit. Por gjëja më e rëndësishme është që u arrit të mbrohet ajo që i mbijetoi deklasifikimit, nga pikëpamja materiale, jo nga pikëpamja përmbajtjesore”, deklaroi kryeministri Rama. Historiani Paskal Milo evidentoi faktin se kjo hapje e plotë e arkivit është shumë e mirëpritur dhe u vlen shumë studiuesve.  

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here