Filmi “Streha mes reve” vijon turin në qytetin e Shkodrës

0
440

Filmi “Streha mes reve” vazhdon turin në qytetin e Shkodrës, ku u shfaq në kinema Millennium. Për ti afruar të rinjtë më kinemanë krijuesit e filmit po zhvillojnë dhe takime me nxënësit e shkollave që ndjekin filmin për të diskutuar mbi temat që trajton filmi, në kuadër të edukimit përmes artit dhe kulturës. “Streha mes reve” e regjisorit Robert Budina si premierë botërore u shfaq në kuadër të festivalit “Tallinn Black Nights Film Festival”. I përzgjedhur për seksionin zyrtar, filmi spikati për skenat e realizmit magjik të xhiruara në natyrën e mrekullueshme të Valbonës, lojën e jashtëzakonshme të aktorit protagonist Arben Bajraktari në rolin e Besnikut, skenarin origjinal dhe temën e tolerancës dhe bashkëjetesës fetare. Në rolet kryesore interpretojnë aktorët si Arben Bajraktaraj, Esela Pysqyli, Bruno Shllaku, Irena Cahani, Osman Ahmeti, Muzbajdin Qamili dhe Virus Shala. Filmi rrëfen, historinë e Besnikut një bariu, besimtar i devotshëm mysliman, i cili zbulon që xhamia e vjetër e fshatit të vogël ku ai jeton, në Veri të Shqipërisë mes Alpesh, ka qenë dikur kishë.

Ky zbulim hap debate të zjarrta në komunitetet e ndryshme fetare që jetojnë aty. Besniku është pjesë e një familjeje anëtarët e së cilës kanë besime të ndryshme dhe bashkëjetojnë në paqe me njëri tjetrin, deri ditën që Fadili babai ish komunist i familjes vdes, dhe atyre u duhet të ndajnë shtëpinë e vjetër në fshat mes tyre. Këtë vendim e bën të vështirë, amaneti që babai ish komunist ka lënë. Në rininë e tij Besniku ra në dashuri me një vajzë nga një familje e persekutuar dhe Fadili duke qenë komunist i thekur nuk e lejoi të birin të realizonte ëndrrën e tij. Kjo i shkaktoi Besnikut një traumë që koha nuk e shëroi. Fadili e vuajti gjithë jetën kompleksin për traumën që i shkaktoi të birit, të cilën u përpoq ta shlyente me amanetin që la në fund të jetës. Amaneti i babait, do t’ia vështirësojë Besnikut përpjekjen për të mbajtur së bashku familjen dhe komunitetet me besime të ndryshme fetare në fshat, dhe do ta bëjë të marrë një vendim të rëndësishëm për jetën e tij. “Streha mes reve” financuar nga QKK Shqipëri është në bashkëprodhim me Digital Cube Rumani. Me producente Sabina Kodrën “Streha mes reve” me skenar dhe regji nga Robert Budina,  në dhjetor  të vitit që lamë pas erdhi premierë për publikun në kinematë e Tiranës.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here