Shfaqja “Baca jem … u kry amaneti”, në skenë mbi veprat e Ali Podrimjes dhe Din Mehmetit

0
659

Shfaqja “Baca jem … u kry amaneti” me regji nga Bruno Shllaku është e përshtatur për në skenën e teatrit mbi veprat e dy autorëve të njohur Ali Podrimja dhe Din Mehmeti. Një vepër që do të interpretohet nga aktorët nga Shqipëria, ku në skenë me rol edhe vetë Bruno Shllaku. Kjo shfaqje që sipas regjisorit i takon teatrit poetik është në skena premierë muajin që vjen, dhe jo vetëm në Shqipëri, por dhe në Stokholm të Suedisë. Gjatë këtyre ditëve regjisori po zhvillon provat me aktorët Mimoza Marjanaku, Gjergj Doçi, Dana Xhaj, Gjovalin Kola dhe Megi Kola. Në një reagim të tij regjisori Shllaku tregon se ajo çfarë përcjell vepra që do të interpretohet në skenë nga aktorët është lufta, që është zhvilluar në Kosovë, por tregohet dhe mbështetja që i dha Shqipëria.  ““Baca jem…u kry amaneti” është një vepër, që i takon teatrit poetik dhe është mbështetur me veprat e autorëve Ali Podrimja dhe Din Mehmeti, por kam dhe unë gjëra të miat që kam shkruar. Një shfaqje teatrore, që unë do ta sjell premierë në skenën shqiptare por dhe asaj të huaj në Suedi gjatë muajit shkurt. Kjo shfaqje vjen në formën e një teatri poetik. Teatri i poezisë që e quajmë ne me muzikën, me hapjen dhe mbylljen është totalisht sikur shikon një dramë. Por e bazuar në këtë krijimtari me aksionin e saj, me tragjedinë e saj që zhvillohen ngjarjet”, tregon regjisori. Kjo shfaqje në skena ka momente të veçanta, duke treguar se çfarë ka ndodhur gjatë viteve deri në ditën e  çlirimit të Kosovës. Sipas regjisorit ajo nis duke treguar lëvizjet e para kundër pushtuesve serbë. “Shfaqja “Baca jem…u kry amaneti” është një sistem llogjikë e luftës së Kosovës. Që kanë filluar me minidemostratat, për të vijuar dhe më tej të zgjerohen lëvizjet. Kanë filluar arrestimet e tyre, më pas kanë filluar arrestimet masive, kanë filluar tubimet  e njerëzve në Kosovë dhe është dhënë besa si në kohën e Gjergj Kastriotit, pas kësaj atëherë kanë filluar lëvizjet e mëdha të njerëzve drejt armatosjes deri në mbërritjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ( UÇK)”, tregon regjisori i njohur Bruno Shllaku, që është dhe vetë aktor në vepër.

Vepra në skena

Me një kastë aktorësh që janë nga Shkodra dhe nga teatri i Durrësit regjisori Bruno Shllaku tregon se rrëfehen ngjarjet çfarë ka ndodhur përgjatë viteve, por janë menduar dhe detaje të tjera për shfaqjen. “Njëkohësisht me reprezaljet e atyre viteve në Kosovë janë dhe tubimet popullore që interpretohen nga aktorët në shfaqje. Herë -herë në individualitet dhe herë- herë në një sintoni monolite të aktorëve. Është një brez, shall i kuq prej dhjetë metrash që i lidh si kulla gjithë këta interpretë për me dalë në besën e madhe të Kosovës. Por dhe populli në Shqipëri ka dhënë ndihmesën e tij për çfarë ka ndodhur deri në ditën që thotë Adem Jashari bacë u kry. Pra vepra trajton luftën e Kosovës deri në pavarësinë e saj. Finalja e shfaqjes është akti monumental në parlament, që thuhet Kosova doli shtet më vete dhe i pavarur. Muaji shkurt do të jetë për premierën e veprës teatrore në skena të ndryshme, në skenat e Shqipërisë por dhe në Stokholm”, tregon mes të tjerave regjisori Bruno Shllaku për këtë projekt teatror. Më tej ai tregon se ky është një projekt i dytë në teatër këto kohë, sepse po punon paralelisht dhe me një shfaqje tjetër. Në aktivitetin e tij artistik Bruno Shllaku është një emër i njohur dhe i vlerësuar ndër vite me teatrin dhe kinemanë. Roli i tij i parë do të jetë ai në dramën “Gjaku i Arbërit” e Fadil Krajës me regji të Artistit të Popullit, Serafin Fanku. Më tej do të vazhdonin role të tjera si në dramat “Çështja e Blertës”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Hetimi” etj. Me pjesën “Mirandolina” të Goldonit do të marrë pjesë në Festivalin Mbarëkombëtar të Aktrimit “Apollon 2005” të zhvilluar në qytetin e Fierit në vitin 2005. Të shumta janë dhe rolet që Bruno Shllaku ka interpretuar në kinematografi.  

Nga Julia Vrapi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here